Zeqa: Pushteti aktual, garnitura më e urryer

  • 23 February 2019 - 13:04
Zeqa: Pushteti aktual, garnitura më e urryer

Analisti politik Florim Zeqa thotë se Kosova 20-vjetorin e çlirimit të saj është duke e pritur me paqartësi politike, me perspektivë të zymtë, pa zhvillim ekonomik, me korrupsion të lartë, me krim të organizuar, papunësi, varfëri e nëpërkëmbje nga sunduesit e rinj e të vjetër të saj.“Në Kosovën e ëndrrave tona, 20 vjet pas çlirimit, për shkak të denigrimit dhe kapjes së sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, kemi krim të organizuar në të dyja nivelet e qeverisjes.

Në Kosovën për të cilën sakrifikoi shumë popullata e saj, për të gjithë ata që nuk kanë lidhje me të fortët e pushtetit, vendi i punës mbetet akoma ‘mollë e ndaluar’, për shkak se po nuk ke një lidhje politike, me një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet e ke të pamundur punësimin në administratën publike apo institucione shtetërore.

Si pasojë e kësaj situate, edhe 20 vjet pas çlirimit mijëra të rinj enden rrugëve me diploma në xhep dhe shpresa e vetme për punësim mbetet emigrimi (i) legal drejt vendeve të BE-së. Kosova e martirizuar, 20 vjet pas çlirimit të saj, mijëra familje mezi mbijetojnë me 1 euro në ditë, përderisa familjet e pushtetarëve i gëzojnë të gjitha mrekullitë e kësaj bote.

Kjo ka bërë që pushtetarët e Kosovës dhe politikëbërja në përgjithësi janë bërë të urryer nga qytetarët e vendit. Këtë e konfirmoi edhe hulumtimi i UNDP-së, për mandatarët e tanishëm të  institucioneve të Kosovës, se si janë bërë garnitura më e urryer politike që ka pasur Kosova ndonjëherë. Si pasojë e klasës aktuale politike, edhe pse kanë kaluar dy dekada nga çlirimi, vendi ynë renditet në mesin e më të korruptuarve në rajon, sipas rangimit vjetor, që e bën organizata "Transparency International".

20 vjet pas çlirimit, Kosova është duke u përballur me një krizë të rëndë socio-ekonomike, e shkaktuar nga politika e korruptuar, e cila në vend se të punojë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, punon vetëm për trashjen e xhepave dhe stërmbushjen e kontove në ‘Parajsat Fiskale’", tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Lexo edhe këtë: Republika e oligarkëve të pasluftës shkeli betimin e luftëtarëve

(Kosova Sot)