Krimi e ka kalbur drejtësinë kosovare

  • 03 April 2019 - 07:55
Krimi e ka kalbur drejtësinë kosovare

Kapiti: Kosovës dhe shoqërisë kosovare kërcënimi më i madh u vjen nga politika, krimi i organizuar dhe korrupsioni politik

“Mbyllja e çështjeve me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfet, e dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarke të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë, pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet më së miri për një drejtësi me një ‘virus kancerogjen të metastazuar’, që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur dhe ‘kukull e marionetë’”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

I ashtuquajturi sistem i drejtësisë në Kosovë po vazhdon edhe më tej të amnistojë nga përballja me drejtësinë të gjithë pushtetarët e inkriminuar, krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike e nëntokën kriminale që po bashkësundojnë Kosovën e nëpërkëmbur. Sipas analistëve, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar po dështon, sepse ka mungesë të vullnetit politik.

Ata alarmojnë se drejtësia e politika po bashkëjetojnë "në një shtrat të krimit", për interesa të tyre të përbashkëta kriminale. Analistët pyesin se deri kur në Kosovë nëntoka, në të cilën bëjnë pjesë disa “vëllezër” të familjeve mafioze dhe klane kriminale do të kenë në duart e tyre shtetin e Kosovës, përfshirë sidomos sistemin e drejtësisë.

Image
Skënder Kapiti

Kapiti: Ligjin e kanë pronë të tyre vetëm të fortët e korrupsionit, të krimit dhe të hajdutërisë politike e të drejtësisë politike

Analisti Skënder Kapiti thekson për “Kosova Sot” se demokracia në Kosovë keqfunksionon ose funksionon së prapthi, përderisa demokracia në Kosovë nuk ka ndërtuar dhe nuk punon për ndërtimin e shtetit ligjor me standarde moderne shtetformuese. “Me të këqija demokratike kuptohet mashtrimi demokratik me fasadë demokratike, me mashtrime e thashethemnaja vlerash demokratike të demaskuara nga realiteti real ku ndodhet sot shteti dhe demokracia në Kosovë, ashtu sikurse edhe në Shqipëri”, u shpreh ai.

Sipas Kapitit, demokracia moderne mbijeton si alternativë sistemi vetëm nëse në atë sistem mbisundojnë dhe qeverisin ligjet demokratike, vetëm nëse ligji demokratik zbatohet barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim statusi politik, ekonomik e juridik. “Dhe, përderisa në Kosovë një gjë e tillë nuk është realisht e praktikuar në sistem, dhe përderisa ligjin e kanë pronë të tyre, një të drejtë të tyre vetëm të fortët e korrupsionit, të krimit dhe të hajdutërisë politike e të drejtësisë politike, atëherë demokracia, shteti ligjor dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit janë të destinuara për të dështuar”, ka theksuar Kapiti.

“Sot, Kosovës dhe shoqërisë kosovare kërcënimi më i madh u vjen nga politika, krimi i organizuar dhe korrupsioni politik,nepotiko-familjar dhe ai juridiko-ligjor, të cilat janë edhe arsyet dhe shkaktarët kryesorë që e mbajnë Kosovën të prapambetur demokratikisht dhe ekonomikisht si dhe larg integrimit në BE. Në këto kushte duhet të fillojë të zgjohet dhe të lëvizë shoqëria civile në Kosovë, të organizohet e të protestojë fort për ndëshkimin e kësaj klase politike, të kësaj elitë politike antipublike dhe antikombëtare si dhe të kësaj kaste drejtësie të kapur nga krimi dhe korrupsioni, në të kundërt atëherë shoqërisë i vijnë këto pasoja e vuajtje edhe për meritë të indiferentizmit apo të pajtimit të saj me këtë realitet”, potencoi ai. Sipas tij, shoqëria duhet të reagoje dhe të kërkojë me këmbëngulje VETTING-un për drejtësinë, politikën dhe për tërë sistemin. “Kjo është nevoja më e madhe jetike për shoqërinë edhe në Kosovë”, ka thënë Kapiti.

Image
Blerim Burjani

Kryeministri, kampion nepotizmi

Analisti Blerim Burjani thekson se “është e kotë reforma e vazhduar ligjore në drejtësi e problemet mbetën të palëkundura, vala e madhe e nepotizmit me punësime familjare e partiake e kanë vetëm një vrull mediatik dhe s’ka gjë, heshtet gjithçka, kështu nuk funksionon as shteti e as drejtësia, nepotizmi i legalizuar nga kryeministri i një shteti ky është skandali më i madh në botë.

Ky njeri kishte deklaruar se njerëzit e partisë së tij më së paku deri tash janë punësuar në shtet. Po të kishte thënë një kryeministër tjetër, moti ishte harruar puna e tij në cilësinë e kryeministrit, shteti me përplot skandale që kurrë nuk ndalen nga partitë politike, ky është shtet partiak, por jo i qytetarëve, për drejtësi nuk ka çka flitet se është e kapur deri në majë”.

Ndërkaq analisti Muhamet Kelmendi thekson se forcat politike e kanë kapur tërë pushtetin shtetëror dhe kanë krijuar një ekonomi private në kuptimin kriminal shumë profesionale, e cila është shumë vështirë të luftohet me sukses në vendin tonë. Por, nga pasuria e krijuar, sikundër thotë Xhavit Haliti, që çdo qytetar i Kosovës i paska nga 2-3 milionë euro pasuri, mjafton për prokurorinë për të nisur hetimet dhe për të vërtetuar burimin e pasurisë së Xhavitit dhe Xhavitave të tjerë. Pse nuk luftohet pra ky krim? Mendoj se, duke vënë prokurorinë dhe organet e tjera të hetimit nën mbikëqyrjen e politikës dhe të ekonomisë, këto organe nuk kanë mundësi të luftojnë dukuri të tilla dhe nuk mund të nxirren përgjegjësi penale.

Prokurori i shtetit të Kosovës, Z. Aleksandër Lumezi, është në përgjithësi njëri i Hashim Thaçit. Nuk kemi asnjë rast nga kjo prokurori për forcat e larta politike dhe ekonomike që të kenë dhënë përgjegjësi. Këta edhe nëse akuzohen nga prokuroria nuk nxirren prova të mjaftueshme, në mënyrë që t’i lejojë gjykatës dënimin e tyre”.

Image
Naim Kelmendi

Kelmendi: Mbyllja e çështjeve me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete

Analisti Naim Kelmendi shprehet se në mungesë të funksionimit të shtetit të se drejtës e pa sundim të ligjit është bastarduar tej mase shteti i Kosovës në një oaze të krimit e korrupsionit.“Edhe për shkak të sistemit të degraduar dhe të dështuar të drejtësisë që sheh vetëm interesin e vet, e nuk bën punën sipas ligjit e provave nëpër lëndët gjyqësore. Me një fjalë, mekanizmat e drejtësisë janë të sëmurë rëndë që nuk ka kush i kuron në këtë vend”, u shpreh ai.

“Mbyllja e çështjeve me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete, e dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarke të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë, pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet më së miri për një drejtësi me një ‘virus kancerogjen të metastazuar’ - që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur dhe ‘kukull e marionetë’”, ka potencuar Kelmendi . Sipas tij, kështu po dështon shteti i së drejtës, duke mos arritur të përmbushë as funksionet themelore të tij ndaj qytetarëve.

(Kosova Sot)