Shpërthejnë qytetarët: Shpendi na ka rrejtur dhe na ka mashtruar

  • 05 April 2019 - 07:54
Shpërthejnë qytetarët: Shpendi na ka rrejtur dhe na ka mashtruar

Hamiti: Shpend Ahmetin e njoh dhe e cilësoj vetëm si një kryetar të dhunshëm, që e mban një pozitë të uzurpuar

“Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu vetëm na kanë mashtruar, na kanë kripur duke rrejtur. Në këtë gjendje që është tani Prishtina, sikur të kishte mundësi të shkarkimit, ai do të duhej të shkarkohet nga ajo pozitë që nuk po e kryen si duhet, mirëpo ai e ka siguruar mirë pozitën e tij të kryetarit dhe nuk e lëshon tani, deri në fund të mandatit, sepse, sikur që e kanë mbrojtur deri më tani, do ta mbrojnë deri në fund të mandatit ata që ia kanë mundësuar të zgjidhet në atë pozitë dhe që po ia mundësojnë për të qeverisur tallava komunën e Prishtinës”, theksoi qytetari Ramadan Krasniqi për “Kosova Sot”

Duke shikuar, dëgjuar dhe lexuar raportimet nëpër media, se si kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka filluar të abuzojë me paratë dhe pasuritë e qytetarëve dhe me pasuritë e tatimpaguesve për interesat personale, qytetarët konsiderojnë se po të kishte sistem real demokratik dhe të së drejtës ai do të duhej shkarkuar urgjentisht dhe jo të lejohet që ta mbajë pozitën e kryetarit, që i ngjan hiç më pak se një kryetari të dhunshëm, por jo kryetari që ka përkrahjen e qytetarit.

Sidoqoftë, përveç adresimit të denoncimeve publike dhe kritikave që i bëhen për abuzim, keqpërdorim, qytetarët e shohin veten para aktit të kryer, pasi askush nuk po mund ta shkarkojë Shpend Ahmetin, për faktin se drejtësia nuk e ndjek, kurse pozita e tij është e palëkundur, pasi që është i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë dhe jo nga asambleja komunale. Sidoqoftë, qytetarët vlerësojnë se është tepër skandaloze dhe duhet t’i ruhet për ndëshkim në zgjedhjet e radhës, veprimi që po bën tani Ahmeti, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, duke mbajtur dy pozita, kryetar komune dhe bashkëkryesues i ekipit për bisedime. Qytetarët alarmojnë se Skandaloz është edhe fakti se Shpend Ahmeti listës së keqpërdorimeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, ia ka shtuar edhe keqpërdorimin e buxhetit të komunës së Prishtinës për të udhëtuar në Bruksel për të biseduar për ndarje të Kosovës, për çka edhe udhëtimet e tij, Ahmetit, paguhen me buxhet të Komunës.

Qytetarët e akuzojnë Ahmetin edhe për faktin se ai po i punëson nipat, gjegjësisht tezakët e tyre në ekipin negociator, dhe këtu njësoj po veprojnë dyshja Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj. Duke vepruar kështu në grup, Shpend Ahmeti po i mashtron dyfish qytetarët, të cilët për fat të keq po heshtin dhe për pasojë pushtetarët e tipit si Shpend Ahmeti &Co nuk i bëjnë hesap e as nuk i vlerësojnë për njerëz popullin e vet, e të cilit i detyrohen.

“Na kripën me rrena”

Qytetari Ramadan Krasniqi nga fshati Grashticë i Prishtinës tha për “Kosova Sot” se ai çdo ditë është në kryeqytet dhe tash në dy mandate nuk po i sheh ndryshimet e premtuara nga Shpend Ahmeti si kryetar komune, prandaj qytetarët do të jenë të ndëshkuar nga mospuna e tij edhe për këtë pjesë të mbetur të mandatit. “Pra, kur i shohim të gjitha këto veprime ne e shohim se ai interesimin për t’u angazhuar rreth kryeqytetit, rreth Prishtinës, e ka humbur krejt.

