“Kosova Sot”, gazetë lidere, kritike e të gjitha devijimeve në shoqëri

  • 27 March 2019 - 08:12
“Kosova Sot”, gazetë lidere, kritike e të gjitha devijimeve në shoqëri

U ngrit si një feniks, për të mos pushuar kurrë

 Analistë të ndryshëm, përfaqësues të jetës sportive dhe qytetarë të devotshëm të gazetës “Kosova Sot”, theksojnë se ky medium ishte i vetmi që aso kohe depërtonte thellë e më thellë në të gjitha zonat e rrezikshme të luftës. Raportonte me besnikëri dhe i nxirrte në sipërfaqe të gjitha të zezat që Serbia po i bënte kundër shqiptarëve, aty ku i gjente qytetarët e pafuqishëm e duarthatë, në kushte të okupimit klasik, kur i vriste, i ekzekutonte në masë, i largonte nga vendet e tyre të lindjes e të punës, i depërtonte dhunshëm jashtë Kosovës, e çka nuk vepronte për të arritur qëllimin e spastrimit etnik

Image
Hasan Preteni

Hasan Preteni, ish-drejtor i AKK-së, luftëtar lirie dhe ish- epror i UÇK-së

Isha dëshmitar i fillimit të punës se gazetës “Kosova Sot”. Në fund të qershorit 1998, gjatë intervistimit-testimit të kandidatëve për gazetarë të gazetës “Kosova Sot” isha prezent në ndërtesën ku mbahej testimi. Ishte një garë masovike për të qenë pjesë e gazetës. Gjatë tërë periudhës së luftës, isha lexues i rregullt i gazetës. Ishte tani dëshmori i kombit, Elez Peci, vozitës i autobusit, personi që me përcillte gazetën,në baza ditore. Ishte informimi i vetëm për gjithë batalionin që e komandoja unë. Isha edhe nikoqir i gazetarit tuaj, Hysni Syla, korrespodent nga Mitrovica, kur e vizitoi njësitin tim të UÇK-së. I mbaj kujtimet më të mira për këtë derë të informimit. Sulmi ndaj objekteve nga dilte kjo gazetë ishte "i arsyeshëm"nga prizmi e të menduarit dhe veprimit të forcave të armikut. Nuk u shkatërrua rastësisht, por si në çdo veprim tjetër, shkatërrohej dhe digjej gjithçka që kishte vlerë. U dogjën materialet me rëndësi të veçantë vetëm dhe vetëm që të ndikohet në shkuarjen reale të historisë. Respekt të veçantë meriton ky medium edhe për shkak të rimarrjes së primatit të gazetës më të lexuar. U ngrit si një feniks për të mos pushuar kurrë. Përgëzoj pronarët dhe gjithë ata që kontribuuan ndër vite. Kjo gazetë nuk duhet pushuar asnjëherë. Duhet të ketë vend në historinë e re kombëtare dhe të mbetet udhërrëfyes i objektivitetit dhe realitetit kombëtar.

E dënoi Aleksandar Vuçiqi, që ishte krah i djathtë i Milosheviqit

Image
Selven Lenjani

Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale Karaqevë e Ulët- Kamenicë

