Truri i njeriut do të lidhet me kompjuterë

  • 15 April 2019 - 16:04
Truri i njeriut do të lidhet me kompjuterë

Në një punim të ri të publikuar në revistën "Frontiers in Neuroscience", kërkuesit shkencorë kanë filluar një bashkëpunim ndërkombëtar, i cili parashikon zhvillime mahnitëse në botën e "Interfejsit midis trurit të njeriut dhe "cloud"-it" brenda disa dekadave të ardhshme.

Flet Robert Freitas Jr.

Duke përdorur një kombinim të nanoteknologjisë, inteligjencës artificiale dhe metodave tjera më tradicionale kompjuterike, kërkuesit shkencorë thonë se njerëzit do të jenë në gjendje që të lidhin trurin e tyre me një 'cloud' kompjuterësh, për të marrë informata nga interneti në kohë reale. Sipas Robert Freitas Jr., autor i lartë i kërkimit, një flotë nanobotësh në trurin tonë do të veprojnë si lidhëse midis mendjes së njeriut dhe superkompjuterëve, për ta mundësuar një shkarkim 'ala matrix' të informatave. 'Këto pajisje do të qarkullojnë nëpër enët e gjakut të njeriut, do ta kalojnë barrierën e gjakut në tru dhe do të zënë me precizitet pozitat e tyre, qoftë midis tyre, apo edhe në brendësi të qelizave nervore", thotë Freitas. 

Një 'super tru global'

"Më pas ato, pa kabllo, do të transmetojnë informacione të koduara në dhe nga rrjeti i superkompjuterëve të bazuar te 'cloud' për një monitorim në kohë reale të trurit dhe të të dhënave'. Interfejsi nuk do të ndalet vetëm te lidhja e njerëzve me kompjuterë, thonë shkencëtarët. Një rrjet i truve mundet po ashtu të ndihmojë që të formohet ajo që ata quajnë një 'super tru global', i cili do ta mundësojë mendimin kolektiv. Në eksperimentet e fundit, kërkuesit shkencorë tanimë kanë demonstruar aftësinë e bashkimit të truve të njerëzve, në detyra të përbashkëta, në atë që ata e quajnë "BrainNet". Edhe pse funksionalë, rrjetet sikur "BrainNet" ende janë rudimentarë krahasuar me atë që shkencëtarët thonë se do të ekzistojë në të ardhmen. 

(Kosova Sot)