Punësimet familjare po e rrënojnë përtokë ekonominë e Kosovës

  • 04 April 2019 - 08:09
Punësimet familjare po e rrënojnë përtokë ekonominë e Kosovës

Krasniqi: Pushtetarët janë dhënë pas pasurimit të tyre dhe shkatërrimit të ekonomisë

” Në këto ditë, ajo se çfarë i ka irrituar qytetarët e Kosovës ka qenë punësimi i familjarëve të pushtetarëve, madje fare pa fije turpi. Këtë e kanë pranuar edhe në medie dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim serioz për këtë gjë. Këta njerëz, me joseriozitetin e tyre dhe qasjes ndaj shtetit, po tregojnë qartazi, se Kosova nuk është një shtet serioz, porse një shtet i kapur nga klane mafioze”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Ekonomia e Kosovës ka degraduar duke humbur 17 mijë vende pune dhe duke e rritur kështu shkallën e papunësisë. Analistët dhe ekspertët e ekonomisë thonë se derisa vazhdon vetëm punësimi i familjarëve të pushtetarëve në Kosovë dhe nuk ndalen punësimet partiake në Kosovë, vendi do të shkojë drejt shkatërrimit. Rritja e papunësisë, sipas Bankës Botërore është një alarm për Kosovën. Ndërkaq, analistët thonë se ekonomia është në duart e mafiozëve si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Image
Driton Gashi

Gashi: Nëse nuk je militant, e ke të vështirë të pranohesh në një vend pune

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se ekonomia e Kosovës ka degraduar thellë dhe për momentin është e pariparueshme, dhe përgjegjësia e gjithë kësaj mbetet tek njerëzit e papërgatitur dhe kasta e politike. “Kosovës, gjithnjë kam menduar, se i duhet një lider i mirëfilltë ekonomist, mirëpo fatkeqësisht, gjithnjë në pushtet kanë qenë njerëz të cilët nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të kesh shtet, pra, të kuptosh se çfarë do të thotë të jetosh në një shtet të pavarur.

Në këto ditë, ajo se çfarë i ka irrituar qytetarët e Kosovës, ka qenë punësimi i familjarëve të pushtetarëve, madje fare pa fije turpi këtë e kanë pranuar edhe në media, dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim serioz për këtë gjë. Këta njerëz, me joseriozitetin e tyre dhe qasjes ndaj shtetit, po tregojnë qartazi se Kosova nuk është një shtet serioz, porse një shtet i kapur nga klane mafioze. Këto fenomene ndodhin jo vetëm në nivel Kosove, por edhe në të gjitha komunat e saj, ku sa do i përgatitur të jesh intelektualisht dhe të kesh gradë shkencore, prapëseprapë, nëse nuk i përket një partie politike, pra, nuk je militant, e ke të vështirë të pranohesh në një vend pune që të takon”, theksoi analisti Gashi për gazetën.

Ai shton se po jetojmë në një kohë mjaft të keqe dhe të vështirë ku morali dhe besimi i qytetarëve ndaj institucioneve ka rënë poshtë. “Prandaj, derisa ekzistojnë këta emra politikanësh në pushtet, Kosova asnjëherë nuk meriton të quhet shtet, dhe është e vështirë që të kthehet besimit tek shtetësia e saj”, është shprehur ai.

Image

Badallaj: Populli e ka parë shpëtimin vetëm jashtë vendit

Analisti Reshat Badallaj theksoi se Kosova ka rënë në dorën e një bande qeveritare e hajnave me njerëz të paaftë që nuk kanë haber në ekonomi dhe kjo solli që papunësia të rritet, kurse këta banditë mashtruan popullin se do të punësonin nga 250 mijë deri në 500 veta. “Ndaluni dhe mendoni se çka do të thotë të humbni 17 mijë vende punë në një Kosovë të vogël dhe të varfër dhe, aq me keq që kjo bandë hajnash edhe nuk e pranojnë këtë duke menduar se populli është thes me kashtë. Në fakt, kjo bandë banditësh të kanaleve të nëntokës kriminale kanë punësuar vetëm familjarët e tyre, farefisin dhe militantët e këtij rrjeti mafioz. A nuk është qesharake që kjo bandë hajnash mundohet ta zërë të pavërtetë edhe raportin e Bankës Botërore kinse të pavërtetë!? Këta e tregojnë pafytyrësinë e tyre. Populli e ka parë shpëtimin vetëm jashtë vendit dhe ka mbetur i pashpresë”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar: “Shikoni se si e sollën shpirtin e kombit që e quaj unë EKONOMINË E VENDIT NË DEREXHE TË VDEKJES. Përse po ik populli? Shikoni se i ka hyrë frika se nuk sigurojnë as kafshatën e bukës së gojës? Për ta shpëtuar popullin dhe rininë e vendit që të mos ia mbath me sherrin e kësaj bande hajnash, për të shpëtuar buxhetin e shtetit dhe djersën e tyre, populli një orë e më përpara duhet të thotë fjalën e tij, të ngrihet në protesta gjithëpopullore që të ikë ne theqafje kjo kope banditësh që kanë rrogat me të mëdha në rajon dhe në ish-Jugosllavinë kriminale.

Krasniqi: Nga sjellja arrogante e politikanëve, Kosova po zbrazet

“Papunësia në Kosovë është shumë më e lartë sesa në statistikat e Entit të Punësimit dhe raportit të Bankës Botërore. Raporti për numrin e të papunëve, që del nga Enti i Statistikave të Kosovës, është thjesht një manipulim me opinionin. Nga ky Ent statistikat nuk përkojnë me realitetin, ku herë dalin me 30 për qind numrin e të papunëve e herë me 27 për qind të të papunëve, kurse në realitet mbi 50-60 për qind janë të papunë. Shkatërrimi i ekonomisë, punësimet familjare dhe partiake, mungesa e perspektives, sjelljet arrogante të politikanëve, kanë bërë që Kosova të zbrazet, e sidomos të rinjtë e këtij vendi që përbëjnë 80 për qind të popullatës.

Unë nuk pres që këta të reflektojnë për këtë gjendje që vetë e kanë krijuar. Ata janë dhënë pas pasurimit të tyre, shkatërrim të ekonomisë dhe shtetin duke e trajtuar si pronë të tyre private”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)