Kelmendi: Të gjitha partitë fajtore për inkriminimin e shtetit

  • 09 April 2019 - 12:50
Kelmendi: Të gjitha partitë fajtore për inkriminimin e shtetit

Analisti Naim Kelmendi thotë për “Kosova Sot” se faktikisht deri më sot askush nuk e mori përgjegjësinë për dështimin mbase edhe të qëllimshëm të sistemit të drejtësisë për gjithë këto vite të (mos)funksionimit të pasluftës.

“Të gjitha partitë e gjertanishme në pushtet, pa dallim nga njëra-tjetra, e kanë keqdrejtuar dikasterin e stërkequr të drejtësisë. Vetëm një proces i Vetting-ut do ta trondiste në themel sistemin e drejtësisë dhe kjo është e pashmangshme.

Shumica e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të mund të arsyetonin pasuritë e tyre milionëshe që i kanë krijuar përmes procesit të korruptimit permanent e të pandashëm ndër shumë vite”, u shpreh ai. “Njëherësh kështu shpresa e qytetarëve do të mund të kthehej tek drejtësia e re, vetëm kur të pastrohet gjyqësori e prokuroria dhe institucionet tjera të shtetit, pa dallim...

Sikur të vepronte ligji përmes institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokuroria Speciale dhe gjyqësia kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri më sot në Kosovën e pasluftës nuk do të ishim në ketë stad ku jemi, me degradimin e drejtësisë dhe pafuqishmërinë e saj për t’i luftuar këto fenomene të së keqes që po e sundojnë shoqërinë tonë që nga paslufta e këndej, sikur janë kartelat e trafiqeve të tenderëve, droga, korrupsioni, krimi etj., kështu që në mungesë të një sistemi të mirëfilltë e profesional të drejtësisë, njerëzit e nëntokës kriminale në të gjitha format e krimit të organizuar po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën kaq gjatë”, vijoi më tej Kelmendi.

“Kjo gjendje degraduese kërkon që të iniciohet sa më shpejt në Kuvend Ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe jo vetëm... Ndërkohë duhet të nisë reformimi i sistemit të drejtësisë me diferencimin e vetëpastrimin e KGJK-së dhe të KPK-së, që janë dy miniqeveri e drejtësisë... Një KGJK e pavarur dhe e pandikuar nga politika, me figura gjyqtarësh të paanshëm, të papërfolur për korrupsion e krim të organizuar, me etikë e integritet profesional, do të mbronte dhe kontrollonte gjyqtarët njëkohësisht në punën e tyre se sa po e zbatojnë ligjin dhe çfarë përformance kanë në punën e tyre”, ka theksuar ai.

Sipas Kelmendit, numri i procedimeve disiplinore me ketë KGJK aktuale e të degraduar fare, të korruptuar e të lidhur me krimin, është tejet i ulët ose ndoshta edhe zero, pothuajse i papërfillshëm, nuk ka vlerësim real për punën e gjyqtarëve tani për tani të "paprekur" nga ligji dhe nga askush.

“Mbase sikur po tregohet e pafuqishme edhe Prokuroria Speciale për t’i sjellë para drejtësisë mafiozët e mafio-oligarkisë si dhe ata të mafio-politikës, e që fatkeqësisht po e sundojnë Kosovën, por që janë bërë shqetësim serioz jo vetëm për shoqërinë tonë, por thuaja se ka marrë peshën e vet edhe si shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare, e që po kërkon vazhdimisht që të ketë luftë më efikase nga drejtësia kosovare dhe të burgosen bosët e krimit në Kosovë, por sikur po duket drejtësia kosovare ende i ka veshët e shurdhër në ketë drejtim dhe nuk po vepron ende”, theksoi Naim Kelmendi për “Kosova Sot” .

(Kosova Sot)