“Kosova Sot”, kritike e madhe e mafiozëve të të gjitha garniturave të pushtetit

  • 09 April 2019 - 08:21
“Kosova Sot”, kritike e madhe e mafiozëve të të gjitha garniturave të pushtetit

Mbetet mediumi më i pavarur, që nuk ndikohet asnjëherë nga politika ditore

Qytetarët nga e gjithë Kosova, lexues të devotshëm të gazetës “Kosova Sot”, theksojnë se kjo gazetë kishte një rol të veçantë gjatë kohës së luftës me shkrimet e saj kundër regjimit kriminal të Milosheviqit, nga i cili regjim e pësoi me djegien dhe shkatërrimin e redaksisë dhe shtypshkronjës së “Kosova Sot”, kurse kontributi i gazetës ”Kosova Sot” pas luftës është shumë i madh, në veçanti me shkrimet e saja në luftimin e fenomeneve negative në shoqëri, sidomos kundër krimit të organizuar, korrupsionit, por edhe tenderomanisë që ka zënë rrënjë në Kosovë

Adem Munishi, qytetar

Se pari dua të them se jam lexues i rregullt i gazetës “Kosova Sot” dhe e përgëzoj këtë gazetë për gjithë sakrificën dhe angazhimin në funksion të interesit kombëtar që e ka dëshmuar që në fillim të punës në kohët e vështira të luftës. Më kujtohet si lexues akti kriminal i sulmit nga regjimi serb, por në liri erdhën ditë të mira edhe për gazetën “Kosova Sot” dhe po dëshmohet edhe tani që puna e gazetarisë është sakrificë, është mund, por falë punës së palodhshme e të pakursyer të stafit të gazetarëve, në informimin e drejtë të qytetarit, po vazhdon të jetë lidere e informimit publik në Kosovë.

Nuk është rastësi as befasi që gazeta “Kosova Sot” po vazhdon të jetë gazeta më e besueshme në vend, e para që informon për ngjarjet që ndodhin në vend e rajon në funksion të informimit të drejtë, profesional e të pavarur. Si lexues i rregullt e besnik i gazetës “Kosova Sot”, ju dëshiroj punë të mbarë në përkushtimin tuaj të palodhshëm që bëni si ekip për plasimin e lajmeve të sakta, për trajtimin e temave me interes publik, në funksion të zhvillimit të vendit dhe në denoncimin pa kursim të të gjitha dukurive negative që nuk i kontribuojnë të ardhmes dhe perspektivës së këtij shteti të ri.

Ramadan Ferizi, qytetar

Për ta vlerësuar kontributin e gazetës "Kosova Sot", duhet që të jesh një lexues i rregullt i saj, ashtu si jam unë tash e gati 20 vjet, sepse gazeta “Kosova Sot" e ka luajtur një rol shumë aktiv e të madh edhe para luftës, por edhe sot. Kjo ngase gazeta”Kosova Sot” është një medium që synimin e saj primar e ka informimin objektiv dhe temat që na preokupojnë për të gjitha shtresat.

Në veçanti kjo gazetë është e afërt me qytetarin dhe rolin e tij në shoqëri. Pa dyshim se gjatë luftës ky medium ishte një dritare e informimin në vendin tonë dhe këtë e pagoi shumë shtrenjtë, sepse e informonte opinionin vendor e të huaj me të bëmat e regjimit fashist të Milosheviqit si dhe për vrasjet, krimet, masakrat dhe dëbimet e shqiptarëve që asokohe bëheshin në Kosovë nga Serbia.

Për këtë arsye gazeta fillimisht nga regjimi serb u dënua me 300 mijë marka gjermane, kurse më 24 mars 1999 u dogj edhe shtypshkronja e saj. Sepse Milosheviqi e ka ditur se ku duhet të sulmojë, ngase e sulmoi zemrën e popullin dhe kokën e popullit, pasi e dogji shtypshkronjën e gazetës "Kosova Sot", që ishte burimi kryesor i informatës se çfarë gjenocidi po ndodh nga ana e Serbisë në Kosovë.

Murat Lepaja, qytetar

Vlerësimi im është përgëzimi më i madh nga zemra për kontributin tuaj në kohën para e gjatë luftës në veçanti për informacionet që i bënit si një dritare e informimit për të bëmat e regjimit fashist të Milosheviqit dhe gjenocidin që po e bënte me dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga Kosova.

Kurse kontributi i gazetës ”Kosova Sot”, pas luftës, është shumë i madh, në veçanti me shkrimet e saja në luftimin e fenomeneve negative dhe informimin e opinionit në lidhje me ngjarjet në të gjitha periudhat. Ndaj, ju përgëzoj për punën dhe kontributin tuaj dhe ju dëshiroj suksese të mëtutjeshme në informimin e drejtë të opinionit të gjerë.