Kur kanë kaluar tash 20 vjet nga ajo ditë, të kthehesh përsëri për aq vite prapa dhe të merresh me këtë temë me të vërtetë është shumë situatë prekëse, fillimisht për qytetarët si përjetime të kohës, por edhe për gazetën “Kosova Sot”, për stafin e gazetës dhe lexuesit, të cilët nga regjimi serb u privuan nga e drejta e informimit për luftën nëpërmes kësaj dritareje të rëndësishme informative të asaj kohe. Po e them kështu, sepse e mbaj mend fare mirë që “Kosova Sot” ishte mediumi i vetëm aso kohe që depërtonte thellë e më thellë në të gjitha zonat e rrezikshme të luftës, raportonte me besnikëri dhe i nxirrte në sipërfaqe të gjitha të zezat që Serbia po i bënte kundër shqiptarëve, aty ku i gjente qytetarët e pafuqishëm e duar thatë në kushte të okupimit klasik, kur i vriste, ekzekutonte në masë, i largonte nga vendet e tyre të lindjes e të punës, i depërtonte dhunshëm jashtë Kosovës, e çka nuk vepronte për të arritur qëllimin e spastrimit etnik. Pra, për të arritur kulmin e krimit kundër qytetarëve dhe përpjekjeve për krijimin e territ të plotë informativ. Më 24 mars të vitit 1999, krahas bombave të para të NATO-s mbi caqet serbe u zhvillua edhe aksioni i soldateskës serbe për djegien dhe shkatërrimin e gazetës “Kosova Sot”. U sulmua barbarisht me projekt-shkatërrimi total, që të mos ngjallet kurrë më një medium i guximshëm, sikur që ishte gazeta “Kosova Sot”, një dritare informimi përtej së cilës shikonin të gjithë qytetarët e Kosovës dhe përmes së cilës vinin informata me rëndësi të kohës edhe shumë medie ndërkombëtare. Si sot e mbaj mend kur aksionit të gjegjes dhe të shkatërrimit i pati paraprirë ndëshkimi me atë gjobën e famshme prej 300.000 markash gjermane. Mirëpo, koha punoi për Kosovën, për qytetarët e Kosovës dhe për ringjalljen edhe të “Kosova Sot”. Dihet se kush e ndoqi, kush e dënoi dhe kush u angazhua që ta shkatërrojë kështu këtë dritare informimi në kohë luftë, ishte Aleksandar Vuçiqi që ishte krah i djathtë i Milosheviqit, prandaj edhe Evropa, edhe ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë të kaluarën e tij kriminale që na ka prerë, vrarë, grirë dhe ka bërë çmos për krijimin e territ informativ, si parapërgatitje e skenarit për luftë, që nga viti 1992 e deri në vitin 1999. Rifillimi i botimit të saj dhe kthimi tek lexuesit nga ditët e para në liri vazhdoi suksesshëm deri në ditët e sotme, kur po vazhdon të prijë në tregun e medieve të shkruara si gazetë lidere, kritike e të gjithë devijimeve shoqërore, gazetë që merret me problemet e përditshme të qytetarëve dhe nuk e amniston asnjë përpjekje të zhvatjes së djersës së qytetarit nga njerëzit e politikës së korruptuar. Le të vazhdojë kështu dhe lexuesit do të jenë krah besnik i kësaj gazete”.

Ilaz Ismaili, qytetar

Unë e ka përcjell shtypin e Kosovës që nga rinia studentore, edhe në ditët e vështira të luftës, dhe tani pas lufte shtypin ditor e lexoj rregullisht. Kur regjimi serb i mbylli mediet e Kosovës, në vitet 90-ta, të vetmet medie mbetën gazetat e pavarura, që filluan ta përmbushin sadopak atë terrin informativ që po e krijonte regjimi për të mbuluar krimet mbi popullatën shqiptare. E kam lexuar dhe e çmoj lart kontributin e gazetës “Kosova Sot”, që e ka dhënë për informimin e guximshëm nën kërcënimin e okupimit serb, kërcënim të cilit dihet se nuk iu nënshtrua deri sa e pagoi me çmimin e hakmarrjes, me zjarrvënie. Nuk kam qenë në Prishtinë kur është bërë djegia e shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot” nga ushtria dhe policia serbe, kam qenë jashtë Kosovës, refugjat, por lajmi është përhapur gjithandej nga mediet tjera të huaja. Nuk mund ta them ndryshe veç se “Kosova Sot” e ndau fatin e njëjtë si gjithë qytetarët, të cilëve u pati shërbyer aso kohe me besnikërinë më të madhe për informim në kushte lufte, prandaj deshi ta zhbëjë regjimi serb. Si lexues i rregullt i shtypit ditor, rritën dhe zhvillimin e kësaj gazete e kam përcjell dhe po e përcjell vazhdimisht edhe tani pas lufte, edhe në liri, dhe kam një vlerësim të shkëlqyeshëm për kursin e pavarur që po e ndjek, për guximin që po tregon në informimin e drejtë të qytetarëve dhe trajtimin e temave më interes që kanë të bëjnë për qytetarin sidomos fokusimin që ka kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër dukurive negative në fushën e sundimit të ligjit.

