“Mu shtershin sytë” – nuk është poezi e Agim Ramadanit, autor është Bedri Gjinaj

  • 11 April 2019 - 16:32
“Mu shtershin sytë” – nuk është poezi e Agim Ramadanit, autor është Bedri Gjinaj

Një poezi emblematike e titulluar “Amaneti”, por që më shumë njihet nga vargu i parë i saj “Mu shtershin sytë…” që shpërndahet më të madhe në secilin përvjetor të rënies së njërit prej komandantëve të Betejës së Koshares Agim Ramadanit, po del të të ketë autor Bedri Gjinajn, një figurë e njohur e arsimit në Kosovë. Ky fakt është bërë i ditur nga poetja Donika Dabishevci, por poeti Sabit Rrustemi thotë se kjo poezi nuk gjendet në librat me poezi të Agim Ramadanit.

Në kujtim të 20 vjetorit të “Betejës së Koshares” në krye të së cilës ka qenë heroi i Kosovës Agim Ramadani, u shpërndanë me të madhe vargjet e poezisë “amaneti” që u besua se ishte shkruar nga Ramadani, por në të vertetë kjo poezi u shkrua nga autori Bedri Gjinaj.

Pas kësaj akademie përkujtimore vargjet e poezisë “amaneti” u shpërndanë nga qytetarët nëpër rrjetet sociale. Por, pas kësaj ka reaguar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sabit Rrustemi.

Rrustemi ka sqaruar të gjitha rreth poezitsë që njëherë u mendua se u shkrua nga Agim Ramadani.

Ish-deputeti jep detaje në një postim të poetes Donika Dabishevci për poezinë “amaneti”.  Tregon se u shkrua nga Bedri Gjinaj.

“E nderuara Donikë, për hir të korrektësisë, kjo poezi e Bedri Gjinajt, e cila qarkullon nëpër rrjete e nëpër artdashës të shumtë viteve të fundit, nuk është pjesë e librit me poezi të Agim Ramadanit, “Një jetë tjetër”, redaktuar nga Ali Podrimja. Madje, këto vargje – amanet, nuk gjenden as në Monografinë tri vëllimëshe për Agim Ramadanin, “Agimi i lirisë, përgatitur nga shkrimtari Ibrahim Kadriu e, ku janë thuaja në tërësi poezitë e Agimit. Pra, Agimi në asnjë mënyrë nuk i ka përvetësuar këto vargje. Ka mundësi që krejt dikush tjetër, gjatë përgatitjeve të pllakateeve për Agim Ramadanin, t’ia ketë bashkangjitur si amanet këto vargje, të cilat si askund tjetër, i përngjajnë betimit të heroit tonë. Librat që i përmenda, janë nëpër biblioteka, krijues e nëpër miq e studiues të ndryshëm dhe mund të verifikohen në çdo kohë”, ka shkruar Rrustemi.

Ndryshe,  Bedri Gjinaj ishte një ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të arsimit në Mitrovicë, në Kosovë, Sanxhak e më gjerë. Bën pjesë në radhën e veprimtarëve më të shquar të arsimit shqiptar, i cili punoi me kompetencë e devocion për zhvillimin e arsimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri). Kontribut çëtjes shqiptare i dha edhe sa ishte në pozitën e sekretarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte një ndër burrat e intelektualët më të mëdhenj dhe më të nderuar të kombit.

Heroi Agim Ramadani lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, në Kosovë, me 3 maj të vitit 1964.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

(Kosova Sot)