Hoxha takon Kosnettin, pajtohen për nevojën e forcimit të sundimit të ligjit

  • 15 April 2019 - 19:49
Hoxha takon Kosnettin, pajtohen për nevojën e forcimit të sundimit të ligjit

Ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Me ambasadorin, Hoxha diskutoi çështjet lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe më gjerë reformat me ndikim në procesin e integrimit të Kosovës në BE, bën të ditur një njoftim nga MIE.

“SHBA-ja vazhdimisht ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për Kosovën në zhvillimin dhe forcimin e parimeve demokratike, dhe njëkohësisht ne kemi qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të  asistencës së SHBA-së, dhe për këtë ne jemi falënderues”, citohet të ketë thënë ministrja.

“Kosova ka miratuar ligjet dhe është në proces të hartimit dhe shqyrtimit të komponentëve të tjerë të legjislacionit për të përforcuar sundimin e ligjit në veçanti kuadrin ligjor në fushën penale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformat gjyqësore”, ka theksuar Hoxha.

Sipas njoftimit të MIE’së, “Ambasadori Kosnett, vlerësoi angazhimin e Ministres Hoxha për proceset integruese, duke potencuar rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar përkrahje për proceset integruese të Kosovës”.

Kosnett thuhet të ketë deklaruar se SHBA’ja “vazhdon të përkrahë përpjekjet e Kosovës për fuqizuar sundimin e ligjit dhe eliminuar dukuritë negative që minojnë funksionimin e mirëfilltë të institucioneve dhe demokracisë në vend, me pritjen që këto të arritura të shtohen më tej, duke kontribuar në zbatimin e reformave, zbatimin e MSA-së  dhe përfarimin me vlerat e vendeve të BE-së, në dobi të qytetarëve, të shtetit dhe rajonit”.

(Kosova Sot)