Qytetarët mbijetojnë në mëshirën e fatit, në shtetin ku nuk sundon ligji, por nëntoka kriminale

  • 03 April 2019 - 07:30
Qytetarët mbijetojnë në mëshirën e fatit, në shtetin ku nuk sundon ligji, por nëntoka kriminale

Qarri: As pesimistët më të mëdhenj nuk do të mund ta kishin paramenduar se edhe 20 vjet pas luftës, mafiozët dhe kriminelët do ta katandisnin në gjendje kaq të rëndë Kosovën

“Qytetarët, të lodhur me pushtetarët milionerë, të korruptuar dhe tejinkriminuar, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur, janë duke i braktisur vatrat shekullore dhe me lot ndër sy janë duke e kërkuar shpresën sa më larg atdheut të tyre. I madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike, janë duke e menduar vetëm ikjen sa më të shpejtë nga Kosova, ndoshta edhe për të mos u kthyer kurrë më në vendlindje, për çka shumë shpejt mund të ndodhë përgjysmimi i banorëve të Kosovës, që si duket është edhe synimi, edhe qëllimi i fundit i sunduesve aktualë, mafiozëve politikë, oligarkëve ekonomikë dhe matrapazëve të të gjitha llojeve, për të realizuar më lehtë planet ogurzeza për ndarjen dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës sipas orekseve të fqinjëve tanë veriorë e jugorë, lindorë apo perëndimorë”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”

Klasa politike në pushtet vazhdon ta zhvatë dhe ta shkelë popullin e Kosovës, që ende po duron këtë regjim kriminal,thonë analistët. Ara alarmojnë se qytetarët kanë mbetur të lodhur e të izoluar, ndërsa asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, nuk mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekzistojnë, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale,të cilët ua “lagin fytin”duke i shpërblyer pandërprerë.

Analisti Ragip Guraziu thekson se kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar po i shkelin qytetarët e Kosovës me dy këmbët. “Në një shtet kur nuk sundon ligji, ku korrupsion vazhdon, ku qytetarët kanë mbetur të izoluar, ku nëntoka kriminale ka marrë frerët në duart e veta, nuk është çudi që po na ndodhin këto gjëra të shëmtuara nga kjo klasë politike”, u shpreh ai. “Kur do të ndalen këta maskarenj që dita -ditës po e shkatërrojnë shtetin dhe po i zhvatin dhe po i shkelin qytetarët e Kosovës kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar”, ka pyetur Guraziu .

Image
Ragip Guraziu

Guraziu: Sunduesit duan ta zbrazin Kosovën

“Nuk e di deri kur do t’i zhvatin dhe po i shkelin qytetarët kosovarë kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar, dhe kështu si kanë mbetur qytetarët të lodhur dhe të izoluar, të papunë, të mbijetojnë në një shtet ku nuk sundon ligji,por nëntoka kriminale, që e kanë kuptuar qytetarët se realisht asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, nuk mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekziston, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të cilët ua “lagin fytin”duke i shpërblyer pandërprerë.

Kështu të izoluar qytetarët kosovarë, sidomos të rinjtë, po e kërkojnë shpresën, i madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike, vetëm në ikjen sa më të shpejtë nga Kosova, kur edhe mund të ndodhë përgjysmimi i banorëve të Kosovës, që si duket është edhe synimi, edhe qëllimi i fundit i sunduesve dhe mafiozëve politikë, ekonomikë e matrapazë të vendit", ka vlerësuar Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj: Banda po e zhvat popullin

“Kjo bandë politike po e zhvatin popullin, sepse nuk janë të zgjedhurit e popullit,por kjo bandë politike ka dalë me anë të pazareve të nëntokës kriminale dhe assesi me votën e sovranit. Por, tashmë po shihet se shumë qytetarë të vendit i kanë hetuar dhe kanë mbetur të pashpresë.

