"Kosova Sot" është në shërbim të qytetarëve, jo të pushtetarëve

  • 20 March 2019 - 07:57

Gazeta lidere ka qenë ferrë në sytë e okupatorit, për shkak të informimit të drejtë të popullit të rrezikuar 

Përfaqësues të jetës politike, analistë të fushave të ndryshme, personalitete nga jeta artistike, qytetarë, lexues të devotshëm të gazetës "Kosova Sot", thonë se djegia e redaksisë dhe ndalja e botimit të gazetës të kujton regjimet totalitare dhe kriminale kundër popujve, si në kohën e inkuizicionit dhe të fashizmit e nazizmit me djegien e librave, duke dashur të vrasë dijen dhe lirinë, por, sipas tyre, "Kosova Sot" dhe fjala e lirë që ajo shpërndan nuk mund të vriten nga asnjë pushtet, me asnjë luftë dhe me asnjë djegie, siç i ndodhi kësaj gazete nga regjimi milosheviqian

Image

Nait Hasani, deputet i Parlamentit nga PDK-ja

Mbyllja e gazetës "Kosova Sot" atëherë nga regjimi i Milosheviqit ka shprehur pushtetin absolut të Serbisë në Kosovë. Po fjala e lirë dhe mbrojtja e çështjes kombëtare nga shtypi në vitet e nëntëdhjeta ka qenë prioritet në mungesë të TV-ve e radiove shqipe në Kosovë dhe arsimit paralel që ndiqej nga sistemi i aparteidit serb. "Kosova Sot" si gazetë mbajti gjallë frymën liridashëse dhe denoncoi në mënyrë të haptë këtë dhunë në Kosovë kundër popullit shqiptar nga shteti serb në arenën ndërkombëtare, në çdo aspekt të jetës, si rezultat i qëndrimit parimor në mbrojtje të kërkesës për pavarësi dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së për liri dhe çlirim kombëtar nga Serbia. Kjo e ka bërë të bjerë si gazetë në sy si eksponent i rrezikshëm i regjimit të Milosheviqit dhe të shtetit serb dhe për këtë dhe masat shtetërore serbe kanë qenë më të ashprat ndaj gazetës "Kosova Sot".

Djegia e redaksisë dhe ndalja e botimit të gazetës të kujton regjimet totalitare dhe kriminale kundër popujve, si në kohën e inkuizicionit dhe të fashizmit e nazizmit me djegien e librave, duke dashur të vrasë dijen dhe lirinë...ku të njëjtën mënyrë shtypje dhe djegie ndaj gazetës dhe popullit shqiptar bëri shteti serb dhe regjimi i Milosheviqit duke shtyp çdo gjë shqiptare në Kosovë. Serbia as sot nuk ka paguar dëmet e luftës dhe djegiet dhe shkatërrimin që ka bërë në Kosovë dhe as dëmet e "Kosova Sot". Ne këtë duhet dhe ekipi negociator të ngritë çështjet e reparacioneve dhe dëmeve të luftës dhe të gazetës "Kosova Sot".

Regjimi i Vuçiqit po amnistohet nga politika ndërkombëtare, por dhe në njëfarë mënyre edhe nga politika e Kosovës, duke harruar se pikërisht ky Vuçiç ka qenë pjesë e regjimit të Milosheviqit. Serbia duhet të gjykohet për krime, deportim me dhunë dhe djegie e gjenocid në Kosovë. Pa dënimin e Serbisë dhe kërkim falja për krimet e kryera të Serbisë kundër shqiptarëve në luftën e fundit dhe për një shekull që ka bërë, paqe mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë.

Serbia si shtet duhet të gjykohet për krime e gjenocid kundër popullit shqiptar. Gazeta "Kosova Sot" shkatërrimin e djegien nga regjimi serb atëherë dhe lufta e sotme kundër fjalës së lirë dhe gazetës "Kosova Sot" tregon përkushtimin për mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe lirinë e fjalës së lirë. Fjala e lirë nuk vritet me asnjë pushtet, me asnjë luftë, me asnjë djegie, e këtë më së miri na kujton marsi i vitit 1999.

