E zbulon profesori ndërkombëtar: Ja si po shantazhohet Thaçi, ky është njeriu që e ka joshur me miliona

  • 11 March 2019 - 14:25
E zbulon profesori ndërkombëtar: Ja si po shantazhohet Thaçi, ky është njeriu që e ka joshur me miliona

David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme ka deklaruar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është mashtruar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin.

“Presidenti Thaçi është mashtruar nga Vuçiqi dhe Putini duke menduar se rregullimi i kufirit është një opsion i mundshëm. Kjo nuk është zgjidhje. Rregullimi i kufirit do ta dobësojë Kosovën dhe do të krijojë ndarje në shoqërinë kosovare”, është shprehur  eksperti amerikan i politikës së jashtme, David Phillips.

E për këtë, gazeta “Kosova Sot”, ka folur me profesorin ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se David Phillips i njeh mirë praktikat ndërkombëtare dhe që në fillim, ai ka dalë kundër çmendurisë së projektit Vuçiq-Thaçi-Rama.

“Profesori amerikan, David Philips, si ekspert dhe njohës i shkëlqyer i zhvillimeve në rajonin tonë, është shprehur që në fillim kundër çmendurisë së projektit Vuçiq-Thaçi-Rama për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve midis saj e Serbisë. Ai i njeh mirë praktikat ndërkombëtare dhe në këto praktika ndryshimi i kufijve është shndërruar në tabu, sepse të gjitha luftërat dhe konfliktet e mëdha kanë si shkak ambicien për territore. Kështu do të ndodhë përsëri në Ballkan, nëse do të ndryshohen kufijtë e Kosovës dhe territori  i saj do t'i jepet Serbisë. Përtej kësaj, unë shoh te deklarata e zotit Philips se nuk ka tashmë dilemë që shkëmbimi i territoreve, apo korrigjimi i kufijve, dmth ndryshimi I kufijve dhe ndarja e Kosovës janë projekt i Beogradit dhe Kremlinit”, thekson Bytyçi.

Lexo edhe këtë lajm: Goditje e rëndë, profesori ndërkombëtar ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, e quan kryebandit e tradhtar

Sipas tij, me këtë deklaratë provohet dhe njëherë se ky projekt nuk është në dobi të shqiptarëve, nuk prodhon paqe e stabilitet, nuk është gjithashtu as në dobi të sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, SHBA-ve dhe BE-së.

Image
Enver Bytyçi

 

“Është projekt në dobi të Serbisë dhe Rusisë. Kur prof. Philips thotë se "Vuçiq dhe Putin mund ta kenë mashtruar Thaçin", unë besoj se ai dëshiron ta relativizojë këtë aktivizim të presidentit të Kosovës në shërbim të një projekti serbo-rus për krijimin e Serbisë së Madhe. Dëshiron të thotë se "Thaçi është naiv dhe nuk e ka kuptuar se çfarë po bën". Por unë mendoj ndryshe. Thaçi e di se çfarë bën, ndryshe do të tërhiqej, duke kërkuar ndjesë. Gjithë ky reagim publik te shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk kanë bërë të mundur që Hashim Thaçi të ulet e të mendojë, nëse po gabon apo jo?! Ai vetëm këmbëngul me këmbë si "gomari në lloç" për ta realizuar idenë e Vuçiq dhe të Putin për ndarjen e Kosovës dhe faljen e pasurive të saj të çmuara Serbisë”, shprehet ai për “Kosova Sot”.

Më tej, Bytyçi thotë se Thaçi ka ngrënë çorbë të ‘prishur’ të Beogradit dhe është helmuar nga ajo,

“Kjo do të thotë se Thaçi ka ngrënë çorbë "të prishur"! Është helmuar prej Beogradit, Moskës e ndonjë aleati të tyre në Evropë. Çorba e prishur e ka trazuar keq Thaçin, ia ka verbuar sytë dhe turbulluar mendjen. Kur helmohesh nga Beogradi e Moska, pastaj nuk di se çfarë bën, nuk ndalesh në shërbimin që ua bën ose duhet t'ua bësh atyre. Veç kësaj, unë mendoj se Thaçi është gjithashtu i shantazhuar për shkak të dosjes që Beogradi e ka përgatit për të me qëllim që ta dërgojë në Hagë. Kjo dosje është publikuar që në vitin 2010, kur Dick Marty publikoi akuzën e tij kundër Hashim Thaçit. Por nuk është dërguar ende në Gjykatën Speciale. Mbahet nga prokurori special i Beogradit, me qëllim shantazhimin e presidentit të Kosovës”, nënvizon profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

Për fund, ai deklaron se e gjithë lojën me ndryshim kufijsh e ka nisur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Dhe së fundi, Thaçi është josh gjithashtu në këtë aventurë. Joshjen e ka marrë përmes Edi Ramës, sepse prurësi i parë i idesë së ndarjes së Kosovës është Edi Rama. Fillimisht loja ka nis me Ramën, pastaj është përfshirë Vuçiq e më në fund presidenti i Kosovës u takua me Medvedev e Vladimir Putin. Në të gjithë këtë aventurë të dominuar prej Hashim Thaçit nën kritikat e vazhdueshme të pjesës dërmuese të politikës shqiptare, presidenti i Kosovës është shantazhuar, është joshur, ka marrë oferta dhe premtime të shumta politike, financiare, personale e familjare, ndoshta dhe klanore. Pesëdhjetë milion euro shpenzon çdo vit Serbia për ta destabilizuar dhe rikthyer sovranitetin e saj ose për ta ndarë Kosovën. Thaçi është kollona e pestë e kësaj politike. Për pasojë besohet se ai është më i shpërblyeri në këtë lojë gjeopolitike të rrezikshme jo vetëm për shqiptarët e rajonin, por edhe për Europën”.

“Tashmë nuk është në diskutim dilema nëse Thaçi është pjesë e lojës serbo-ruse në çështjen e dialogut dhe zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi. Nuk është në diskutim as dilema, nëse Thaçi është njëkohësisht i joshur dhe i shantazhuar, por jo i gënjyer dhe jo i mashtruar! Në diskutim dhe në dilemë është politika dhe shoqëria e Kosovës, sa i përket largimit të këtij tradhtari nga skena politike, me qëllim që të ruhet sovraniteti i vendit! Sa kohë të qëndrojë kjo dilemë, aq kohë Hashim Thaçi do ta shfrytëzojë postin e tij të presidentit, jo më në shërbim të vendit të vet, por në shërbim të Serbisë dhe Rusisë!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot” profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)