Haradinaj uron Ditën e Kushtetutës

  • 09 April 2019 - 09:43
Haradinaj uron Ditën e Kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Kushtetutës në 11-vjetorin e saj. Ai ka thënë se përmes këtij akti juridik-politik, para 11 vjetëve u vulos Kosova si shteti i pavarur e sovran

Haradinaj e ka quajtur Kushtetutën kulm të një shtëpie të përbashkët të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.

“Qytetarët e Kosovës kanë shkruar kapitujt e një Kushtetute moderne, me forcën e vullnetit të shprehur lirshëm, me të cilën normojnë të drejtat dhe obligimet në barazi. Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj. Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene. 9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë dhe është ditë pushimi.

(Kosova Sot)