Image

Kosova Sot" luajti rolin e vet informues në kohën e errësirës mediale 

Agim Gashi, asamblist nga LDK-ja në komunën e Prishtinës

Pa dyshim se kontributi i redaksisë së mediumit "Kosova Sot" zë një vend meritor në historinë mediale të Kosovës në dekadat e fundit, e sidomos në prag të luftës së fundit në vend. "Kosova Sot" luajti rolin e vet informues në kohën e errësirës mediale dhe në kohën gjenocidiale të ushtruar nga aparati shtetëror policoro-ushtarak dhe paramilitar serb.

Ishin ato vite të okupimit klasik, vite të një dhune masive dhe shumëdimensionale. Ishin ato kohë të papara ku luftohej për jetë a vdekje, sepse aparati shtetëror serb kishte goditur çdo cep të vendit tonë duke mos kursyer asgjë, as moshën, as gjininë, asgjë që kishte të bë bënte me identitetin nacional shqiptar. Ishin goditur të gjitha fushat e jetës, ishte krijuar klimë e pasigurisë e pasigurisë fizike e mos të flasim për sigurinë e kapitalit dhe pasurisë gjithë popullore. Pra, gjithçka ishte në shënjestër të aparatit shtetëror policoro-ushtarak. Në këtë rend ishte goditur edhe shtypshkronja dhe redaksia e gazetës "Kosova Sot", sepse qëllimi ishte të shkatërrohej çdo gjë që në çfarëdo mënyre u përkiste shqiptarëve. Ishte goditur kjo pasuri për të krijuar një klimë pasigurie për shqiptarët dhe për të pamundësuar funksionimin, sidomos të mediave, të cilat në çfarëdo mënyre përpiqeshin të kontribuonin në informimin e popullit dhe të botës demokratike për aparteidin që ushtrohej në Kosovë.

Shkatërrimi i kësaj pasurie dhe bllokimi i fushës së informimit në Kosovë ishte veprimi emergjent që ndërmori aparati shtetëror serb, por kjo nuk arriti të shpërbejë qenien nacionale shqiptare, nuk arriti të shkatërrojë ndjenjën patriotike dhe vullnetin për organizim gjithë popullor në Kosovë për çlirimin e vendit përfundimisht. Kjo ndodhi dhe pastaj, pas çlirimit, vazhdoi mëkëmbja e vendit në të gjitha fushat, edhe në atë mediale. Paralelisht me kontributin që dha bota demokratike, edhe komuniteti informativ, në vend, u organizua si asnjëherë më parë dhe populli ynë u informua, çdo ditë, për ngjarjet dhe ndodhitë e përditshmërisë kosovare."Kosova Sot" luajti rol qendror, sepse u shndërrua në të përditshmen më të lexuar dhe më me ndikim në vend. Kjo po vazhdon edhe sot.

Image

Tomë Gashi, avokat 

Ngjarja shumë e hidhur e historikut të gazetës "Kosova Sot" fillon më 24 mars 1999, kur forcat okupuese serbe, për shkak të rëndësisë në informimin e drejtë të shqiptarëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve të Kosovës në veçanti, e gjithmonë në mbrojte të interesave të shqiptarëve të Kosovës, forcat okupuese serbe pas fillimit të bombardimeve të caqeve ushtarakopolicore të serbëve, si shenjë hakmarrje, e dogjën deri në themel selinë e gazetës "Kosova Sot", si dhe shtypshkronjën në të cilën ajo botohej.

E vetmja arsye që ka ndodhur ky krim i djegies së shtypshkronjës së "Kosova Sot" ka qenë se "Kosova Sot" ishte ferrë në sytë e okupatorit për shkak të informimit të drejtë të popullit të rrezikuar shqiptar. E mira është se djega e Kompanisë "Kosova Sot" nuk pati sukses që ta ndalojë vazhdimin e punës së kësaj kompanie dhe të këtij mediumi dhe "Kosova Sot" faktikisht rilindi si një feniks, me të cilin medium për shkak të informimit të drejtë krenohen të gjithë shqiptarët kudo që janë. Gazetës "Kosova Sot" i dëshirojmë edhe 100 vite të ardhshme, me misionin e shenjtë të informimit të paanshëm të shqiptarëve kudo që janë.

