Pushtetarët, të dobët kundër pastrimit etnik në veri

  • 26 March 2019 - 08:14
Pushtetarët, të dobët kundër pastrimit etnik në veri

Shkodra: Serbia me dhunë po do të uzurpojë tokë të Kosovës

"Kjo ambicie e sëmurë serbe maksimalizohet edhe më tej kur politika jonë nuk arrin për të shtrirë pushtetin atje, dhe ky inferioritet institucional është shndërruar në shtim të agjendave serbe në Kosovë. Deri më tash ka munguar të jetë prezente kushtetutshmëria atje, dhe kjo qasje as nuk i ka shqetësuar bartësit e funksioneve publike, dhe mbi këto dështime ka ardhur aktiviteti i pareshtur serb", thotë për gazetën "Kosova Sot", analisti Arsim Haziri

Po vazhdon të ndërtohet "Lugina e Diellit" në Mitrovicë, projekt ky miliardësh i financuar nga Serbia në Kosovë e kjo, sipas analistëve, tregon pafuqinë e shtetit të Kosovës që ta ndalë realizimin e këtij projekti serb. Por, shtrohet pyetja me leje të kujt, politikanët kosovarë tolerojnë projektet serbe në Kosovë? Për këtë nuk jep përgjigje asnjë institucion, si Qeveria, Presidenca, Kuvendi e madje as opozita lidhur me këto projekte serbe në Kosovë. Me gjithë pyetjet e dërguara Qeverisë së Kosovës nga Redaksia, ajo nuk ka kthyer përgjigje ditën e djeshme kur me të dyja këmbët po shkelet Kushtetuta.

Image

Hertica: Ndërtojnë firmat shqiptare

Analisti Ali Hertica ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" se projekti zgjidh statusin social-ekonomik për secilën familje që do të kthehet në pjesën veriore të Mitrovicës. Lagja e quajtur 'Lugina e Diellit', ku përveç statusit banesor do ketë një anëtar të punësuar, se në këtë lagje do të jenë 137 ndërtesa e me rreth 350 njësi banesore, ndërsa përfundimi i saj pritet në vitin e ardhshëm.

"Këtë projekt madhor të quajtur nga vetë Serbia ku edhe ajo bën ndërtimin me firma shqiptare në Mitrovicë për të kthyerit serbë në Mitrovicën Veriore e vizitoi erdhe vetë lideri serb Aleksandër Vuçiq. Tani kjo tregon se politika dhe liderët politikë kosovarë nuk i kanë kapacitetet ta ndalin këtë pastrim etnik nga Serbia", është shprehur analisti Ali Hertica.

Image

Haziri: Po shkelet hapur Kushtetuta

Analisti Arsim Haziri thekon për gazetën "Kosova Sot" se pushteti në Kosovë gjithnjë ka çaluar në relacion me tendencat serbe. "Kjo ambicie e sëmurë serbe maksimalizohet edhe më tej kur politika jonë nuk arrin për të shtrirë pushtetin atje, dhe ky inferioritet institucional është shndërruar në shtim të agjendave serbe në Kosovë. Deri më tash ka munguar të jetë prezente kushtetutshmëria atje, dhe kjo qasje as nuk i ka shqetësuar bartësit e funksioneve publike, dhe mbi këto dështime ka ardhur aktiviteti i pareshtur serb.

Ndërtimi i asaj lagjeje, shtrihet në dy dimensione: 1. Agjendat gjithnjë më të shpeshta të Serbisë për të përvetësuar atë pjesë, si dhe duke e dëmtuar e duke minuar realitetin praktik të statusin tonë, shtet i pavarur e demokratik. Rrafshi tjetër ndërlidhet me ndikimin gjithnjë më të madh në strukturat paralele që i menaxhon, duke i përfshirë këtu edhe financimin e tyre që e realizon pa qenë i ndaluar nga autoritetet shtetërore", ka theksuar analisti Arsim Haziri.

Ai shton se thjesht ky është rezultat i politikës së dobët, opozitës së heshtur, si dhe dorëzim ndaj territorit që ligjërisht u takon për ta administruar. "Kjo është dëshmi së politika jonë nuk ka për qëllim mbrojtjen e të përgjithshmes, por nga metodologjia që ndjek madje edhe besueshëm që është ambicia për pushtet ka ndikuar që pala e kundërt t'i rritë kërkesat e saj", thekson analisti Arsim Haziri për gazetën "Kosova Sot" .

Image

Shkodra: Pushtetarët nuk dinë se çka po bëhet atje

"Shumë prej qytetarëve të Kosovës, pos atyre që e kanë afër këtë lokalitet, të tjerët nuk e dinë se çka është duke u bërë në atë regjion, të ashtuquajtur 'Lugina e Diellit'. Personalisht jam informuar prej një emisioni televiziv.

Nuk e kam të qartë, pse asnjë institucioneve (Kuvendi, Qeveria, Presidenca), po për këtë çështje as mjetet e informimit nuk e kanë trajtuar sa e si duhet. Këto institucione, më fund, do të duhej ta njoftojnë publikun e gjerë, pse mund të bëjë ndërtime etnike serbe në këtë vend?!

A është me leje të institucioneve të Kosovës, apo Serbia me dhunë po do të uzurpojë tokë të Kosovës", është shprehur për gazetën "Kosova Sot", analisti Shefik Shkodra. 

(Kosova Sot)