Kanceri bën kërdinë, u diagnostikuan 400 raste më 2018

  • 06 February 2019 - 16:02
Kanceri bën kërdinë, u diagnostikuan 400 raste më 2018

Duke e ditur se zbulimi në fazat e hershme është esenciale në shërimin e kësaj sëmundjeje, gjatë vitit 2019, Komuna e Prizrenit ka premtuar se do të ofrojë edhe një shërbim me pajisjen Tumormarkera, i cili nuk është ofruar më parë, si dhe do të vazhdojë t'i subvencionojë personat e prekur nga kjo sëmundje. Një numër i konsideruar grash prizrenase të tubuara rreth OJQ"Renesansa", por edhe të sëmurë të tjerë tashmë po kërkojnë në të gjitha instancat edhe komunale, edhe qeveritare që Prizreni ta ketë një Qendër onkologjike. Ato dhe të tjerat e arsyetojnë kërkesën e tyre, sepse nuk kanë kushte të udhëtojnë nga Prizreni në Prishtinë për shërbimet edhe me të lehta onkologjike. Kurse ato pohojnë se kjo qendër do të ishte edhe në shërbim të veriut të Shqipërisë. Në njoftim thuhet se QKMF-ja e Prizrenit është e përgatitur dhe jep shërbime shëndetësore që kjo sëmundje e rrezikshme të diagnostikohet me kohë, si PAP testi, vizita gjinekologjike, ultrazë të gjinjve, mamografi, analiza laboratorike, të cilat nuk i bën asnjë institucion tjetër publik në Kosovë. 

 

Kjo sëmundje duhet të hetohet sa më parë

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu tregon se në QKMF në Prizren gjatë vitit 2018, Komuna e Prizrenit ka nisur fushatën e Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës, në kuadër të së cilit janë vizituar 522 raste, prej të cilëve 420 janë diagnostikuar, ndërkaq po në këtë vit janë subvencionuar. "Mbi 400 persona janë diagnostikuar me kancer vitin që shkoi në Prizren, ndërsa, gjatë këtij viti Komuna e Prizrenit do të ofrojë edhe një shërbim me pajisjen Tumormarkera, i cili nuk është ofruar më parë", tregon ai. Duke ditur edhe faktin se sëmundja e kancerit tashmë ka rritje në gjithë globin, kësaj nuk ka arritur t'i shpëtojë as edhe Rajoni i Prizrenit, që me shifra kalon numrin prej 540 mijë banorë, e nëse kësaj i shtohet edhe veriu i Shqipërisë, kjo shifër bëhet mbi 600 mijë banorë. Kjo sëmundje duhet të hetohet sa më parë, sepse shërimi pastaj është më i lehtë.

 

Terapinë duhet ta marrin në Prishtinë

Dr. Shpresa Goqaj, e vetmja radiologe e specializuar në Prizren, flet edhe për angazhimet që po bëhen në këtë drejtim, duke shtuar se po merren masa të mëdha. Eqrem Shala nga spitali Rajonal i Prizrenit për "Kosova Sot " ka folur lidhur me nevojat për sensibilizimin e shoqërisë civile që po bëhet për këtë qëllim. Kryetarja e shoqatës "Renesansa", Violeta Pirana theksoi se shumë gra dhe të tjerë për të marrë terapinë dhe shërbimet e tjera po humbin kohë për të shkuar në Prishtinë. Bazuar në kërkesën e tanishme të shumë grave të prekura nga kanceri i gjirit, Dr. Eqrem Shala nga Spitali i Prizrenit thekson se në këtë spital ka onkolog, por thotë se duhet bërë reparti onkologjik.

 

(Kosova Sot)