Rreziqet që sjell teknologjia e njohjes së fytyrës

  • 26 March 2019 - 15:56
Rreziqet që sjell teknologjia e njohjes së fytyrës

Ecja andej-këndej pa u identifikuar vazhdimisht nga inteligjenca artificiale, shpejt mund të bëhet çështje e së kaluarës, tërheqin vërejtjen ekspertët ligjorë. Përdorimi i softuerit të njohjes së fytyrës mund të sinjalizojë përfundimin e lirive qytetare, nëse ligji nuk ndryshon aq shpejt, sa përparimet në teknologji. 

Identiteti juaj mund të përzihet psh me atë të një krimineli

Softueri i cili është duke u provuar gjithandej në botë, së shpejti mund të përshtatet nga kompanitë dhe qeveritë, që t'ju përcjellin vazhdimisht, kudo që të shkoni. Pronarët e dyqaneve tanimë janë duke përdorur njohjen e fytyrës për t'iu rënë në gjurmë hajnave të dyqaneve dhe ata, në nivel global, shumë shpejt mund të fillojnë me ndarjen e të dhënave. Kërkimet e mëparshme kanë treguar se kjo teknologji nuk është gjithherë e saktë, meqë ka bërë identifikim të gabueshëm, si të femrave, po ashtu edhe të personave me ngjyrë më të errët. Nëse këto parashikime miratohen, atëherë kjo dmth se identiteti juaj mund të përzihet psh me atë të një krimineli, duke ua ndaluar më pas hyrjen në dyqane dhe ndërtesa të tjera.

Krahasimi i pamjeve në kohë reale

Shumë sisteme të njohjes së fytyrës tanimë janë duke u trajnuar, duke përdorë me miliona fotografi online, të ngarkuara në internet nga njerëz të rëndomtë, ku këto foto janë duke u përdorë pa pajtimin e pronarëve të tyre. Për këtë shkak, ekspertët kanë ndezur alarmin rreth përhapjes së shpejtë të kësaj teknologjie, duke tërhequr vërejtjen se ajo paraqet shkelje të privatësisë dhe duke u angazhuar për ligje të reja që luftojnë këtë problem. Një njësit i Departamentit amerikan të tregtisë ka përdorë foto të imigrantëve, fëmijëve të abuzuar dhe personave të vdekur për të trajnuar sistemet e tyre të njohjes së fytyrave. Softueri i njohjes së fytyrës punon duke krahasuar pamjet në kohë reale, me fotografitë paraprake të personit në fjalë. Secila fytyrë ka rreth 80 pika unike qendrore rreth syve, hundës, buzëve dhe gojës, të cilat dallojnë njërin nga personi tjetër. 

(Kosova Sot)