‘Do martohemi shpejt’, si babai me dy fëmijë i ‘zhvati’ 8 mijë euro të dashurës

  • 29 mars 2019 - 11:12
‘Do martohemi shpejt’, si babai me dy fëmijë i ‘zhvati’ 8 mijë euro të dashurës

Edhe pse ishte babai i dy fëmijëve, 35-vjeçari nga Vlora kishte arritur që përmes premtimit se do të martohej me të, t’i merrte një vajze nga Fieri një shumë prej 8 mijë eurosh.

Kimet Çollaku për më shumë se një vit kishte arritur që përmes mashtrimit të zhvaste para nga e dashura e tij, me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore.

Babai i dy djemve minoren, pasi ishte njohur me një vajzë nga Fieri përmes rrjeteve sociale, i kishte premtuar asaj se shumë shpejt do të martoheshin dhe lidhja e tyre do të ishte zyrtare.

Gjatë kësaj kohe, 35-vjeçari me origjinë nga Librazhdi dhe banim në Vlorë, kishte arritur ta bindte të dashurën e tij që t’i huazonte para. Përgjatë një viti, Çollaku ka arritur t’i marrë të dashurës së tij një shumë prej 8 mijë eurosh. Duke qenë se i riu nuk po bënte asnjë hap për të mbajtur premtimin e dhënë për martesë si dhe nuk po i kthente paratë, vajza nga Fieri i është drejtuar Policisë për të bërë kallëzim për mashtrim.

Pas kësaj, Policia dhe Prokuroria nisën hetimet dhe e dërguan çështjen në Gjykatë. Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, gjë e cila çoi në arrestimin e Çollakut vetëm një ditë më parë.

“Ndalimi i K.Ç., 35 vjeç me banim në Vlorë, u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’. Ai akuzohet se për një periudhë njëvjeçare, i ka marrë një shtetaseje me anë të mashtrimit shumën prej rreth 8 mijë eurosh”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndaj të dyshuarit, hetimet janë ende në vijim për të zbuluar aktivitetin e plotë të tij. Paraprakisht po hetohen lidhjet me gruan nga Fieri për të cilën burime jozyrtare thonë se mund të ketë pasur një miqësi të lidhur vetëm dy vitet e fundit, çka nënkupton se gruaja mund të ketë ushqyer iluzione për një lidhje të gjatë mes tyre.

Por ndërsa kjo mbetet e pakonfirmuar, Policia po merr në pyetje të dëmtuarën, e cila do të çojë drejt një piste të qartë të përvetësimit të parave nga ana e të riut dhe për mënyrën se si përdoreshin paratë. Policia thekson se paratë i ishin marrë në formë borxhi, jo në formë dhurimi.

“MË PREMTOI SE DO M’I KTHENTE”

E dëmtuara ka deklaruar në Polici se Kimet Çollaku ka shkelur të gjitha afatet për të cilat premtonte se do t’ia kthente paratë e marra hua. Shumën prej 8 mijë eurosh dyshohet t’ia ketë marrë në tri këste brenda një viti. Vetëm kur nuk i ka hapur telefonin, gruaja ka dyshuar se ai nuk do t’ia kthejë paratë dhe pas kësaj ka bërë denoncim në Polici. “Ia dhashë borxh dhe më premtoi se do m’i kthente” ka thënë ajo për Policinë.

(Kosova Sot)