Mjekja e QKUK’së shpëton një 27 vjeçar nga Mitrovica, kishte qeë i plagosur

  • 16 December 2018 - 11:48
Mjekja e QKUK’së shpëton një 27 vjeçar nga Mitrovica, kishte qeë i plagosur

27 vjeçari nga Mitrovica, R.M, ishte duke qëndruar në një biznes të familjes kur disa persona ishin futur me armë dhe kishin shkrepur 3 herë.

Një plumb e kishte marrë 27 vjeçarin në shpinë dhe i kishte dalë nga përpara, duke i shkaktuar plagë të rënda.

R.M ishte dërguar me ambulancë në Emergjencën e Mitrovicës, por nga aty ishte nisur për në QKUK, për t’iu nënshtruar operacionit të menjëhershëm. 27 vjeçari ishte buzë vdekjes, konfirmojnë familjarët.

Mirëpo, për fatin e tij të mirë në Emergjencën e QKUK’së e prisnin mjekë që, siç rezultoi në fund, do t’ia shpëtonin jetën. Mjekja kujdestare Preveza Abrashi, e kishte udhëhequr një ekip mjekësh për një operim të rëndë që zgjati 5 orë.

Ndonëse operacioni ishte i rëndë dhe i gjatë, mjekja Preveza Abrashi arriti t’ia shpëtonte jetën 27 vjeçarit, i cili tani ka një gjendje stabile, ani pse në kujdes intensiv.

Se ka qenë operacion i rëndë dhe me gjasa të vogla shpëtimi të viktimës, e thotë edhe vetë doktoresha Abrashi, e cila e ka komentuar këtë ngjarje në profilin e saj në Facebook.

“Pas një kujdestarie të rëndë, kur bëhet e pamundura që të shpëtohet jeta e një të riu, viktimë e njerëzve që mjet komunikimi kanë armët e zjarrit, fatkeqësisht. Lodhjen pak ta lehtëson operacioni i kryer me sukses… dhe një kafe e rëndë…”, ka shkruar natën e operacionit Abrashi.

Ndërkohë, ajo ka bërë të ditur se pjesë e një ekipi që bëri të mundur të shpëtohet jeta e të riut nga Mitrovica, ishin edhe doktorët Agron Beqiri, doktor Naser Osmani urolog si dhe doktor Lulzim Emini anesteziolog.

Ndryshe, familjarët e të plagosurit, kanë thënë se ndjehen falenderues ndaj ekipit të mjekëve në QKUK, e në veçanti mjekes kujdestare, Preveza Abrashi.

(Kosova Sot)