Kreditë e larta, shkatërruese për bizneset

  • 28 March 2019 - 08:32
Kreditë e larta, shkatërruese për bizneset

Krasniqi: Çfarë mund të pritet nga politikanë që e kanë detyruar popullin të ikin nga atdheu i tyre?

"Kuptohet që edhe bankat, të cilat funksionojnë në Kosovë, kanë qenë të lidhura me pushtetin dhe kanë bashkëvepruar tash e sa kohë dhe kanë qenë të mirëkoordinuara. Në këtë aspekt më së shumti kanë qenë të dëmtuar qytetarët e Kosovës dhe është atakuar mirëqenia e tyre jetësore", thotë për gazetën "Kosova Sot", analisti Driton Gashi

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë është më fitimprurësi. Këtë së paku e thonë analistët dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët shtojnë se, edhe pse ky sektor ka qëndrueshmëri dhe është më fitimprurësi, normat e interesit në kredi për ekonomi familjare dhe ndërmarrje, ndonëse kanë shënuar rënie përgjatë viteve të fundit në Kosovë, ato vazhdojnë të mbeten të larta.

Sipas tyre, ato po i dëmtojnë bizneset dhe po pamundësojnë zhvillimin e ekonomive familjare. Dikur këto norma të kredive në bankat komerciale në Kosovë kanë shkuar deri në 15 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredive, ndërkaq tani llogaritet të jenë 7 për qind. Nuk ka dyshim se një prej sfidave të zhvillimit ekonomik mbeten normat e larta të interesit, problem ky pas shumë problemeve në sundim të ligjit, monopoleve kriminale si dhe bllokimeve që bëhen qëllimshëm në institucione, po qe se bizneset nuk janë pjesë e nëntokës.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Ekonominë e shkatërruan mafio-oligarkët

"Normat e larta të interesit pamundësojnë zhvillimin ekonomik familjar, sepse ekonomia e vendit është e drejtuar, e kapur dhe e kanë shkatërruar mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Bizneset po ashtu janë në syrin vëzhgues të këtyre bandave, që e kanë kapur pushtetin, për të cilat nuk sundon dhe fare nuk respektohet ligji", është shprehur analisti Reshat Badallaj për “Kosova Sot”. "Bizneset që nuk janë në rrjetin e këtij rrjeti kriminal dhe që nuk ia lagin fytin as që kanë shanse të mbijetojnë", ka shtuar ai. Sipas tij, në vendet e zhvilluara shteti mbijeton pikërisht nga sektori financiar dhe bankar, kurse te ne është e kundërta.

Normat e interesit kanë qenë të papërballueshme

Analisti Driton Gashi thekson për gazetën "Kosova Sot" se normat e interesit në kredi janë shumë të larta për një ekonomi familjare në Kosovë, ku ka shumë të varfër e të papunë dhe të cilat mbahen kryesisht nga remitencat. "Mendoj që bankat apriori kanë qenë të përqendruara kryesisht tek këto të hyra të jashtme, pra tek remitencat dhe jo tek kontratat e punës dhe të hyrave të drejtpërdrejta në ekonominë familjare, sepse kostoja e pagesës do të ishte e palogjikshme.

Po ashtu, edhe për ndërmarrje të vogla e të mesme, normat e interesit kanë qenë të papërballueshme, ku shumë prej tyre për vite të tëra kanë punuar vetëm për normat kreditore bankare, pastaj shumë nga ato kanë falimentuar për një kohë të shkurtër", është shprehur ai. Sipas tij, kjo është e kuptueshme, që këto norma të larta kanë tejkaluar edhe vendet e rajonit dhe vendet më të zhvilluara evropiane, prandaj ulja deri në 7 për qind ka ardhur edhe si reflektim i kushteve të krijuara politike momentale.

"Kuptohet që edhe bankat, të cilat funksionojnë në Kosovë, kanë qenë të lidhura me pushtetin dhe kanë bashkëvepruar tash e sa kohë dhe kanë qenë të mirëkoordinuara. Në këtë aspekt më së shumti kanë qenë të dëmtuar qytetarët e Kosovës dhe është atakuar mirëqenia e tyre jetësore. Sot, pothuajse është e pamundur të gjesh një familje në Kosovë, e cila nuk është e futur në kredi dhe si të thuash kjo është bërë një sindromë e stimul, që në mendimin tim kjo është një gjë shumë negative dhe po shkatërron familjet në Kosovë, kur dihet që familjet janë bërthama ekonominë e një shoqërie", ka theksuar Gashi.

Image
Nëntor Shaqiri

Duhet liberalizim i mëtejmë i tregut bankar

Njohësi i çështjeve ekonomike, Nëntor Shaqiri është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se ështe tejet e rëndësishme që të kemi edhe më tej liberalizim të tregut bankar që përmes licencimit të bankave të reja të mundësohet prezenca e më shumë bankave në Kosovë dhe në këtë mënyrë bëhet e mundur që normat efektive të kamatave të jenë akoma më të ulëta se ato që aplikohen tani. "Implementimi i politikave të reja konkurruese bankare në tregun financiar të vendit konsiderohet të jetë tejet me rëndësi për rritjen ekonomike", është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

 

 

 

Analisti Faik Krasniqi ka theksuar se në vendet e Bashkimit Evropian norma më e lartë e interesit është 2 për qind. "Tek ne kjo normë shkon deri ne 15-16 për qind, edhe pse ka rënë kohëve të fundit. Ajo madje ka shkuar deri mbi 20 për qind. Me këto norma tepër të larta të interesit s'mund të presim që të kemi zhvillim ekonomik, sepse deri në përfundim të pagesës së kredisë i bie disa fish më shumë që të paguash interes sesa që ke marrë kredi.

Pushteti (pushtetarët) qëllimisht nuk e kanë rregulluar çështjen e interesit bankar, sepse e dimë fare mirë që shumë prej politikanëve janë aksionarë në këto banka, që më së paku mund t'u themi banka. Për dy dekada shteti nuk ka krijuar një banke shtetërore për dhënien e kredive bizneseve ekzistuese dhe fillestare, dhe kështu do të kishim vende pune për të gjithë dhe zhvillim të hovshëm ekonomik.

Por, çfarë mund të pritet nga politikanë që e kanë detyruar popullin të ikin nga atdheu i tyre", është shprehur analisti Faik Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)