Image
Safet Kamberaj

Safet Kamberaj, Ish-luftëtar i UÇK-së, punëtor arsimi

Gazetën “Kosova Sot” e kam përcjell vazhdimisht, aq sa kemi pasur mundësi, edhe në kushtet e luftës, aq sa mund ta siguronim në mënyra të ndryshme që na e sillnin bashkëluftëtarët në vijat e frontit në zonat e luftës. Që nga fillimi e deri në mburrjen e saj ka raportuar besnikërisht për zhvillimet e asaj kohe, edhe për aksionet e UÇK-së, por edhe për krimet që po bënte ushtria e Milosheviqit dhe formacionet paramilitare mbi popullatën e pambrojtur. Lirisht mund të them se regjimi serb aso kohe po përballej me një luftë me dy fronte, në njërën anë kishte UÇK-në dhe në anën tjetër mediet vendore, aq sa mund të depërtonin dhe mediet ndërkombëtare që po e zbardhnin tërë atë të vërtetë të planit kriminal serb për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, sepse nuk ishte vetëm qëllimi i luftës në vijë frontale me UÇK-në. “Kosova Sot” kishte raportimet më besnike që i merrte në terren, prandaj edhe u bë halë në sy të regjimit për çka ndodhi shkatërrimi me zjarrvënie më 24 mars. Unë për ta dokumentuar këtë që po e them, kam në arkivin tim shumë numra të gazetës “Kosova Sot”, të asaj kohe, prandaj për rikujtim të lexuesve po ju sjell vetëm disa ilustrime, ngase edhe hapësira ndoshta e pamundëson që të publikohen më shumë ilustrime nga ajo kohë. Unë e lexoj dhe kam respekt të veçantë për gazetën “Kosova Sot”, si dritare e madhe e informimit dhe e besueshme për lexuesin edhe në ditët e sotme. Prandaj, besoj se duke qenë e tillë për lexuesin vazhdon të jetë lidere në tregun e medies së shkruar.

Sportistët: Përballeni me padrejtësitë në çdo moment

Image
Genc Nuza

Genc Nuza, gjyqtar futbolli

Unë nuk e mbaj mend shumë mirë kohën e funksionimit të gazetës “Kosova Sot” gjatë kohës së luftës, po e di dhe kam dëgjuar nga njerëz pak më në moshë se gazeta “Kosova Sot” ka qenë një rezistencë në vete, duke mos e ndalur punën përkundër presionit të madh. Edhe sot është një gazetë, e cila kur e merr dhe e lexon e ka peshën e saj çdo ditë e më të madhe. Duke e kujtuar edhe sakrificën e njerëzve që kanë punuar për ta mbajtur gjallë gazetën dhe të jetë një gazetë me dinjitet në ditët e sotme, unë vetëm ju përgëzoj për punën që bëni. Duhet të jeni shembull se si i qëndroni dhe përballeni me padrejtësitë në çdo moment.

Image
Bekim Shotani

Bekim Shotani, trajner

Jemi mirënjohës për aleatët tanë në kohëra të vështira, kur populli fillojë të jetë në rrezik për ekzistim. Ka qenë momenti i fundit për shpëtimin e një popullit në Ballkan nga torturat serbe, i cili një sulm të veçantë kishte rezervuar edhe për gazetën “Kosova Sot”, duke pasur parasysh se një gazetë e fortë do të thotë një ushtri e fortë. Ajo që është e drejtë, korrekte e mbi gjitha vlerë shtetërore arrihet përmes gazetarisë, prandaj ka qenë dhe do të jetë pengesë gjithmonë në drejtim të okupatorëve. Roli i gazetës në kohërat e luftës ka qenë i barabartë me ushtarët çlirimtar që i kemi pasur në frontet e luftës, pasi gjithmonë kemi marrë informatat për gjendjen në arenën e luftës. Ajo që ka qenë motivuse për jetë në luftë dhe infuzion i madh për të gjithë kosovarët brenda dhe jashtë Kosovës gjatë luftës ka qenë gazetari, e cila na ka informuar me të dhënat në terren pasi nuk kishim mundësi informimi me mjete tjera. Unë ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe po bëni.i

Image
Genc Sermaxhaj

Genc Sermaxhaj, analist

Gazeta “Kosova Sot” është e përditshmja më e besuar në vendin tonë, e cila përgjatë gjithë këtyre viteve rrugëtim u ka shërbyer lexuesve me mjaft sinqeritet dhe korrektësi, duke e mbajtur lexuesin gjithmonë të fokusuar dhe të mirinformuar, për atë se çka po ndodh në vend. Kjo edhe ka qenë arsyeja që në atë kohë pushteti e sulmojë këtë gazetë duke e djegur, por që për fatin tonë gazeta e vazhdojë punën dhe nuk iu nënshtrua presionit, ashtu siç po bën dhe tash dhe po i del ballë çdo sfide. Besoj se “Kosova Sot” si medie e shkruar ka arritur që ta transmetojë mesazhin tek lexuesit e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, me ç'rast dhe lexuesit duhet të jenë shumë falënderues.

(Kosova Sot)