Paralajmërimi: Kosova në gjendje shumë të rëndë, ja kush duhet të dorëhiqet

  • 10 April 2019 - 15:58
Paralajmërimi: Kosova në gjendje shumë të rëndë, ja kush duhet të dorëhiqet

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar rëndë Ministrin e Jashtëm të Kosovës, njëherit edhe zëvendëskryeministër, Behgjet Pacollin, për të cilin thotë se ka dështuar duke korruptuar deri në eshtra.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi një op-ed se pse Kosova duhet të integrohet në BE dhe se si kosovarët janë të rinj dhe të shkathët. Është shumë e vërtetë që ju keni popullatën më të re në Evropë. Por unë kam një pyetje për ju Z. Pacolli, çfarë keni bërë ju për vendin tuaj gjatë dy dekadave të kaluara që keni qenë në pushtet? Ju keni ndërtuar hotele dhe keni fituar tendera publike, ndërsa sot 20 vjet pas luftës, qindra mijëra po largohen nga Kosova, sepse ju dhe udhëheqësit e tjerë dështuat, korruptuat deri në eshtra!”, ka shkruar Alon Ben-Meir, përcjellë “Kosova Sot”.

E lidhur me këtë, analisti politik, Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot” thotë se Kosova është në gjendje shumë të rëndë.

Image
Faik Krasniqi

“Të gjitha Qeveritë e deritanishme kanë dështuar. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi shkatërruan shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Mjafton ta shikojmë ikjen legale kohëve të fundit që ta kuptojmë se në çfarë gjendje jemi. Shqetësimi më i madh është ndjenja e 99 përqind të njerëzve për të ikur, kurse 60 përqind e popullatës në mundësinë e parë”, ka thënë Krasniqi për “Kosova Sot”.

Më tej, ai thotë se duhet të bie gjithë klasa politike në Kosovë.

“Kjo për shkak të kësaj klase politike mafioze në pushtet, që me pisllëqet dhe hajnitë e tyre vranë ëndrrat e çdo qytetari të Kosovës. Kurse në anën tjetër del një demagog si Kadri Veseli dhe tregon përralla, se forcimi i shtetit nuk behet duke ikur. Hajnat na flasin për forcim të shtetit, ata që na shkatërruan jetën. Nuk mjafton vetëm shkarkimi i Pacollit për të ndryshuar gjendja, por duhet te bie shumica e politikanëve!”, ka përfunduar për “Kosova Sot”, analisti politik, Faik Krasniqi.

(Kosova Sot)