Grabitja e Rinasit në video 3D: 300 sekonda për t’i marrë 10 milionë euro

  • 11 April 2019 - 10:55
Grabitja e Rinasit në video 3D: 300 sekonda për t’i marrë 10 milionë euro

Ka ndodhur gjithçka në 300 sekonda. Furgoni Volkswagen me ngjyre të bardhë me logon e Hetimit Tatimor ka mbërritur në derën e jashtme të aeroportit, pranë parkingut të imbarkimit, në orën 15:03 minuta. Njëri nga 4 grabitësit zbret nga makina dhe i vë zinxhirin një blloku betoni, përpara portës metalike. Furgoni e tërheq për të hapur rrugën dhe për të hyrë në pistë i duhen më pak se 60 sekonda. Në orën 15:04 gjendet në pjesë e pasme të avionit të linjës Tiranë-Vjenë.

Të katër grabitësit zbresin në pistë. U drejtojnë kallashnikovët punonjësve të kompanisë së sigurisë fizike “Nazeri 2000” dhe atyre të aeroportit dhe nisin të marrin thasët me euro që po ngarkoheshin. I ngarkojnë për afro 1 minutë thasët me afro 10 milionë euro, një shifër kjo që mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.

Përshkojnë gjithë pistën me furgon për të arritur tek porta e daljes që shërben për makinat e emergjencës. Është ora 15:08 dhe pamja e fundit që kanë mbi ngjarjen kamerat e sigurisë së aeroportit.

Sapo futen në rrugën që të çon drejt Kamzës, një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, i stacionuar në pjesën ballore të aeroportit nis ndjekjen e tyre deri në urën e lumit që ndan Rinasin me Kamzën.

(Kosova Sot)