Pazari i PSD-së së Shpend Ahmetit bën rrëmujë tërë Kosovën

  • 18 February 2019 - 07:35
Pazari i PSD-së së Shpend Ahmetit bën rrëmujë tërë Kosovën

Kastrati: Rritja e pagave në sektorin publik do të rrisë nepotizmin dhe klientelizmin, kurse në sektorin privat do të humbë mijëra vende të punës

"Nuk kam asnjë dyshim se ky ligj ka shumë të meta, sepse ligji në fjalë u trafikua në mënyrë tinëzare dhe kriminale nga presioni i PSD-së. Në Ligjin për Pagat ka pasur lëshime dhe gabime, ngase ka pasur pozita në sektorin publik, të cilave u janë rritur pagat më shumë se që duhet, derisa ka pasur pozita të tjera, të cilat nuk janë të kënaqura me këtë ligj", thotë deputeti Ali Lajçi për "Kosova Sot" 

Ligji për Pagat, i cili është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, në bazë të të cilit paga bazë është rritur për rreth 15 për qind, për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, ka nxitur pakënaqësi të mëdha. Deputetë të opozitës dhe analistë të ekonomisë vlerësojnë se ligji në fjalë ka pasur shumë efekte negative, ngase sektorët strategjikë janë goditur nga Ligji i Pagave, sikurse që janë Aeroporti, energjetika, shërbyesit civil.

Shi për këtë, deputetët e opozitës vlerësojnë se Ligji i Pagave u trafikua kriminalisht nga presioni i PSD-së së Shpend Ahmetit, që e shikon vetëm interesin e vet dhe të mafio-oligarkëve të kriminalizuar që kanë kapur shtetin dhe ka nxitur kështu një revoltë që po e fut Kosovën në kaos, anulime fluturimesh, derisa nesër edhe mund të ndodhë se mund të mos ketë prodhim të energjisë etj. Kundër ligjit ka dalë edhe Avokati i Popullit, që thonë se kanë marrë me dhjetëra ankesa për shkelje të të drejtave të shërbyesve civilë që, sipas tij, bëjnë punë të njëjta e nuk do të marrin pagë të barabartë.

Ibrahim Arsllan nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Zyrën e Avokatit i Popullit në vazhdimësi e ka përcjellë procesin e hartimit të këtij ligji, e po ashtu ka dhënë komente të cilat nuk janë marrë parasysh nga Qeveria dhe Kuvendi. Pasi ta ketë tekstin final të ligjit të miratuar e po ashtu pasi Presidenti ta konfirmojë qëndrimin zyrtar lidhur me këtë ligj, Avokati i Popullit do të analizojë mundësitë e veprimeve të mëtutjeshme në bazë të kompetencave të tij kushtetuese. 

Pabarazia zvogëlohet, pakënaqësitë mbeten

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita Ali Lajçi , që është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, për gazetën Kosova Sot', ka thënë se "Vetëvendosjes" nuk do t'i pengonte kthimi i Ligjit në Kuvend, pasi beson se ka vend për përmirësim . "Se ka pakënaqësi dhe kjo është më se evidente, sepse Ligji për Pagat më në fund ka arritur të bëjë një kategorizim dhe një renditje, por megjithatë ka disa lëshime që disa pozicione janë bërë për njerëz dhe jo për pozita. Normalisht që ka edhe gabime mes sektorëve të ndryshëm, ku disa janë shpërblyer në mënyrë të pamerituar, për shkak se disa pozita janë mbivlerësuar dhe të tjerët kanë shprehur pakënaqësi se pse ka ndodhur kjo", theksoi ai.

"Komisionet edhe një herë duhet të shqyrtojnë Ligjin për Pagat që kjo të bëhet edhe një herë komisionet, por me një seriozitet më të madh të shqyrtohen disa pozicione dhe të bëjnë përmirësime aty ku ka ndodhur ndonjë lëshim eventual, të bëhet rangimi sipas pozitave dhe përgjegjësisë", ka thënë Lajçi. Ndërsa, deputeti nga koalicioni qeverisës Enver Hoti, për gazetën " Kosova Sot", thotë se edhe pse mund të jenë bërë disa lëshime, nuk është e arsyeshme që ligji të kthehet në Kuvend përsëri.

"Me ligjin e ri do të zvogëlohet pabarazia në sektorin publik në vend. Do të ishte një gabim që ky ligj të kthehet sërish në Kuvend, ngase është një e arritje e madhe e Kosovës që ka mbërritur pas 20 vjetëve të ketë një Ligj për Pagat. Edhe unë jam i vetëdijshëm se ky ligji nuk është më i miri, sepse ka ende që të punohet në të, por kështu siç është ligji është i mirë dhe e ka zvogëluar me përmasa të mëdha pabarazinë, e cila ka ekzistuar tani e 20 vjet në sektorin publik", shpjegon më tej Hoti.

Pasoja dramatike për sektorin privat

Ish-kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Ismail Kastrati, për gazetën " Kosova Sot", thotë se rritja e pagave në sektorin publik do të rrisë nepotizmin dhe klientelizmin, kurse në sektorin privat do të humbë mijëra vende të punës. "Miratimi i këtij ligji ka ngarkuar buxhetin e Kosovës dhe ka krijuar një rrezik për mungesë të makro-stabilitetit buxhetor dhe financiar. Tashmë janë krijuar mundësitë që punësimi në sektorin publik të keqpërdorë edhe më tepër, sepse për një pagë të madhe konkurrojnë më shumë veta.