Denoncuese e zhvatjeve të pushtetarëve

Genc Gashi, qytetar nga Prishtina

Gjatë kohës së luftës, gazeta “Kosova Sot” e ka kryer me shumë sukses misionin e vet, duke qenë një dritare e madhe e informimit për opinion vendor e të huaj për gjenocidin çfarë po e bënte Serbia në Kosovë. E keqja është se punën që e ka bërë gazeta ka qenë me shumë vështirësi dhe një sakrificë, sepse gazeta e pësoi me dënimin dhe më pas edhe djegien e shtypshkronjës.

Por, e mira është se edhe pas luftës ”Kosova Sot” u këndell shumë shpejt dhe po vazhdon me aktivitetin e saj duke informuar qytetarët mbi zhvatjet e pushtetarëve që po ndodhin në Kosovë, veçanërisht në luftimin e dukurive të këqija në vend. Prandaj, ky medium vazhdon që të jetë në nivel të detyrës dhe misionit të saj gazetaresk, ngase po vazhdon që të mbetet i pavarur dhe nuk ndikohet nga politika ditore, prandaj edhe është mediumi më i shitur.

Xhafer Jashari, qytetar nga Prishtina

Pa asnjë dyshim merita më e madhe e gazetës “Kosova Sot” ishte se i tregoi Kosovës dhe botës për gjenocidin e falangave të Milosheviqit që po e bënte gjatë luftës në Kosovë. Dhe, për pasojë regjimi i Serbisë fillimisht e dënoi gazetën me 300 mijë marka me akuzë se është vënë në shërbim të terroristëve të UÇK-së, kurse më pas makineria vrastare e Serbisë e dogji shtypshkronjën e gazetës më 24 mars 1999.

Por, duhet qenë realist se roli i gazetës nuk ishte i vogël as pas luftës, duke qenë një medium në nivel të detyrës së shenjtë të informimit, ngase “Kosova Sot”, sikurse që e bëri në luftë, ajo veproi edhe në paqe, duke e treguar gjendjen reale në skenën politike e pushtuar nga mafiozët e të gjitha garniturave. Duke qenë medium i pavarur, i paanshëm dhe një medium që nuk është ndikuar nga politika ditore, e komplimentoj këtë gazetë.

Rrahman Rrahmani, qytetar nga Prishtina

Vlerësoj se gazeta "Kosova Sot", në veçanti gjatë kohës së luftës, ishte medium që luante rolin e zëdhënëses së UÇK-së, ngase janë gazetarët e këtij mediumi që nga frontet e luftës e alarmuan opinionin vendor e ndërkombëtar për gjenocidin e regjimit të Milosheviqit ndaj shqiptarëve autoktonë.

Dhe, si epilog i këtyre lajmeve, gazeta”Kosova Sot” u dënua me 300 mijë euro, kurse më 24 mars 1999 edhe e dogjën shtypshkronjën e saj. Por, ky medium edhe pas lufte e ruajti nivelin e famës dhe vazhdon të jetë në krye të detyrës, duke i qarë hallet e qytetarit dhe skamnorëve duke i prezantuar dhe duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e pushtetarëve tanë që janë shfaqur pas lufte dhe vazhdojnë të ndodhin. Prandaj, këto informata e bëjnë dhe gazetën "Kosova Sot", lider të informimit shqip në Kosovë e më gjerë. Ndaj komplimente në punën tuaj të shenjtë, sepse jeni më të mirët.

Gazetë që qan hallin e qytetarit

Gani Vokrri, qytetar nga Prishtina

"Kosova Sot" e pati rolin më aktiv e më të madh si gjatë luftës, por edhe pas përfundimit të saj. Ndaj fillimisht regjimi i Serbisë, e dënoi me 300 mijë marka, kurse më pas po ky regjim e dogji edhe shtypshkronjën e gazetës,"Kosova Sot". Serbia e bëri këtë ngase “Kosova Sot”, ishte dhe mbeti burimi kryesor i informatës se çfarë po ndodh në Kosovë, si në luftë ashtu edhe në paqe.

Derisa gjatë luftës ky medium ishte një dritare e informimit në vendin tonë dhe informonte opinionin vendor dhe të huaj për masakrat e Milosheviqit që po bëheshin në Kosovë. Kurse pasluftës "Kosova Sot” mbeti mediumi që e ka parësor informimin dhe temat që i prekin të gjitha shtresat, prandaj si medium, gazeta “Kosova Sot” është një mike e afërt me qytetarin dhe qanë hallet e tyre dhe si e tillë nga të gjitha shtresat cilësohet të jetë gazeta më e mirë.

Islam Velija, publicist

Gjatë kohës së luftës ky medium dhe gazetarët e saj ishin ushtarë të UÇK-së, sepse me punë e palodhshme e të rrezikshme ata e informuan popullin dhe opinionin ndërkombëtar mbi të bëmat e regjimit fashist të Milosheviqit. Kurse pas lufte po ky medium e ruajti nivelin e famës dhe së këndejmi e them lirshëm se gazeta”Kosova Sot” është në nivel të detyrës, duke i qarë hallet e qytetarit dhe skamnorëve, duke i prezantuar dhe duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e pushtetarëve tanë, që për fat të keq po na ndodhin. (fund)

(Kosova Sot)