Hardinajt nuk i pëlqen raporti i Bankës Botërore, thotë se në Kosovë nuk ka zvogëlim të vendeve të punës

  • 02 April 2019 - 16:14
Hardinajt nuk i pëlqen raporti i Bankës Botërore, thotë se në Kosovë nuk ka zvogëlim të vendeve të punës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si të pa qenë raportin e Bankës Botërore që flet për rritjen ekonomike të Kosovës, në të cilën theksohet edhe zvogëlimi i krijimit të vendeve të punës.

Sipas Haradinajt kjo është çështje se si interpretohen shifrat dhe se nuk ka zvogëlim të vendeve  të punës, por përkundrazi shtim të tyre.

“Nuk qëndrojnë këto shifra. Si i merrni ju është tjetër. Statistikat janë ekzistuese. S’ka humbje të vendeve të punës. Ka rritje. S’është rritja që kemi qejf, por ka rritje të vendeve të punës”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, ka thënë se trendi i zvogëlimit të vendeve të punës që ka përfshirë të gjithë rajonin ka prekur edhe Kosovën.

“Krijimi vendeve të punës është zvogëluar, është ngadalësuar në krejt rajonin, por gjithashtu edhe në Kosovë, dhe më pak vende të punës janë duke u krijuar, sepse prodhimi nuk po krijon vend të reja pune. Në veçanti në Kosovë kemi nevojë për rritje ekonomike me krijim të vendeve të reja të punës. Rruga përpara është mjaft stabile, por megjithatë ka disa cenueshmëri dhe këto janë të kategorizuar në të brendshme dhe të jashtme. Në frontin e jashtëm Brexit është mjaft i vështirë dhe që po krijon vështirësi në rritjen në Eurozonë. Brexit pa një marrëveshje mund të ketë implikime jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për Evropën. Po monitorohet, sepse kjo mund të ketë ndikim në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që varet shumë në tregti”, ka thënë ai.

Mantonavelli ndër të tjera ka treguar edhe arsyet se pse Banka Botërore nuk do ta mbështesë financimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

(Kosova Sot)