Zeqa: Shteti i Kosovës nuk mund të përparojë me këta politikanë

  • 06 April 2019 - 13:31
Zeqa: Shteti i Kosovës nuk mund të përparojë me këta politikanë

Analisti Florim Zeqa vlerëson se heshtja dhe mosreagimi i popullatës ndaj keqqeverisjes, nepotizmit, klientelizmit dhe krimit të organizuar e korrupsionit në të tri pushtetet dhe në të dyja nivelet e pushtetit është pasojë e thyerjes së të gjitha shpresave për jetë në këtë vend.

“Thyerja e shpresave kishte filluar në vitet e para të pavarësisë, ndërsa thyerja e madhe zanafillën e ka pas zgjedhjeve të vitit 2014, përkatësisht pas thyerjes së Bllokut paszgjedhor VLAN, për të arritur kulmin këto dy vitet e fundit me kapjen e tmerrshme të shtetit nga pushtetarët aktualë.

Kështu pra popullata me shpresa të thyera, në vend që të reagojë dhe të protestojë fuqishëm, paqësisht e me kërkesa sa të drejta, po aq edhe jetike, ka zgjedhur që të ikën sa më larg Kosovës, duke rritur kështu fluksin masiv të qytetarëve që duan të ikin nga skamja dhe padrejtësitë e pushtetarëve”, u shpreh ai.“Duhet bërë çmos që të ndalet ky trend i zbrazjes së Kosovës nga popullata e saj. Ndalja e këtij trendi të keq është e mundur me bashkërendimin e të gjitha forcave progresive, si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë.

Intelektualët e kalibrit të lartë dhe veprimtarët e devotshëm nuk guxojnë të bëjnë sehir karshi rrënimit të shpresave të qytetarëve dhe shkatërrimit të shtetit. Intelektualët duhet të bëhen prijës dhe krah i fuqishëm i qytetarëve për largimin e tërësishëm të kësaj klase politike në të dyja nivelet e pushtetit, në nivelin qendror dhe atë komunal”, vijoi më tej Zeqa.“Vetëm largimi i klasës politike, e cila nuk njeh ligj e as drejtësi, që nuk njeh moral e as etikë njerëzore, mund të hapë perspektivë zhvillimore dhe shpresë për jetë të popullatës në trojet e lashta stërgjyshore.

Duhet të ndodhë pikërisht kështu, për shkak se qytetarët nuk po duan t'i besojnë më asnjë partie politike, pasi që për 20 vjet kanë parë e përjetuar se sa po shkonte një pushtet i degraduar, vinte një tjetër edhe më i zi se ai paraprak! Shteti i Kosovës nuk mund të përparojë me këta politikanë dhe këto parti politike të konsumuara. Politikanët e korruptuar dhe tejinkriminuar, jo "drini e bistrica", por asnjë lloj VETTING-u nuk mund t'i pastrojë nga mëkatet e shumta”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Sipas tij, vetëm një ligj VETTING për vetëpastrim, jo vetëm në institucionet e sigurisë e ligjzbatuese të drejtësisë, por në secilën zyrë shtetërore, pra vetëm duke e pastruar shtetin në embrion nga të inkriminuarit, është e mundur të arrihet përmirësim në politikë, sistemin e drejtësisë, sigurisë, arsimit, shëndetësisë etj. Zeqa shton se Ligji i lustracionit është nevojë imediate, pasi që shteti nuk mund të ecën përpara me spiunë e bij spiunësh të instaluar në të gjitha institucionet e shtetit dhe nga të gjitha anët.

(Kosova Sot)