“Hashim Thaçi lexoi fjalimin e Vlora Çitakut” – mediat në Serbi i quajnë gënjeshtra shifrat për krime

  • 18 December 2018 - 12:17
“Hashim Thaçi lexoi fjalimin e Vlora Çitakut” – mediat në Serbi i quajnë gënjeshtra shifrat për krime

Përmendja e spastrimit etnik nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përmendja e sportistëve kosovarë që po ngritin flamurin e Kosovës edhe në shtetet që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës duket se ka bërë që në Serbi të ngritën tensionet.

Madje mediat në Serbi po akuzojnë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin se ka lexuar të njëjtin fjalim me Vlora Çitakun, ambasadore e Kosovës në OKB.

Mediumi serb i quan gënjeshtra përmendjen e shifrave të të vrarëve nga Serbia në Kosovë. Shkruajnë se Vlora Çitaku ose i ka shkruar fjalimin presidentit Thaçit ose Taçi ka lexuar të njëjtin fjalim që Çitaku kishte lexuar më 14 tetor në OKB.

“Ambasadorja e së ashtuquajturës Kosovës, Vlora Çitaku, i shkroi fjalimin Hashim Thaçit si dhe gjatë gjithë seancës qëndronte prapa tij ulur”, shkruan portali serb.

Kujtojmë që mbrëmë në mbledhjen e OKB-së, Thaçi ka përmendur disa nga krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. Mes tjerash tha se asnjë serb nuk është dënuar për krimet që ka kryer në Kosovë.

“Dihet viktima, dihet agresori. Nuk ka dhe nuk do të ndodhë rishkrimi i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin 20. Duhet të shikojmë pa drama, pa sektakël dhe ta pranojmë realitetin. I pëlqeu dikujt apo jo, Serbia në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13 mijë e  500 civilë shqiptarë. Aparati i tyre ushtarake kanë dhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare”.

“Për 13 mijë e  500 civilë asnjë i akuzuar, e lëre më i dënuar. Për 20 mijë të dhunuara, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. 1 milionë shqiptarë të dëbuar me dhunë, 40% e infrastrukturës në Kosovë të shkatërruar”, tha Thaçi.

Kujtojmë që më 14 nëntor në mbledhje të OKB-së edhe Vlora Çitaku i kishte përmendur disa nga krimet që kishte kryer Serbia në Kosovë. Mes të tjerash kishte përmendur edhe sukseset e sportistëve kosovarë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova u bë arenë e luftës. Më shumë se një milionë kosovarë u nxorën jashtë vendit, e gjithë kjo si pjesë e spastrimit etnik që ndodhi. 20 mijë gra u dënuan e dhjetëra mira u vranë. Këto nuk harrohen lehtë, sidomos kur Serbia refuzon të marr përgjegjësinë për to. Nuk ka pasur përgjegjësi morale në këtë luftë. Ka pasur pushtues dhe të pushtuar. Dhe  të gjithë ishin e dinë se kush ishte pushtues e të pushtuar”, kishte thënë ajo.

(Kosova Sot)