Guraziu: Pacolli është rasti eklatant i korrupsionit biznesor e politik

  • 12 April 2019 - 13:56
Guraziu: Pacolli është rasti eklatant i korrupsionit biznesor e politik

“Profesori amerikan, Alon Ben-Meir, ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ia përplasi të vërtetën në fytyrë, por jo vetëm. Po sa kanë fytyrë Behgjet Pacolli dhe të tjerët, para gjithë këtyre kritikave që u adresohen udhëheqësve kosovarë, herë njërit e herë tjetrit. Deri tani asnjë politikan nuk ka mbetur në Kosovë pa marrë kritika nga ndërkombëtarët, qofshin ata profesorë apo edhe ambasadorë e udhëheqës të lartë botërorë,por kujt me i thënë se?!

Pacolli është rasti eklatant i korrupsionit biznesor e politik, që ka mbërritur deri aty sa dyshohet se e ka blerë edhe postin e presidentit në një pazar me partnerin e tij, presidentin aktual Hashim Thaçi. Pyetja tjetër se si u bënë në Kosovë politikanët për këta njëzet vjet miliarderë, ndërsa edhe ajo shtresë deri dje e mesme u varfërua skajshmërisht, është kjo arsyeja se pse populli po ikën, ndërsa Qeveria shtiret sikur nuk po ndodh asgjë.

Jo rastësisht edhe profesori amerikan Alon Ben-Meir reagon, pse për sa kohë na udhëheqin njerëz si Pacolli me shokë, autobusët drejt Perëndimit nuk do të kenë asnjë vend të lirë, si po e humbet Kosova asetin kryesor të saj, rininë që po detyrohet t’ia mbathë nga vendi, për të mos mbetur e humbur në këtë Republikë të kapur, të shantazhuar, e të korruptuar deri në fyt, ku perspektivë ka vetëm për kushërinjtë e pushtetarëve dhe miqtë e tyre që i korruptojnë”, u shpreh për “Kosova Sot”, analisti Ragip Guraziu.

(Kosova Sot)