Image

"Kosova Sot", dritare informative mbarëkombëtare

Florim Zeqa, analist politik Në kohën kur gënjeshtra është bërë standard i jetës, thënia e së vërtetës përveçse akt i guximshëm dhe patriotik, është edhe mision i shenjtë i gazetarisë. Këtë mision më mirë se askush tjetër e ka kryer dhe po vazhdon ta kryejë çdo ditë gazeta "Kosova Sot" me plasimin e së vërtetës para qytetarëve të vendit. Politika redaktoriale në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetarëve e ka bërë gazetën "Kosova Sot" të dashur dhe preferuar për lexuesit shqiptar.

Roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot", sikurse në të kaluarën në përhapjen e së vërtetës së luftës çlirimtare nga vijat e frontit, edhe tani është shumëdimensional me bërjen publike të të gjitha të palarave të pushtetit, duke filluar nga abuzimi me buxhetin e shtetit, skandalet e njëpasnjëshme të pushtetarëve e deri te sistemi i kapur dhe i kalbur i drejtësisë. Përhapja e lajmeve nga vijat e frontit të luftës ishte një goditje shumë e fuqishme kundër regjimit të Milosheviqit. Andaj, jorastësisht, regjimi i Milosheviqit më 24 mars 1999 zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës "Kosova Sot", si të parin medium informativ për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte i madh dhe shumëdimensional.

Edhe përkundër dëmtimit enorm, pushtuesit serbë nuk arritën të ndalin rrugëtimin e gazetës "Kosova Sot". Ngritja e gazetës "Kosova Sot" nga feniksi, duke e rimarrë veten dhe tregun mediatik, ku edhe tani pas 20 viteve prin bindshëm në tregun medial, është bërë halë në sytë e pushtetarëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të cilët po tentojnë sërish t`ia mbyllin gojën duke e kërcënuar gazetën për shkak të politikës së pavarur editoriale. Informimi i shpejtë dhe në kohë reale, kontributi i jashtëzakonshëm në sensibilizimin e opinionit për nevojën e ndryshimeve politike dhe shoqërore, e ka bërë gazetën "Kosova Sot" të dashur dhe të respektuar nga popullata kosovare dhe jo vetëm, me pasqyrimin e zhvillimeve nga të gjitha trevat etnike dhe në Diasporë, "Kosova Sot" është bërë dritare informative mbarëkombëtare.

"Kosova Sot" që nga fillimi i punës së saj e deri në ditët e sotme, për asnjë çast nuk është larguar nga misioni i shenjtë i saj, i të qenit në shërbim të qytetarëve, e jo të pushtetarëve. Sikurse atëherë, edhe në ditët e sotme, "Kosova Sot" është tribunë e hapur e mendimit të lirë, e kritikës së shëndoshë dhe parimore, e informimit real dhe të drejtë të qytetarëve. 

Image

Neki Emra, këngëtar

Gazeta "Kosova Sot" ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në informim të të gjithë qytetarëve në shoubiz e në sfera të tjera.Unë mund të flas për artin dhe shoubizin.pasi i takoj këtij sektori dhe gazeta "Kosova Sot" ka qenë gazeta më e lexuar në vend dhe ka pasur gjithmonë artikuj të veçantë dhe shumë interesantë për lexuesit.Si një artist vendor, gjithmonë jam falënderues për bashkëpunimin që kemi pasur deri më sot. Ju uroj edhe shumë e shume vite të tjera të suksesshme.

Image

Jehona Shaqiri, këngëtare

Jam rritur duke e lexuar gazetën "Kosova Sot". Tash e 20 vjet ka qenë dritare e informimit për të gjithë ne dhe nuk mund të imagjinohet tregu medial sot pa një media të pavarur, siç është gazeta "Kosova Sot". 

Image

Albana Bilalli, këngëtare

Gazeta "Kosova Sot" vazhdon ta dominojë fuqishëm tregun medial në Kosovë, andaj jo më kot vazhdon të mbetet lidere e medieve në vendin tonë.

(Kosova Sot)