Shtylla elektrike po ua rrezikon jetën nxënësve e kalimtarëve

  • 01 April 2019 - 18:22
Shtylla elektrike po ua rrezikon jetën nxënësve e kalimtarëve

Rreth 500 nxënësve që ndjekin mësimet në shkollën “Kongresi i Manastirit”, në Gllamnik të Podujevës, u rrezikohet jeta çdo ditë. Gjithë kjo shkaku i një shtylle elektrike të vjetruar që gjendet para kësaj shkolle, e që mbahet vetëm me një dru. Përveç nxënësve, jeta i rrezikohet edhe secilit qytetar që kalon kësaj rruge. Në Komunën e Podujevës thonë se janë të informuar për rrezikun që paraqet kjo shtyllë, derisa deklarojnë se do të intervenojnë sa më parë për zgjidhjen e këtij problemi.

Shtylla elektrike e vjetruar që gjendet në oborrin e Shkollës “Kongresi i Manastirit”, në Gllamnik të Podujevës, po rrezikon jetën e shumë nxënësve që vijojnë mësimet në këtë shkollë.

Secilit prej nxënësve që hynë apo del nga objekti i kësaj shkolle rrezikohet nga kjo shtyllë, që aktualisht mbahet vetëm me një dru.

Përveç nxënësve, jeta po u rrezikohet edhe kalimtarëve të tjerë e vozitësve që kalojnë përgjatë kësaj rruge.

Shqetësime për gjendjen e kësaj shtyllë kanë ngritur edhe në Drejtorinë e Shkollës.

Drejtori i Shkollës “Kongresi i Manastirit”, Ajet Ajeti i ka thënë se ata kanë bërë disa herë ankesë që të rregullohet shtylla, por ato nuk janë marrë parasysh.

Madje, thotë se në oborrin e shkollës që drejton kishin dashur që të vendosnin edhe trafo, por se ai nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.

Image

“Kemi ba ankesë me shkrim e me gojë, por nuk është marrë parasysh. Janë arsyetuar se është duke u rregulluar rruga. Ajo shtyllë është aty, që prej se ka fillu me u ndërtu rruga. Madje, patën dashtë me vendosë edhe trafo në oborr të shkollës, vetëm se nuk i pata lejuar”, tha ai.

Ajeti deklaron se shtylla elektrike është në gjendje të tillë që një vit. Por, thotë se askush nuk e ka ndërmarrë ndonjë veprim për ta ndërruar.

(Kosova Sot)