CIA kishte krijuar 'qentë me teledirigjim'

  • 13 December 2018 - 16:18
CIA kishte krijuar 'qentë me teledirigjim'

CIA kishte krijuar qen të teledirigjuar, duke implantuar me operacion elektroda në trutë e tyre, në vitin 1963, tregojnë ca dokumente të sapozbuluara. Zyrtarët e SHBA-së janë përpjekur me dekada të tëra që të fshihnin dokumentet "top secret" të modifikimit të sjelljes, por ato dokumente janë bërë publike tani, në bazë të ligjeve të vendit për liri të informimit. Eksperimentuesit kishin vendosur pajisje të implantuara në kafkat e gjashtë qenve dhe kishin përdorë stimulimin elektrik për t'i udhëzuar ata në një fushë të hapur, duke i bërë që të vraponin, të ktheheshin dhe të ndaleshin. Eksperimentet "top secret" ishin pjesë e projektit famëkeq të kontrollit të mendjes, "MKUltra.

Disa nga qentë kishin përjetuar efekte të padëshirueshme nga eksperimentet

Programi "top-secret" i CIA-s bëri me qindra eksperimente, në disa raste edhe në njerëz, pa pëlqimin e tyre, me qëllim të vlerësimit të përdorimit potencial të LSD-së. Ata po ashtu përdorën edhe droga të tjera për ta kontrolluar mendjen, për të mbledhur informata dhe për të bërë torturë psikologjike. John Greenewald, themelues i "The Black Vault", një sajti të specializuar në 'deklasifikimin' e të dhënave qeveritare, u përpoq për 20 vjet që t'i merrte këto dokumente. Dosjet nga ky projekt famëkeq tregojnë sesi agjencia federale po ashtu ka testuar njerëzit me droga psikotrope, me shok elektrik dhe me radiovalë. "Qëllimi specifik i programit kërkimor ishte ekzaminimi i kontrollimit të sjelljes te qeni,në një fushë të hapur, me anë të telekomandës, e cila bënte stimulimin elektrik të trurit', thuhet në dokumente. "Për efikasitetin e tij, një sistem i tillë varet nga dy veti të stimulimit elektrik, të dërguara në thellësi të caktuara ku gjenden strukturat e veçanta të trurit të qenit: efekti i mirënjohur i shpërblimit dhe një tendencë për një stimulim të tillë për të filluar dhe kontrolluar lëvizjen në një drejtim i cili shoqërohet nga një dërgim i vazhdueshëm i stimulimit". Kërkuesit shkencorë në fillim qenve ua vinin nga një helmetë të plastikës, por më pas zhvilluan një teknikë të re operative, e cila vinte elektrodën brenda kafkës së qenit. Disa nga qentë kishin përjetuar efekte të padëshirueshme nga eksperimentet, duke përfshirë edhe infeksionet e shkaktuara nga plaga në kokë, në vendin ku elektroda ishte futur në tru. 

"Kemi përdorur qentë e racave të ndryshme"

Në një letër, një person (emri i të cilit është redaktuar) i shkruan një doktori me këshilla rreth eksperimenteve për të kontrolluar mendjen e kafshëve. Shkruesi i kësaj letre del të ishte një ekspert në fushën e kontrollit të mendjes së kafshëve dhe, më pas, me sukses ka 'krijuar' gjashtë qen me sistemin e kontrollit me telekomandë. "Sikur që e dini, kam kaluar rreth tri vjet duke punuar në një fushë kërkimore të stimulimit shpërblyes të trurit", shkruan personi. "Në laborator kemi bërë disa eksperimente me minj; në fushë të hapur kemi përdorur qentë e racave të ndryshme". Letërshkruesi e karakterizon punën me qentë me teledirigjim si sukses, duke përshkruar "një procedurë të demonstruar për kontrollimin e sjelljes së lirë në fushë, të qenve të zgjidhur". Raporti final, i publikuar në vitin 1965, me titull 'Remote Control Behaviour with Rewarding Electrical Stimulation of the Brain', i ishte bashkangjitur letrës. Deri në vitin 1967, dukej e pamundur që qentë me teledirigjim të ishin përdorë në fushë, meqë shkruesi i letrës nënvizon disa kufizime dhe sfida ndaj çdo programi. Këto dosje nuk janë dokumentet e vetme të lëshuara nga "Black Vault" që kanë të bëjnë me kafshët. Dosje të tjera të shumta flasin për eksperimente me kafshë. Në një dokument të bërë publik flitet për trajnimin e maceve për punë fushore.  

 

(Kosova Sot)