Presidenti në përvjetorin e masakrës së Izbicës: Serbia ka kryer gjenocid, dikush po do ta harrojë këtë

  • 28 March 2019 - 13:03
Presidenti në përvjetorin e masakrës së Izbicës: Serbia ka kryer gjenocid, dikush po do ta harrojë këtë

Në 20 vjetorin e masakrës së Izbicës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera që sipas tij Kosova po i ruan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se nuk do të harrohet asnjëherë gjenocidi që ka kryer Serbia në luftën e fundit të Kosovës, krime të cilat dikush në botë po pretendon t’i harrojë

Thaçi ka thënë se në këto ditë të përvjetorit ka parë varreza masive, por, edhe lot të rilindjes e të qëndresës.

“Sot në 20 vjetorin e krimit të ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare të Serbisë kujtojmë masakrën e Izbicës ku u vranë 147 qytetarë të pafajshëm civilë, vetëm se ishin shqiptarë, kujtojmë të gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë në vitet 98-99 por edhe më herët. Në atë kohë njerëz të paarmatosur u vranë në vatrat dhe tokën e tyre gjithandej Kosovës ishin në përpjekjet e tyre për mbijetesë, për liri e çlirim. Kosova nuk do e harrojë tragjeditë e krimet që ka kryer shteti i Serbisë. Para pak ditës ishim në Krushë të Madhe e të Vogël, ku do varreza mazive por edhe lot të qëndresës por edhe lot të rilindjes”, deklaroi i pari i vendit.

Tutje, presidenti ka përmendur edhe gjenocidin ndaj kosovarëve e dëbimin e tyre nga vendi.

“Shteti i Serbisë bëri gjenocid dhe spastrim në Kosovë dëboi rreth 800 mijë qytetarë, dogji dhe plaçkiti po e ritheksoj asnjëherë nuk do të harrohen këto krime e masakra të shtetit të Serbisë të kryer në Kosovë. Sivjet Kosova shënon edhe 20 vjetorin e çlirimit kjo ditë nuk do të vinte kurrë pa luftën e drejtë të UCK-së pa sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit, pa sakrificën e 2000 dëshmorëve e mijëra martirëve, pa sakrificën e komandantit legjendar Adem Jasharit e familjes së tij e shumë bashkëluftëtarëve të tjerë”, tha ai.

Duke përmendur krimet në shumë vende të Kosovës, presidenti përmendi edhe marrëdhëniet që Kosova sipas tij ka ruajtur me SHBA-në e shtetet e BE-së, duke përmendur edhe anëtarësimin në NATO e në Bashkim Evropian.

“Por jo rastësisht Serbia kreu këto krime të theksuara dhe të shpeshta gati në çdo fshat të Drenicës, pasi që Drenica ishte lindja, zhvillimi, rritja e bastioni dhe fitorja e Kosovës. Ishte lindja e UCK-së, formësimi I saj për t’u zhvilluar anekënd Kosovës, prandaj sot ne ndajmë dhimbjen me familjen e martirëve e dëshmorëve, kujtojmë të gjithë të rënët për liri, me konsolidime shtesë që I marrim për të përmirësuar shtetin tonë, lufta e drejtë e popullit tonë u përkrah nga shtetet më të rëndësishme të botës në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Liria dhe pavarësia e Kosovës themelet I ka te sakrifica e dëshmorëve ne do t’i ruajmë dhe kultivojmë marrëdhëniet me shtetet e botës demokratike, në krye me SHBA-në, Kosova është duke ecur ngadalë por sigurt në rrugëtimin për anëtarësim në NATO edhe në BE duke ruajtur raporte të shkëlqyera me Shtetet e bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi, duke shtuar se nuk do të harrohet asnjëherë kurrë gjenocidi që ka kryer Serbia në Kosovë, pavarësisht se dikush po pretendon ta harrojë.

(Kosova Sot)