Këto banda politike nuk janë asgjë tjetër pos rrenacakë, mashtrues, hajna dhe dallaveraxhinj që punojnë vetëm për interesa të tyre personale. Vlen të përmendet vetëm shikoni punësimet si i bënë këta të pafytyrë, punësuan vetëm anëtarët e familjeve të ngushta dhe farefisin, ndërkaq, popullin e lanë rrugëve ose të kapin strajcën dhe të largohen nga Kosova.

Ose edhe në qoftë se është punësuar dikush nga jashtë familjes së këtyre banditëve dhe kryebanditëve, është e pamundur të mos kenë dhënë para ryshfet, sepse ky rrjet mafio-oligarkësh të kanaleve të nëntokës kriminale nuk njohin asgjë pos parasë dhe hajnisë, të cilën e kanë në gjak. Kjo kastë banditësh e vagabondësh, a e dini se janë mbi ligjin, sepse nuk njohin as ligje,as Kushtetutë e as shtet.

Mafio-oligarkët më të rrezikshëm në Ballkan, që e kanë kapur pushtetin, e kanë blerë shtetin dhe veprojnë si të duan dhe askush nuk i burgos lëre atë, por këta kryebanditë as që i merr në pyetje dikush, sepse pa më të voglin dyshim të gjithë bashkë janë të lidhur në të njëjtën valle që quhet KRIM. Populli e ka kuptuar plotësisht se janë të mashtruar, prandaj shpëtimin e shpirtit të tyre dhe të familjes e shohin në ikje jashtë dhe të mos kenë punë me këtë soj rrugaçësh, hajnash e vagabondësh”, u shpreh Reshat Badallaj- Zhuriani për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri: Asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, as që mërzitet fare për popullatën

Analisti Gani Qarri thekson se kurrë dhe askush, madje as pesimistët më të mëdhenj brenda dhe jashtë vendit, nuk do të mund ta kishin paramenduar se edhe 20 vjet pas luftë, mafiozët dhe kriminelët, do ta katandisnin në gjendje kaq të rëndë Kosovën dhe në vend të dënimit e shkuarjes në burg, do të uzurpojnë majat e pushtetit dhe sundojnë shtetin e kidnapuar prej tyre.

“Askush nga ne, nuk e ka besuar se do të kalojnë kaq shumë vite me ngecje dhe stagnim të gjithanshëm, pa zhvillim e prosperitet, pa perspektivë dhe siguri për jetë dhe ardhmërinë e fëmijëve dhe të familjeve në Kosovën e çliruar me bombardimet e NATO-s, nga Serbia, dy dekada më parë.

Kasta aktuale tërësisht e inkriminuar politike, për gjithë këto vite, në shtetin despotik me varfëri ekstreme, vazhdon t’i zhvatin dhe t’i shkelin të gjitha të drejtat më elementare të qytetarëve kosovarë, duke i lënë ata të papunë, të lodhur e të izoluar dhe duke ua mohuar atyre edhe të drejtën për jetë normale dhe duke ua marrë mundësinë për mbijetesë në këtë shtet ku, prej ardhjes së tyre në pushtet, nuk sundon më ligji, por nëntoka kriminale”, u shpreh ai për “Kosova sot”.

“Gjendja e krijuar nuk është e imponuar nga jashtë, as rastësi e pikur nga qielli, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqpërdorimeve shumëvjeçare të politikanëve të shitur e të shantazhuar, të cilët tash e atëherë punojnë për interesa të shërbimeve të huaja. Pikërisht këta pushtetarë të kriminalizuar po ua pamundësojnë jetën shqiptarëve në vendin e tyre, largimi i të cilëve vetëm në katër vjetët e fundit kap shifrën e mbi 250 mijë vetave, gjë që është një katastrofë më vete, për një vend të vogël si Kosova dhe luftë speciale për zbrazjen dhe ndryshimin e demografisë së saj nga banorët autoktonë shqiptarë edhe në liri!

Me shkeljen e gjakut të mijëra dëshmorëve e heronjve të rënë, nga bandat kriminale në pushtet, qytetarët e vendit përfundimisht e kanë kuptuar se realisht asnjë parti, as në pozitë e as në opozitë, as që mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekziston më në këtë shtet, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal dhe si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale,të cilët në njërën anë ua “lagin fytin” bandave, kurse në anën tjetër dëbojnë qytetarët e Kosovës pandërprerë jashtë vendit”, ka vijuar më tej Qarri.