Ai tani më nuk po interesohet më as për Prishtinën dhe as për njeri tjetër të gjallë, përveç interesit të tij personal dhe rehatimit të tezakëve e të nipave të tij. Ai tani u rrok me këtë punën e Brukselit dhe po i duket që Prishtina në raport me Brukselin është problem i dorës së dytë apo të tretë. Realisht”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, Ahmeti po i bën tani gati 6 vjet në qeverisje të Prishtinës, duke i bashkuar mandatin e kaluar dhe këtë të tashmin, por nuk ka bërë asgjë për Prishtinën.

“Që plot 5 vjet na ka premtuar neve të Grashticës se do ta lëshojë autobusin e trafikut urban dhe nuk na e ka dërguar akoma. Na kanë rrejt vazhdimisht edhe Shpend Ahmeti edhe Dardan Sejdiu dhe nuk u realizua premtimi hiç. Ne kemi autobus që qarkullon, i kompanive private, që vjen deri atje vetëm 6 herë në ditë, kurse për nevojën që kemi duhet të qarkullojë së paku 12 herë. Këtë na e kanë premtuar Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu, por vetëm na kanë mashtruar, na kanë kripur duke rrejtur. Dhe, sa t’i kemi këta në krye të komunës nuk shkon përpara asgjë”, tha Ramadan Krasniqi.

Kolltuku i kryetarit, i uzurpuar

Sipas qytetarit tjetër, Faik Hamiti, pas shkëputjes nga VV-ja, Shpend Ahmeti është dashur të pranojë një lojë të re fer me vota, të kërkohen zgjedhje të reja, dhe jo ta mbajë të uzurpuar ashtu këtë pozitë të fituar me votat e një subjekti tjetër politik.“Unë mendoj që nuk i ka takuar që në fillim kryetarit të tashëm të Prishtinës, Shpend Ahmetit, që të mbajë dy pozita, edhe kryetar i Prishtinës, por edhe bashkëkryesues i ekipit për bisedime. Po e them këtë sepse ka punë shumë më të rëndësishme që duhet të zgjidhen në qeverisjen e Prishtinës sesa që ka shkuar në ekipin për bisedime.

Ai i mashtroi Prishtinën dhe VV-në, sepse derisa ishte në qeverisje me programin e VV-së patën filluar të përmirësohen disa nga të zezat, të këqijat e Prishtinës nga qeverisja e kaluar, por nga momenti kur ky u shkëput nga VV-ja mund të them lirisht që ky më nuk është duke e punuar asnjë gjë për së mbari, vetëm për së mbrapshti”, u shpreh ai.“Po kalon krejt kjo periudhë e mandatit të dytë dhe asgjë nuk po shohim të mirë. Unë mendoj që nga momenti kur u largua prej VV-së është dashur që ta matë veten dhe të japë dorëheqje, për të kërkuar edhe vetë zgjedhje të reja. Nëse do t’i fitonte ato zgjedhje, vetëm atëherë unë do të mund ta njihja për kryetar, por sot, si qytetar dhe si votues, lirisht mund të them se Shpend Ahmetin e njoh dhe e cilësoj vetëm si një kryetar të dhunshëm, që e mban një pozitë të uzurpuar.

Tani të gjitha të këqijat vetëm po i shtohen Prishtinës, madje unë nuk e di saktësisht, nuk kam informata të faktuara, por po përflitet me të madhe që krejt ajo kënga e vjetër është duke u rikthyer, madje edhe me ato lejet e ndërtimit, ndërtime edhe pa leje edhe me leje të abuzuara e të korruptuara, e çka jo tjetër që mund të shpërdorohet”, theksoi Faik Hamiti për ”Kosova sot”. Ai tha se personalisht po habitet se si edhe shumica qytetarëve kanë rënë në gjumë dhe po lejojnë një grusht të kësaj klase politike sunduese,që të bashkohen kështu dhe t’ia sjellin të gjitha këto të zeza dhe këtë humbje shprese këtij populli.”Unë besoj që nuk ka popull më të durueshëm në rruzullin tokësor sikur që jemi ne kosovarët, sepse nuk do të kishte askund popull si ne, as në Afrikë dhe as në Azi, që do të mund ta duronte këtë dhunë sikur që po e durojmë ne, sepse me të vërtetë jemi nënshtruar shumë përballë një dhune tepër të egër”, potencoi ai.

