Aktakuzë për kompaninë e stiroporit ku u masakrua nga makinat i mituri që punonte atyre

  • 22 January 2019 - 11:41
Aktakuzë për kompaninë e stiroporit ku u masakrua nga makinat i mituri që punonte atyre

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër kompanisë së stiroporit me seli në fshatin Mushnikovë të Prizrenit dhe kundër personit përgjegjës me inicialet A.B. për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”

Sipas aktakuzës, i ndjeri S.A., nga fshati Lubizhdë – Komuna e Prizrenit ka qenë i angazhuar me kontratë sezonale në fabrikën e stiroporit pronë e të akuzuarit A.B. 

Me datë 30.06.2018, rreth orës 11:30 në fabrikën e stiroporit e cila gjendet në fshatin Mushnikovë, derisa i ndjeri ishte duke punuar në vendin e tij të punës në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit, dhe duke mos qenë i trajnuar dhe udhëzuar për mënyrën e përdorimit të makinës, në një moment e kap thesin e mbeturinave pezull dhe tenton ta shkundë në makinë, dhe papritmas në mungesë të masave mbrojtëse, makina duke e tërhequr thesin, e tërheq edhe viktimën bashkë me të, me ç’rast i njëjti edhe humb tragjikisht jetën.

“Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga neni 367, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 7 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.

(Kosova Sot)