Për tre muaj, 22 të vdekur në komunikacion

  • 25 mars 2019 - 19:27
Për tre muaj, 22 të vdekur në komunikacion

Që nga fillimi i këtij viti e deri më 21 mars, 22 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut.

Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës thotë se nga fillimi i këtij viti e deri më 21 mars në 18 aksidente fatale 22 persona kanë humbur jetën e që me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje prej 37,50 %.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe kohore Policia ka evidentuar 901 aksidente me lëndime e që në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënie prej 21,86 për qind. Po ashtu edhe numri i personave të lënduar është më i vogël për 7,51%.

Po ashtu, bazuar në të dhëna zyrtare të Policisë së Kosovës, shihet se gjatë periudhës janar-dhjetor 2017, në vendin tonë kanë ndodhur 122 aksidente fatale, ku kanë mbetur të vdekur 137 persona, deri sa gjate vitit 2018 sipas Policisë në Kosovë janë evidentuar 100 aksidente fatale me 129 persona të vdekur.

Po ashtu, sipas policisë gjatë vitit 2017 në Kosovë janë evidentuar 6390 aksidente me lëndime, deri sa gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 6217 aksidente me lëndime, apo 2,7 % më pakë.

“Në vitin 2017, persona të lënduar kanë qenë 12465, deri sa gjatë vitit 2018 persona të lënduar kanë qenë 12359. Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 11183 aksidente me dëme, deri sa gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 9424 aksidente më dëme. Gjatë vitit 2017 kanë ndodhur 17 mijë e 695 aksidente, deri sa gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 15741 aksidente”, thuhet përgjigjën për media të Policisë.

Sipas Policisë, gjatë vitit 2017 për kundërvajtje në komunikacion janë shqiptuar 396924 tiketa, deri sa gjatë vitit 2018 janë shqiptuar 400095 tiketa.

Sipas tyre Policia e Kosovës nga fushëveprimi i saj si në aspektin parandalues edhe atë aktiv operacional ka punuar në vazhdimësi për një siguri më të madhe në trafikun rrugor.

“Qëllimi i këtyre angazhimeve policore ka qenë reduktimi i aksidenteve në trafik, në veçanti evitimi i aksidenteve me pasoja fatale në njerëz. Gjatë vitit raportimet për raste të humbjes së jetëve njerëzore kanë qenë shqetësuese dhe përpjekjet e Policisë së Kosovës kanë qenë të fokusuara jo vetëm në aspektin ndëshkues për kundërvajtësit që shkelin rregullat por edhe në nevojën e angazhimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të të gjithë mekanizmave tjerë institucional që kanë rol dhe ndikim në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve. Mbështetje në adresimin e kësaj çështje janë koordinuar dhe në bashkëpunim janë ndërmarr edhe masa efektive për përmirësim të gjendjes në trafik”.

Sipas tyre, policia në kuadër të përgjegjësive të saj përveç aktiviteteve tjera ka formuar edhe TASK-FORCËN për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, dhe plani veprues dhe parandalues i kësaj ”TASK FORCE” ka paraparë edhe përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

(Kosova Sot)