 Dy atllarë, një mullar

Sipas qytetarit tjetër, Ramiz Canolli, në këtë situatë që është Prishtina mund të thuhet se kryetari ekziston vetëm në letër, por jo edhe në funksion.“Kryetar të komunës së Prishtinës nuk ka hiç për momentin. Po e them kështu sepse edhe është pikërisht ashtu. Ai nuk e mbajti detyrën në të cilën është zgjedhur si është zgjedhur, edhe pse zgjedhje diskutabile, por doli e shkoi tjetërkund përsëri për t’u bashkuar edhe në atë ekipin për bisedime. Në dy pozita, në dy ulëse, apo në dy shkamë, thoshin të moçmit, që nuk mund të ulesh dhe nuk të takojnë.

Ose është ajo fjala tjetër, dy atllarë në një mullar nuk mund të lidhen. Shpend Ahmeti është dashur të zgjedhë, ose kryetar komune 24 orë, vetëm aty, ose të zgjedhë ta lirojë kryetarllëkun dhe të shkojë në ekipin për bisedime, e për Prishtinën të zgjidhet dikush tjetër. Unë e them se po të kishim pasur mundësi edhe ne qytetarët do ta shkarkonim, por pasi është si është e rregulluar me këto ligjet tona, nuk mund ta bëjmë këtë, prandaj tash për tash pa u ulur edhe një herë në votime ne nuk mund ta zgjedhim dhe ta shkarkojmë këtë. Ndryshe e rrugës do të ishte që ky të ikën, ta lirojë këtë pozitë dhe ne ta zgjedhim një tjetër kryetar, sepse kohë të mjaftueshme ka ende”, tha Ramiz Canolli për “Kosova Sot”.

PDK-ja e mban në pozitë Ahmetin

”Shpend Ahmeti, sikur që po mendoj unë, nuk ka të drejtë që të mbajë kështu nga dy tri pozita. Ai fillimisht nuk është dashur që ta nënçmojë pozitën e tij si kryetar komune dhe votuesit që ia kanë dhënë besimin, duke shkuar atje për t’u bërë bashkëkryesues i ekipit negociator. Aq më keq është tani, kur po abuzon atje me pozitën që e ka marrë, sepse po i punëson krejt të afërmit e tij, familjarët, nipat e tezakët, i ka futur në administratë të atij ekipi për bisedime.

Pra, këta gjithandej po qeverisin me familjarizim, ose me një lloj stili të komunizmit. Prandaj, abuzimi shkon deri aty saqë Shpend Ahmeti, sikur që po raportohet në media, po e keqpërdor edhe buxhetin e Komunës për të shkuar në ato bisedime. E rrugës do të ishte që të shkarkohet urgjentisht Shpend Ahmeti, por kjo tani nuk mund të bëhet, pasi që është PDK-ja ajo që e ka mbështetur, e ka votuar edhe për t’u zgjedhur aty kryetar komune, PDK-ja prandaj e mori andej në ekipin për bisedime dhe kështu do të jetë PDK-ja që do ta sigurojë në pozitën e kryetarit të Prishtinës, me të gjitha të këqijat, deri në fund të mandatit”, tha Halit Islami për “Kosova Sot”.

Herën tjetër, të matemi te kutia e votimit

Qytetari Nuhi Musa i tha gazetës se krejt çka është punuar deri më tani dhe po vazhdon të punohet nga qeverisja komunale e Shpend Ahmetit është vetëm shkel e shko.“Tash për tash çka po shohim nuk po shkon asgjë si duhet, krejt mbrapsht, kurrqysh dhe askush nuk po interesohet të bëjë diçka për qytetin e Prishtinës dhe as për ne qytetarët. Po shihet që këta asnjë nuk është i angazhuar seriozisht për këtë vend, prandaj unë po them kuku për ne kush ka mbetur të na udhëheq, e që jemi mashtruar me të. Vazhdimi i kësaj mënyre të qeverisjes është ndëshkim për ne qytetarët, por s’kemi çka të bëjmë, pasi as gjykata kushtetuese nuk arriti ta shkarkojë, por ia konfirmoi të drejtën, që kinse koka zgjedhur me të drejtë. Ajo çka mund të themi për herën tjetër është që të shihemi e të matemi te kutitë e votimit”, theksoi Nuhi Musa për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)