Vala tjetër e Gjykatës Speciales – të gjithë në ethe

  • 28 March 2019 - 16:56
Vala tjetër e Gjykatës Speciales – të gjithë në ethe

Edhe muaji Prill pritet të dridhet nga ftesat e Gjykatës Speciale për ushtarët ose krerët e UÇK’së. Paralajmërim për këtë ka dhënë kryetari i OVL’së së UÇK’së. Hysni Gucati. Kë do ta ftojë Specialja në Hagë? Numri i të ftuarve pritet ta kalojë 100’shin.

I fundit që u thirr nga Gjykata Speciale, është Rrahim Hashimi, biznesmen i njohur, por edhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Deri tani, kjo gjykatë i ka ftuar 43 ish-pjesëtarë të UÇK’së, disa si dëshmitarë e disa si të dyshuar, por po paralajmërohet se ky numër  do të shkojë deri në 100.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, ka deklaruar për media  se në muajin prill është koha të thirren vala e dytë nga Gjykata Speciale, si të dyshuar apo dëshmitarë.

Gucati ka thënë se nuk dihet nëse të ftuarit janë dëshmitarë apo të dyshuar sepse Gjykata Speciale nuk tregon diçka të tillë në ftesat e tyre, dhe pikërisht kjo, sipas tij, është një nga dobësitë e kësaj Gjykate.

Kë do ta ftojë Specialja në Hagë në prill?

Kryetari i OVL’së së UÇK’së, Hysni Gucati, megjithatë nuk dha emra për ftesat që mund t’iu trokasin në dyer liderëve shtetëror, por tha me ironi se për këtë çështje duhet pyetur “ata që e kanë votu Gjykatën Speciale”.

“Ende nuk e di nëse do të ketë të ftuar nga spektri politik, ndoshta duhet pyetur ata sepse ata e kanë votuar Gjykatën Speciale. E kam përsëritur edhe më parë që ata kanë bërë gabim të madh me këtë votim”, ka thënë Gucati për media 

“Numri i të ftuarve nga kjo Gjykate ka shkuar deri në 43, dhe në bazë të informatave që kemi siguruar deri tash pritet që ky numër të kaloj mbi 100” ka deklaruar Gucati.

Ai sërish ka përsëritur qëndrimin e tij kundër kësaj Gjykate, për të cilën tha se fundi i saj do të jetë i njëjtë sikurse ajo e UNMIK’ut dhe EULEX’it.

“Nuk jemi kundër drejtësisë apo gjykatave, jemi kundër njëanshmërisë se gjykatave. Për mendimin tonë, kjo është gjykatë e njëanshme dhe nuk është dashur të formohet fare në radhë të parë. Pres që fundi i kësaj gjykate të jetë i njëjtë sikurse ajo e UNMIK-ut, EULEX-it dhe e HAGËS. Unë kam besim se kjo gjykatë do të dështoj sikurse gjykatat e tjera që kanë pasur të njëjtin qëllim”, ka thënë Gucati.

“Ne ofendohemi nga Gjykata Speciale sepse është gjykatë e njëanshme. Kjo gjykatë nga ana ime cilësohet edhe si gjykatë raciste, sepse po ndjekë vetëm shqiptarët. Nëse dikush ka bërë krime, ajo është Serbia, konkretisht ushtria, policia dhe paramilitarët serb” shtoi Gucati.

Këta janë disa nga emrat që ka ftuar Gjykata Speciale deri më tani:

Rrustem Mustafa – Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën e luftës “Remi”. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, avokati i tij Arianit Koci ka bërë të ditur se kjo është ftesë për intervistim ndërsa vetë Remi ka bërë një kualifikim interesant duke thënë së është dëshmitar i dyshuar.  Pas luftës, Mustafa ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Ndërkohë Remi ka theksuar se Gjykata Speciale do të merret më shumë me krimet e pasluftës.

Sami Lushtaku – Gjatë kohës viteve 1998/99 ka komanduar luftëtarët e UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës. Ish-kryetari i Skenderajt ka qenë i dënuar edhe në Kosovë për krime lufte. Por ai ishte liruar nga akuzat me një vendim të Gjykatës Supreme që e shfajësoi atë. Edhe Lushtaku ka bërë karrierë politike pas luftës në radhët e PDK-së.

Sokol Dobruna – Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dobruna gjatë kohës kur u ftua nga Gjykata Speciale kishte thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e rregullt që i ka respektuar të gjitha normat e luftës.

Nazif Mehmeti – i njohur si “Dini”,  është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, këtë e ka konfirmuar avokati i tij Tahir Rrecaj.

Salih Lajçi – Komandanti i Brigadës 136. Lajçi është një nga të ftuarit e Gjykatës Speciale i cili është vëllai i dëshmorit Selman Lajçi,

Bashkim Ndrecaj – Ish-luftëtari i UÇK-së, një herësh asamblisti i LDK-së. Ndryshe Ndrecaj është bashkëluftëtar i Remzi Shalës, i cili po ashtu është i ftuar nga Specialja, por që është arratisur nga Kosova dhe ka refuzuar që t’i përgjigjet ftesës së kësaj gjykate.

Ismet Tara – Ish-komandant në luftën e UÇK-së është ftuar nga Gjykata Speciale në Dhjetor të vitit të kaluar. Ai është i ftuar në cilësinë e të akuzuarit dhe ka deklaruar se do të shkoi në Hagë pa avokat fare. “Do të shkoj në Hagë pa asnjë avokat. Nuk më duhet asnjë avokat vendor, apo i huaj”, kishte thënë Ismet Tara.

Agim Kuçi – është i afërt i deputetit të AAK-së, Blerim Kuçit, i cili po ashtu para pak ditësh ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale dhe daja i zëvëndësministrit të Mbrotjes, Burim Ramadanit. “Do të shkoj me vertetu dhe një here luftën e drejtë e të pastër që e ka bë UÇK”, kishte thënë Kuçi për media

Blerim Kuçi – ka marrë një fletëthirrje dhe një urdhëresë për t’u paraqitur para prokurorit të lartë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, më datë 12 mars 2019. Kuçi njihet mirë nga simpatizantët e AAK-së dhe ka një karrierë të bujshme politike në këtë parti.

Rrahim Hashimi – Ish-luftëtari i “Forcave Komando Delta” është i ftuari i fundit nga Gjykata Speciale. “Personalisht s’kam kryer ndonjë krim dhe s’kam njohuri për ndonjë krim të kryer”, është deklaruar ai. Ai ka bërë të ditur se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit për shkelje të disiplinës ushtarake apo tejkalim të autorizimeve ushtarake.

Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë ka filluar me ftesa për dëshmitarë dhe të dyshuar nga janari i këtij viti. Me datën 14 Janar, Gjykata kishte bërë ftesën e parë për Rrustem Mustafën dhe të tjerët pas tij.

Ndërkohë, pritet që rreth 60 ish pjesëtarë të tjerë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ftohen si të dyshuar për krime lufte apo dëshmitar të tyre.

(Kosova Sot)