Deklarata e vëllait të Admir Muratajt: E hodhën në rrugë, do t’i gjejmë se kush janë shokët e tij dhe...

  • 11 April 2019 - 14:28
Deklarata e vëllait të Admir Muratajt: E hodhën në rrugë, do t’i gjejmë se kush janë shokët e tij dhe...

Vëllai i Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë dy ditë më parë pas grabitjes në Rinas, shprehet me dyshime për atë që ka ndodhur, ndërsa thotë se i vëllai ishte vegël dhe është përdorur.

Gjatë një prononcimi për mediat, para Institutit të Mjekësisë Ligjore, vetëm pak momente pasi kishte mësuar se personi që u vra ishte vëllai i tij, Cen Murataj tregon se kishte dy vjet që s’e kishte takuar dhe as kontaktuar me Admirin.

Ndërsa i pyetur nëse ai mund të jetë tradhtuar nga shokët, Cen Murataj shprehet se mund të jetë diçka e tillë, pasi, sipas tij, organizatori, siç e konsiderojnë Admir Muratajn, nuk mund të vritet.

Në një kohë që ai mbeti i vrarë dhe gjithë të tjerët ikën. Ai thotë se nuk i njeh se kush janë shokët e vëllait të tij apo personat me të cilët shoqërohej, por pas kësaj që ndodhi thotë se do t’i kërkojë dhe do t’i gjejë. Madje, Cen Murataj thotë se në rast se nuk i gjen Policia, do i gjejnë vetë me mënyrat e tyre.

Identifikimi i personit që mbeti i vrarë të martën është bërë nga bashkëshortja e tij. Rezulton të jetë vëllai juaj, Admir Murataj…

Po, është e vërtetë.

Keni ndonjë koment për atë që ka ndodhur?

Asgjë. Na vjen keq për të gjithë. Nuk kemi çfarë të themi tjetër.

Kur e keni takuar për herë të fundit vëllain tuaj?

Ka shumë vite. Gati dy vjet.

Ju keni edhe një vëlla tjetër të dënuar për grabitje. Po Admir Murataj ishte i dënuar?

Mish për top. Admir Murataj dhe vëllai tjetër. Janë të përdorur. Vegla. Besoj se janë vegla.

Vegla nga kush?

Do t’ia gjejmë fillin më vonë. Do vijë momenti që do e gjejmë se si mund të jetë. Organizator Admir Murataj? Admir Murataj ngeli i vdekur vetë. Ndërsa të tjerët ikën. Ai ngelet në mes të rrugës së madhe, i vrarë. Do shohim.

Admiri kërkohej edhe nga autoritetet greke për arratisjen nga burgu…

Kishte vite, është e vërtetë.

Për çfarë ishte i dënuar në Greqi?

Nuk e di. Nuk ka qenë i dënuar. Ka qenë i hetuar.

Kur keni komunikuar për herë të fundit me të?

Dy vjet ka.

Ishte në kërkim ndërkohë…

Po, po. Ishte në kërkim.

Keni ndonjë dyshim apo informacion se nga kush mund të jetë përdorur, meqë thoni se është përdorur?

Do ta gjejmë. Po nuk e gjeti Policia, do e gjejmë me mënyrat tona.

Policia ka ushtruar kontrolle në banesat tuaja?

Edhe në punë, edhe në shtëpi, ka ushtruar kontrolle. Po tani nuk e ka pasur të nevojshme që të ushtrojë kontrolle.

A i njihni shokët e Admirit, se më kë shoqërohej dhe me kë rrinte?

Do t’i njohim. Tani nuk njohim asnjeri, por do t’i njohim. Do interesohemi se kush janë. Tani do e shohim se kush janë shokët. Ata që e kanë lënë në rrugë. Admiri organizator ka ngelur i vrarë. Shokët do t’i gjejë Policia, por do interesohemi t’i gjejmë edhe ne.

Si do i gjeni ju?

Do na ndihmojë Policia, do interesohemi. Tani na intereson, se deri tani kemi dëgjuar vetëm që Admir Murataj është organizator. Tani do e shohim se sa organizator është Admiri. Është vegël.

Vegël nga kush?

Ta shohim.

Mendoni se e kanë tradhtuar shokët?

Diçka duhet të jetë. Organizatori nuk vritet.

Ju keni dyshime se është përdorur nga shokët apo nga dikush tjetër?

Nuk e dimë. Por 1 milion për qind që është përdorur.

Ju keni qenë në Polici, a ju informuan se si u vra Admir Murataj? Është vrarë nga Policia apo nga shokët e vet?

Akoma asgjë. Nuk kemi asgjë të saktë deri tani. Dimë që thonë se e kanë hedhur shokët e vet aty dhe kaq.

(Kosova Sot)