Marko Gjuriq kërcënon me arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës

  • 14 December 2018 - 15:12
Marko Gjuriq kërcënon me arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës

Për Gjuriqin Ushtria e Kosovës është pushtuese e Serbisë, kërcënohet se do të arrestohen pjesëtarët e saj

Miratimi i ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës e ka hidhëruar shumë Beogradin zyrtar.

Ka qenë Marko Gjuriqi, i ashtuquajturi drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, i cili e ka zbrazur mllefin e vet dhe të shefave të tij kundër vendimit legjitim e sovran të Kuvendit të Kosovës që populli i saj të bëhet me Ushtri.

Ai, madje, përmes një drejtimi medieve serbe, është kërcënuar se do të arrestohen e do të dënohen me burgje serbe të gjithë ata që do të jenë pjesë e kësaj Ushtrie.

Ushtria e Kosovës për Beogradin është formacion ilegal pushtues në territorin e Serbisë, ka thënë ai.

Gjuriq ka zbuluar se Ushtria është formuar me qëllim të ndryshimit me dhunë të kufijve të vendit.

“Parlamenti i organeve të përkohshme në Prishtinë, sot, pa pjesëmarrje të përfaqësuesve serbë, me diktatin njënacional të shumicës shqiptare në Kosovë e Metohi, e në kundërshtim me të drejtën vendore e ndërkombëtare në fuqi, ka marrë vendim për formimin e të ashtuquajturës ushtri e Kosovës. Ky vendim paraqet akt kundër paqes dhe të agresionit politik në vendin tonë. Ky akt ka për qëllim të rrumbullakojë procesin e filluar të ndarjes me dhunë të pjesës së territorit të Republikës së Serbisë dhe të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, të ashtuquajturën Republikë e Kosovës në gjithë territorin e Krahinës Autonome të Kosovë e Metohisë. Meqë ky vendim për formimin është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë, por edhe në kundërshtim me kornizën e përkohshme kushtetuese të Kosovës, në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të KB-së dhe me Marrëveshjen tekniko-ushtarake me të cilën përfundoi konflikt në Kosovë e Metohi në vitin 1999, e ashtuquajtura ushtri e Kosovës paraqet formacionin e armatosur ilegal e pushtues në rajonin e Republikës së Serbisë”, citon b92 të ketë thënë ai.

Gjuriq, madje, ka pasur pafytyrësinë që t’i ftojë edhe shqiptarët e Kosovës të mos jenë pjesë e kësaj Ushtrie duke parë ëndërr me sy zgjuar se Kosova është ende pjesë e Serbisë e jo shtet i pavarur i njohur nga më shumë se 100 shtete të botës:

“Ftoj qytetarët e Serbisë, shqiptarë e serbë por edhe të tjerë, të mos bëhen pjesë e këtij formacioni të armatosur pushtues e ilegal në territorin e Serbisë”.

Ai, në fund, pasi është kërcënuar se do të identifikohen personat që bëhen pjesë e kësaj ushtrie dhe do të dënohen me burgim në Serbi, ka paralajmëruar hapa të Beogradit kundër këtij vendimi të Kosovës.

(Kosova Sot)