Preteni: Prokurorët i kanë të gjitha…përveç rezultateve

  • 30 March 2019 - 12:11
Preteni: Prokurorët i kanë të gjitha…përveç rezultateve

Analisti Hasan Preteni vlerëson se nuk ka transparencë dhe nuk ka llogaridhënie. “Në mungesën e këtyre dy elementëve atëherë ka korrupsion, ka mospunë dhe mosefikasitet. Që 20 vjet liri dhe që 11 vjet shtet asnjë prokuror, asnjë gjyqtar dhe asnjë hetues nuk është larguar nga puna për mosefikasitet ose mosarritjen e normave.

Si askund në botë, qytetari i Kosovës nuk e njeh asnjë prokuror (përveç nëse është pjesë e familjes) nuk është bërë i njohur asnjë prej tyre që kishte me u identifikuar me një rast. Ishte prokurori Blakaj ai që filloi të bëhet i njohur për publikun, por edhe ai u detyrua të largohet menjëherë pas një fillimi të mbarë. Prokurorët dhe gjyqtarët janë duke u paguar si askund në regjion, i kanë privilegjet si askund tjetër, e kanë mundësinë e punësimit të shumëfishtë.

Dhe, vetëm atë që nuk e kanë janë rezultatet”, potencoi Preteni. Sipas tij, nuk ka rast përveç në Kosovë ku një prokuror e ngrit vetëm një aktakuzë për 4 vjet.“Edhe në raportet e Prokurorisë Speciale ka aq pak aktakuza që del se ka prokuror që nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë. Edhe pse rezultati i një prokurori nuk varet nga numri i aktakuzave, por nga numri i rasteve që i fiton, e po të ishte ashtu, asnjë prokurori nuk do t’i vazhdohej kontrata. Politika ua siguroi atyre të gjitha të mirat, e ata politikës po ia kthejnë favoret me mospunë dhe me mosndëshkim. Koalicion joparimor dhe i dëmshëm për ardhmërinë e vendit”, ka vlerësuar Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)