Zeqa: Presioni ndaj gazetës “KOSOVA SOT” vazhdon edhe pas dy dekadash

  • 23 March 2019 - 13:24
Zeqa: Presioni ndaj gazetës “KOSOVA SOT” vazhdon edhe pas dy dekadash

Analisti Florim Zeqa potencoi se vetëm dy orë nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe pushtetarët e atëhershëm cak të parë të shkatërrimit e zgjodhën gazetën "KOSOVA SOT" dhe shtypshkronjën në mbi 3000 metra katrorë, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica ose mbi 80% të librave shkollorë e tërë dokumentacioni pedagogjik shkollorë: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera shkollore në gjuhën shqipe me logon e Republikës së Kosovës. “Pra, nuk ishte e rastësishme pse regjimi i Milosheviqit dogji dhe shkatërroi mbi 5 milionë euro pajisje të gazetës "KOSOVA SOT".

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga kur në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës nga "KOSOVA SOT", as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke e udhëzuar pronarin e gazetës me aktvendim të prerë që padinë ta dërgojë në gjykatat e Serbisë në Beograd. Kjo qasje antiligjore dhe antihumane e pushtetarëve në Prishtinë ndaj bizneseve shqiptare, në këtë rast ndaj gazetës "KOSOVA SOT", paraqet fyerjen e rëndë dhe sulm psikologjik palëve të dëmtuara nga regjimi okupues i Serbisë.

Tendenca e hapur e krerëve të shtetit për t'ia falur dëmet e luftës Serbisë, përveçse papërgjegjësi institucionale, paraqet kulmin e marrëzisë dhe idiotësisë politike. Gjyqësori kosovar bashkë me pushtetin, duke refuzuar padinë e dëmeve të luftës ndaj Serbisë, janë bërë palë me krimin e Milosheviqit kundër të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve që pësuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po të mos ishte kështu, për 8 vjet dialog me Serbinë në Bruksel, pikënisje e çdo takimi do duhej të ishte dëmshpërblimi apo kërkesa për dëmet e luftës drejtuar Serbisë.

Ngjashëm siç u soll atëherë ish-pushteti kriminel serb, që para 20 viteve e ndaluan gazetën “KOSOVA SOT” pa procedurë gjyqësore dhe ia dogjën shtypshkronjën, edhe tani pushtetarët e inkriminuar për shkak të politikës së pavarur editoriale të gazetës dhe kritikave ndaj të gjitha partive, po kërcënojnë gazetën edhe përmes “sekserëve të tyre” të ish-SHIK-ut me mbyllje të gojës ose që gazeta të NDALOHET se botuari nga vetë editori”, vlerësoi Zeqa.

(Kosova Sot)