E, ndërkaq, një vend pune mund të fitojnë vetëm ata që kanë mundësi intervenimi te partitë politike apo strukturat në pushtet. Kështu që rritet nepotizmi dhe klientelizmi gjatë punësimit në sektorin publik. Prandaj, rritja e pagave për punonjësit e sektorit publik do të humbë rreth 10 mijë vende të reja të punës edhe në sektorin privat", shpjegon ai. Eksperti Kastrati vlerëson se një pjesë e madhe e buxhetit, vlerësohet prej 30 deri në 100 milionë euro, në vend që të orientohet në stimulimin e sektorit privat, ka ndodhur e kundërta.

"Përveçse ka krijuar një hendek të pagave në mes sektorit publik dhe atij privat, nëse llogarisim që një vend pune kushton 10 mijë euro, atëherë shihet se rreth 10 mijë vende pune janë më pak, me rritjen e pagave në sektorin publik. Kështu që mendoj se efektet në përgjithësi të mëvonshme janë negative dhe në dëm të zhvillimit të sektorit privat", ka potencuar ai.

20 vjet pa rregullim ligjor

Ndërsa bankieri Milazim Abazi, për " Kosova Sot ", ka thënë se ndonëse ka disa të meta, Qeveria në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqet nga Ligji për Pagat. "Kjo, ngase është koha e fundit që edhe kjo lëmi të rregullohet njëherë e mirë me ligj. Sikurse Ligji që po hartohet për Qeverinë, edhe Ligji për Pagat duhet të votohet sa më parë. Kanë kaluar gati 20 vjet qeverisje dhe këto fusha nuk kanë qenë të rregulluara me ligj. Kur hartohen ligjet është e natyrshme që dikujt nuk i konvenon.

Ka njerëz që dëshirojnë që në Kosovë të dominojë anarkia e jo ligji", u shpreh ai. "Pagat në sektorin publik në Kosovë janë më të mirat në rajon dhe të gjithë duhet që të jenë të kënaqur me pagat që i marrin, përfshirë këtu edhe arsimtarët. Nëse i krahasojmë pagat e sektorit publik me sektorin privat, atëherë shohim se në sektorin privat punohet shumë më tepër për paga goxha më të ulëta sesa ato në sektorin publik, ndërkohë që sektori privat është kontribuuesi kryesor i buxhetit të Kosovës", vlerësoi Abazi.

Ndërsa analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Ligji i Pagave është një manipulim i kësaj Qeverie të korruptuar, ngase pati manipulime, sepse disa sektorë, si Aeroporti, energjetika, shërbyesit civilë, ujësjellësi etj., janë injoruar si sektorë në këtë ligj. "Apeloj në Prokurorinë e Kosovës që ta hetojnë Shpend Ahmetin, sepse ai komplet me stafin punues të PSD-së janë ideatorët që e kanë krijuar këtë Ligj të Pagave, që në fakt është një ligj që nuk është në të mirë të qytetarëve, por në të mirë të mafio-oligarkëve", potencoi ai.

Ligji i padrejtë 

Kundër ligjit është edhe eksperti i ekonomisë Sejdi Halimi, që për " Kosova Sot", thotë se Ligji për Pagat është shumë i padrejtë. "Ligji për Pagat, që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, është hartuar aq keq, dhe mbi të gjitha është i padrejtë, sepse diskriminon mizorisht disa kategori shoqërore e profesionale, ndërsa, favorizon disa të tjera të cilat u përkasin kryesisht kategorive të të fortëve nga kasta e pushtetarëve dhe të të gjitha partive politike. Dhe, ky ligj, si i tillë, nëse hyn në fuqi, do të ketë pasoja katastrofale për shtetin dhe shtetarët e tij, sot dhe në të ardhmen. Me këtë ligj janë dëmtuar Aeroporti, energjetika, shërbyesit civilë", theksoi ai.

Revolta e kontrollorëve, anulohen fluturimet 

Kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, "Adem Jashari", kanë thënë se nuk do të mbajnë grevën e paraparë për të shtunën dhe të hënën e javës së ardhshme. Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Artan Hasani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se greva do të vazhdojë përsëri javën e ardhshme, përkatësisht në ditët e vikendit. Ligji i ri parasheh ulje të pagave për kontrollorët ajrorë. Menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Driton Hyseni, ka njoftuar përmes një komunikate në rrjetin social, "Facebook" se janë anuluar tetë fluturime për shkak të grevës.

Kirurgët pezullojnë grevën 

Greva e kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që zgjati rreth dy muaj, është pezulluar përkohësisht deri më 6 maj. Vendimi erdhi pas takimit të Kolegjiumeve Kirurgjike me Institutet Paraklinike të QKUK-së, për t'i dhënë hapësirë, siç thuhet, për reflektim dhe realizim të detyrimeve ligjore, organeve kompetente. Greva kishte ndikuar që brenda ditës të anulohen deri në 200 operacione, ndërsa u pranuan vetëm rastet urgjente. Kërkesa e kirurgëve është rishikimi i Ligjit për Paga dhe rritja e koeficientit.

(Kosova Sot)