"Notre Dame" nuk mund të rindërtohet si ishte dikur

  • 18 April 2019 - 15:42

Ekspertët tërheqin vërejtjen se katedralja "Notre Dame" nuk do të mund të rindërtohet ashtu si ishte para zjarrit, për shkak të mungesës së drurëve mjaft të mëdhenj në Francë. Në një deklaratë të tij, Bertrand de Feydeau, zëvendës president i grupit konservues "Fondation du Patrimoine", tha se aktualisht në Francë nuk ka drurë mjaft të gjatë, sa ata që ishin prerë në shekujt XII dhe XIII. Në radion "France Info" ai deklaroi se kulmi i drunjtë, i cili mori flakën, ishte ndërtuar nga trarët e maleve 'primitive' më shumë se 850 vjet më parë. Njëri ndër faktorët që mund ta ketë penguar rritjen e tanishme të këtyre drurëve, është fakti se, në shekullin XII, ata ishin prerë me të madhe për projekte ndërtimtarie.

Asokohe nevojitej një sasi aq e madhe e drurit për ndërtimin e kishave

Gjatësia e drurëve varet nga disa faktorë, sikur që është konkurrenca nga drurët e tjerë, kushtet e ambientit, ekzistimi i dritës dhe përbërësve ushqyes, por edhe nga vet gjenet e drurëve. Një faktor tjetër me rëndësi është shpyllëzimi i madh që ndodhi gjatë kësaj kohe. Shumica e drurëve që ishin prerë asokohe, ishin duke u rritur që nga shekulli VII apo VIII, gjë që dmth se disa nga trarët e djegur të katedrales mund të kenë qenë deri në 1,300 vjet të vjetër. Asokohe nevojitej një sasi aq e madhe e drurit për ndërtimin e kishave, kështjellave dhe anijeve, sa që pjesa më e madhe e maleve të Francës ishin 'spastruar'. Historiani i artit nga Universiteti "Columbia", Stephen Murray ka deklaruar për "Ars Technica": "Ka pasur një periudhë në Francë ku shpyllëzimi ishte problem, meqë këto ndërtesa konsumuan një sasi të madhe të maleve". Ueb sajti zyrtar i "Notre Dame"-it deklaron se edhe në shekullin XII, kur ishte duke u ndërtuar katedralja, mungesa e drurit paraqiste shqetësim. E tërë korniza e ndërtesës 850- vjeçare në qendër të Parisit përbëhet nga druri, nga rreth 1,300 drurë, që janë përdorur për përfitimin e trarëve. "Notre Dame" ishte i famshëm mu për shkak të këtyre trarëve dhe drurëve të gdhendur, që karakterizonin kulmin e tij. Por, zjarri, i cili zgjati 12 orë, shkatërroi strukturën e drunjtë të kësaj ndërtese mesjetare.

Për ndërtimin e katedrales janë prerë rreth 13,000 drurë

Maja origjinale, e cila përmbante rreth 750 tonelata trarë lisi, të lidhura me plumb, u shkatërrua e tëra nga zjarri, si edhe tërë kulmi. Natyra e skeletit të drurit dmth se do të jetë thuajse e pamundur që të rindërtohet saktësisht sikur që ishte dikur. Kulmi i katedrales përmbante një sasi aq të madhe të drurit, sa që quhej "Pylli". Mendohet se, për ndërtimin e katedrales, janë prerë rreth 13,000 drurë. Sot, vetëm 1% të maleve evropiane janë 'primitive', të paprekura nga aktiviteti njerëzor. Ekspertët thonë se kombinimi i një strukture më të vjetër se 850 vjet, të bërë vetëm nga druri, si dhe hapësira e madhe e hapur, pa sisteme të sofistikuara të mbrojtjes kundër zjarrit, bënë që zjarri të përhapej aq shpejt, para se zjarrfikësit të mund ta shuanin atë. Pasi që u shua zjarri, u zbulua se kryqi i artë dhe altari i katedrales kishin mbetur të pashkatërruara. Njëri nga reliktet më të çmuar të katedrales, për të cilën thuhet të jetë kurora me gjemba, që kishte bartur Krishti në kryq, po ashtu ka shpëtuar nga zjarri. 

(Kosova Sot)