Deputetët bëjnë rrush e kumbulla buxhetin e taksapaguesve

  • 16 April 2019 - 08:06
Deputetët bëjnë rrush e kumbulla buxhetin e taksapaguesve

Haziri: Shtetndërtimi është zëvendësuar me shtetrrënimin

 “Tani është koha që sovrani ta ngritë zërin kundër këtyre matrapazëve dhe zhvatësve që po sorollaten me taksën e qytetarit në shëtitje dhe nuk po sjellin asgjë konkrete, kurse qytetari mezi e siguron kafshatën e bukës. Pra, këta janë liderët, të cilët “mendojnë” për popullin që ua dha bekimin për t’u ulur në Kuvend”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”

Deputetët vetëm për 3 muaj shpenzuan 50 mije euro për hotele dhe mëditje, ndërkaq për dreka zyrtare mbi 22 mijë euro, vetëm gjatë muajit korrik, gusht dhe shtator të vitit 2018. Sipas analistëve, shpenzimet e tilla për telefona vetëm për 3 muaj nga deputetët e Kosovës hiq me pak se 13 mijë e 300 euro janë një nos sens.

Ata thonë se përderisa populli mezi po mbijeton dhe po largohet nga Kosova, deputetet e Kuvendit të Kosovës, në krye me shefin e tyre Kadri Veselin, shpenzojnë dhe zhvatin afro 90 mijë euro vetëm për hotele, mëditje, dreka dhe telefona, pa i përfshirë edhe shumë shpenzime të tjera. Sipas tyre, Kuvendi ka degraduar në shkallën më të ulët dhe si i tillë ai duhet të shpërbëhet sa më shpejt, ngase po cilësohet legjislatura më e dobët e pasluftës.

Image
Ali Hertica

Hertica: Qytetari ta ngritë zërin

Sipas analistit Ali Hertica, buxheti i taksapaguesve po bëhet rrush e kumbulla me shpenzime dhe akomodime të udhëtimeve. “Tani është koha që sovrani ta ngritë zërin kundër këtyre matrapazëve dhe zhvatësve që po sorollaten me taksën e qytetarit në shëtitje dhe nuk po sjellin asgjë konkrete ,kurse qytetari mezi e siguron kafshatën e bukës.

Pra, këta janë liderët, të cilët “mendojnë” për popullin që ua dha bekimin për t’u ulur në Kuvend”, është shprehur Hertica. Sipas tij, Kuvendi i Republikës është shndërruar në teatër manipulues. “Për shkak të kësaj qytetari po merr rrugën e migrimit pikërisht nga kjo kastë politike e brishtë dhe kriminale”, është shprehur ai. 

Image
Arsim Haziri

 Qeverisja e dhënë pas luksit e shpërdorimeve

Analisti Arsim Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se shpenzimet janë të kësaj mase, pasi interesimi i deputetëve nuk është pro avancimit të rolit social. “Mirëqenia ekonomike mund të jetë vetëm projeksion mendor e iluziv e jo praktik. Përderisa kjo qeverisje njihet me keqpërdorime të shumta, dhe numër të madh të kabinetit qeveritar, atëherë është e kotë të kërkohen politika, të cilat zbusin gjendjen që mbretëron në popull.

Kjo qeverisje është qeverisje e mendësisë negative, dhe është dëshmuar se është e dhënë pas luksit dhe shpërdorimeve, prandaj edhe s'mund të krijojë arsye pse duhet të rrinë të rinjtë në Kosovë”, u shpreh Haziri. Sipas tij, kjo qeverisje mund të marrë përgjigje jo nga strukturat ligjore, por nga protestat dhe nismat qytetare. “Shtetndërtimi është zëvendësuar me shtetrrënimin, dhe përderisa është valide kjo qasje, gjithë pritjet për konsolidim  shtetëror mund të shpallen të humbura”, është shprehur Haziri.

Image
Shefik Shkodra

 Shkodra: Të shpërndahet Kuvendi, të thirren zgjedhjet e reja

“Skandalet e 'amatorëve' në karriget e Kuvendit vazhdojnë. Të shpenzohen rreth 90 mijë euro për dy-tre muaj, do të thotë, një aferë nga njerëzit që nuk dinë, nuk duan të racionalizojnë buxhetin. Për tre muaj 50 mijë euro për hotele dhe mëditje! Po këta, a veç në hotele kanë pasur punë, apo disa mund të banojnë ndoshta nëpër hotele. Ata shpenzojnë 13 mijë euro për telefona, po a mendon kush prej tyre se ka njerëz me nevoja shumë më të ngutshme e më prioritare sesa telefonat e tyre.

Dhe, çfarë pune është kryer me ata telefonata. Kush i menaxhon mjetet e Kuvendit dhe kush mund të jetë përgjegjës për to? Duhet të shtrohet kjo çështje publikisht dhe të dihet, cilat janë efektet pas këtyre shpenzimeve brenda një kohe aq të shkurtër. Se, keqpërdorimi i parasë në vende institucionale e publike është tejet markant e i hapur. Për këtë kryetari i Kuvendit do të duhej të kishte më shumë kujdes, pavarësisht se çfarë obligimesh kryejnë ata deputetë e komisione. Kur bëhet fjalë për Kuvendin e Kosovës, është parë se legjislaturë më e dobët s'ka pasur deri më tash. Do të ishte mirë që sa më shpejt të shpërndahet dhe të thirren zgjedhjet, e parakohshme, sado që nuk shpresohet as në ato aq”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën. 

(Kosova Sot)