Profesori akuzon Thaçin: Klika e tij kontrollon tërë sistemin

  • 04 April 2019 - 18:46
Profesori akuzon Thaçin: Klika e tij kontrollon tërë sistemin

Skandalet e Qeverisë kosovare nuk kanë të ndalur. Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga një ministër, siç e quajnë analistët "shërbëtor" i Hashim Thaçit, ka ndarë edhe 500 mijë euro shtesë me rastin e aktivizimit të Gjykatës Speciale.

Këto para iu dhanë dy kompanive ndërkombëtare, për këshilla për Gjykatën Speciale, mirëpo sipas analistëve këto para janë dhënë për të marrë këshilla për nevojat e presidentit Thaçi për Gjykatën Speciale.

Analistët theksojnë se si nuk i mjaftuan keqpërdorimet me miliona euro të Hashim Thaçit për të blerë lobues me para të popullit për interesa të veta, por tanimë i shpenzoi përmes të deleguarit e këshilltarit të tij në Ministrinë e Drejtësisë edhe 500 mije euro shtesë, vetëm e vetëm që të këshillohet se si të shpëtojë nga Gjykata Speciale veten, e sigurisht asnjë prej bashkëluftëtarëve të tjerë si të akuzuar potencialë në këtë gjykatë.

E profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi hedhë akuza në drejtim të Thaçit.

Image
Muhamet Kelmendi

"Tashmë dihet se sistemi i drejtësisë është i kontrolluar dhe tërësisht vendos për interesa të ngushta të Hashim Thaçit. Tërë njerëzit e sistemit vijnë nga klika e z. Thaçi. Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, vjen nga grupi i 'PRONTOS', kryeprokurori Aleksandër Lumezi i takon po kësaj nomenklature. Këtu hyjnë edhe shumë struktura tjera të sistemit. Ndërsa, AKI-ja është e Shpend Maxhunit i Hashim Thaçit, e kujt jo. Që ky sistem të funksionojë në llogari të interesave të ngushta, e bëri ministër të Drejtësisë z. Abelard Tahiri, një njeri totalisht i zotit Thaçi. Kështu që nuk janë aspak të papritura vendimet për mjetet e ndara dhe për mjetet e dhëna për lobim në interes të z. Thaçi. Në fakt, mjetet për librin e z. Thaçi kryesisht vijnë nga disa burime. Së pari, vijnë nga buxheti i Presidencës, që ndahet nga Kuvendi. Së dyti, vijnë nga mjetet që kohë pas kohe ndahen në forma të ndryshme nga Ministria e Financave dhe në fund nga ministritë e ndryshme për lobime të ndryshme", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)