A do të ndodhë këtë javë një Brexit pa marrëveshje

  • 09 April 2019 - 16:12
A do të ndodhë këtë javë një Brexit pa marrëveshje

Këtë të premte, Britania ballafaqohet me perspektivën teorike të një Brexiti pa marrëveshje, por janë të paktë ata në "Westminster" që besojnë se kjo do të lejohet të ndodhë. Përkundër ngecjes së bisedimeve partiake me laburistët, Theresa May duket e përqendruar për një shtyrje të re të Brexitit. Ajo do të takohet me liderët e BE-së në Bruksel për ta formalizuar kërkesën e saj për një zgjatje të dytë të Nenit 50. Britania dëshiron që ta shtyjë atë deri më 30 qershor. Por, kryeministrja e di se do t'i duhet të marrë çka t'i jepet, meqë do të përjashtohet nga samiti, derisa liderët e 27 vendeve anëtare të merren vesh për një rrugë përpara. Një debat gjashtë orësh në samitin e kaluar ofroi një shtyrje shumë më të shkurtër, prej dy javësh, por kësaj here shumica presin që BE-ja ta shtyjë procesin e Brexitit për një vit, a më shumë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërcënuar vënien e vetos ndaj çdo shtyrjeje për t'i dhënë fund këtij qorrsokaku. Deri më tani, kjo do të jetë rruga që ka më së shumti të ngjarë të ndodhë këtë të premte, me një Brexit pa marrëveshje. May do të jetë e detyruar që të pajtohet me një shtyrje pa marrë parasysh pasojat në vend, të cilat do të jenë eksploduese në krahun pro Brexit të partisë së tyre. Deputetët do të jenë të detyruar që të vulosin një ndryshim të datës së Brexitit, por sikur që u pa dy javë më parë, ata nuk kanë fuqi aktuale që ta ndalin kryeministren që të pajtohet me ndryshimet në Bruksel. Para se të fillojë samiti, laburistët dhe konservatorët pritet që të rinisin bisedimet, për të parë a është e mundur arritja e një konsensusi rreth marrëveshjes përfundimtare tregtare midis BE-së dhe Britanisë së Madhe. 

Çka ka kërkuar May?

Në një letër drejtuar Donald Tuskut, ajo formalisht ka kërkuar një zgjatje të Nenit 50, i cili do ta shtynte daljen e Britanisë përtej 12 prillit, deri më 30 qershor, por ajo po ashtu dëshiron një 'klauzolë përfundimtare'. Kjo do t'ia mundësonte Britanisë që të dilte më 22 maj, një ditë para zgjedhjeve evropiane, nëse mund të miratohet një marrëveshje në Parlamentin britanik. 

Çka ka thënë BE-ja?

Tusk ka deklaruar se një zgjatje tjetër 12 muajshe deri më 29 mars të vitit 2020 'është rruga e vetme e arsyeshme për të dalë" nga kjo krizë dhe ka apeluar te liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së për ta mbështetur atë në një samit të së mërkurës. Një zgjatje e tillë ka të ngjarë që të shkaktojë zemërim në mesin e deputetëve konservatorë, mbështetës të Brexitit, me Jacob Rees-Mogg që sugjeron se, nëse mbahemi brenda, atëherë duhet të jemi sherrxhinj për pjesën tjetër të BE-së. Edhe kryeministrja May më parë ka thënë se nuk mund ta pranojë një shtyrje të tillë, duke bërë me dije se ajo, në një rast të tillë, do të ishte e detyruar që të jepte dorëheqje.

Ç'po ndodh në bisedimet ndërpartiake?

Kryeministrja ka thënë se marrëveshja e shkurorëzimit nuk mund të ndryshohet, por javën e kaluar deklaroi se do ta kërkojë një konsensus të ri me Jeremy Corbynin në lidhje me deklaratën politike rreth marrëveshjes finale BE - Britani. Nëse këto bisedime dështojnë, May ka premtuar se parlamentit do t'i ofrojë opsione. 

Çka nëse Corbyn thotë jo?

Kryeministrja May ka deklaruar se, nëse nuk do të mund ta arrijë një marrëveshje me Corbynin, ajo mund të kërkojë nga parlamenti që të dalë me opsione. Në një raund të dytë të votave indikative javën e kaluar, në rend dite ishte një union doganor, një Brexit i lehtë i stilit të Norvegjisë dhe një referendum i dytë, por asnjëri prej tyre nuk mori shumicën e deputetëve. Ato me gjasë do të miratoheshin, po të insistonin konservatorët, por kjo do të nënkuptonte thuajse menjëherë dalje të disa ministrave nga qeveria.

Kur do të ndodhë Brexiti?

Është vështirë të thuhet, por nuk ka të ngjarë që të ndodhë javën tjetër, më 12 prill. Ka liderë të BE-së, sikur që është Emmanuel Macron, që kanë luajtur rolin e policit të keq dhe kanë thënë se na duan jashtë BE-së sa më parë që të jetë e mundur. Por, të tjerët, duke përfshirë Angela Merkelin, kanë pasur një qëndrim më pajtues, duke sugjeruar të dielën se janë të gatshëm të manifestojnë një fleksibilitet më të madh. 

(Kosova Sot)