I bllokuar prej 6 ditësh, vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e dyvjeçarit që ra në bunar

  • 19 January 2019 - 16:42
I bllokuar prej 6 ditësh, vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e dyvjeçarit që ra në bunar

Shërbimet e urgjencës spanjolle janë duke punuar për të shpëtuar një fëmijë dyvjeçar të bllokuar brenda një pusi që prej të dielës. Në operacionin e shpëtimit janë përfshirë 100 shpëtues.

Djali, Julen është parë të bjerë brenda në pusin e ngushtë ndërkohë që po ecte me prindërit e tij në një pronë private në Totalan, Malaga, Spanja jugore.

Ndër mbeturinat e nxjerra nga pusi, shpëtuesit gjetën flokë, të cilat sipas testeve të ADN-së, rezultonin të ishin të fëmijës. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë jete nga vogëlushi, por shpëtuesit po punojnë me mendimin e mirë se fëmija mund të jetë akoma gjallë.

Banorët e qytetit kanë dalë të mërkurën për një vigjilje për të mbështetur familjen në këto ditë të vështira, Shumë prej të cilëve mbanin pankarta ku shkruhej, “E gjithë Spanja është me ju" dhe "Ne po ju dërgojmë forcën tonë".

Shërbimet emergjente po përdorin kamera për të gjetur fëmijën, por aksesi mbetet i vështirë. Kjo pasi dheu e ka bllokuar pjesërisht pusin, i cili është vetëm 25 cm i gjerë dhe 100 metra i thellë.

Babai i Julen ka treguar se e ka dëgjuar djalin të qante dhe 30 sekonda më vonë, nuk e kishte dëgjuar më. Jose, i cili ishte vetë dëshmitar i aksidentit, u shpreh: "Do doja të isha varrosur unë atje poshtë dhe ai të ishte këtu, me të ëmën e tij.”

 

 

(Kosova Sot)