Sipas tij, të ballafaquar me një gjendje të tillë të parrugëdalje në të cilën, me qëllim i ka sjellë politika kriminale vendore, i madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike,shpresën e vetme për mbijetesë e shohin vetëm në ikjen sa më të shpejtë dhe sa më larg nga Kosova, duke rrezikuar që pa kaluar edhe shumë kohë të vijë deri te përgjysmimi i banorëve shqiptarë të Kosovës, që është edhe synimi dhe qëllimi kryesor dhe i fundit i sunduesve kriminelë, bashkëpunëtorëve të Serbisë e Aleksandër Vuçiqit, mafiozëve politikë, ekonomikë e matrapazë të vendit.

Image
Florim Zeqa

Shpresa dhe optimizmi i varur nga pushtetarët

Analisti Florim Zeqa thotë se shqiptarët e Kosovës para dhe gjatë luftës i ka mbajtur gjallë shpresa e optimizmi për ditë më të mira, madje pas luftës u kthyen në Kosovë nën tendat (çadrat) e ngritura në themelet e shtëpive të djegura, rindërtuan dhe ndërtuan shtëpitë e tyre dhe filluan jetën me shpresën se në shtetin e lirë e të pavarur do të bëjnë një jetë dinjitoze, por me kalimin e viteve në shtetin e pavarur iu zbehën ëndrrat nga zhgënjimi që iu erdhi nga klasa politike shqiptare.

“Si pasojë e thyerjes së shpresave për jetë në Kosovë, tani popullata e zhgënjyer po i lë shtëpitë e ndërtuara me shumë mund pas luftës e po e marrin botën në sy për një jetë më të mirë, ngase në vendin e tyre nuk u ka lënë vend as për të ëndërruar klasa e kusarëve politikë në pushtet dhe opozitë!

Pra, situata është tepër shqetësuese dhe e dhimbshme njëkohësisht, për shkak se Kosova po zbrazet si asnjëherë deri më tani,...por është kjo një zbrazje e kobshme në heshtje!”, u shpreh ai. “Klasa politike tërësisht e korruptuar dhe inkriminuar po i zhvatin dhe po i shkelin qytetarët kosovarë në baza ditore. Qytetarët të lodhur nga denigrimi social, të papunë dhe të izoluar kanë mbetur të mbijetojnë në mëshirën e fatit në një shtet ku nuk sundon ligji, por nëntoka kriminale.

Më në fund edhe qytetarët e kanë kuptuar se realisht asnjë parti dhe asnjë lider, qoftë në pozitë apo në opozitë, nuk mërzitet fare për popullatën, për varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin kurrfarë, sigurinë dhe drejtësinë që nuk ekziston, por qëllimin kryesor e kanë interesin personal si t`u shërbejnë mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, të cilët ua “lagin fytin”duke i shpërblyer pandërprerë”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

“Qytetarët, të lodhur me pushtetarët milionerë, të korruptuar dhe tejinkriminuar, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur janë duke i braktisur vatrat shekullore dhe me lot ndër sy janë duke e kërkuar shpresën sa më larg atdheut të tyre”, vlerëson më tej ai.

Sipas Zeqës, i madh e i vogël, i varfër dhe me gjendje edhe mesatare ekonomike janë duke e menduar vetëm ikjen sa më të shpejtë nga Kosova, ndoshta edhe për të mos u kthyer kurrë më në vendlindje, për çka shumë shpejt mund të ndodhë përgjysmimi i banorëve të Kosovës, që si duket është edhe synimi edhe qëllimi i fundit i sunduesve aktualë, mafiozëve politikë, oligarkëve ekonomikë dhe matrapazëve të të gjitha llojeve, për të realizuar më lehtë planet ogurzeza për ndarjen dhe zhbërjen e Republikës së Kosovës sipas orekseve të fqinjëve tanë veriorë e jugorë, lindorë apo perëndimorë.

(Kosova Sot)