Kelmendi: Mungon vullneti politik për luftimin e krimit

  • 18 April 2019 - 17:00
Kelmendi: Mungon vullneti politik për luftimin e krimit

Analisti Naim Kelmendi vlerëson se lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit mbase ka dështuar me vullnetin e politikës se inkriminuar dhe pushteteve, të cilat e kanë ndikuar dhe kontrolluar sistemin e drejtësisë, mbase edhe e kanë diktuar të zgjedhurit e pozitave, prokurorë e gjyqtarë në sistemin e drejtësisë dhe ata pra, të zgjedhurit e politikës, edhe më tutje janë në këto pozita të drejtësisë kosovare dhe kjo nuk përkon me standardet evropiane.

“Mbase dhe më keq është gjendja e sistemit të drejtësisë së kapur nga politika e inkriminuar që në të shumtën kjo drejtësi u shërben interesave të tyre sesa do të duhej t’i shërbente ligjit dhe të drejtës. Derisa në sistemin e drejtësisë kosovare të emërohen prokurorët e gjyqtarët me urdhrat dhe ndikimet e klanit “Pronto” dhe duke e ditur këtë gjendje bashkësia evropianë atëherë dritë jeshile s’mund të pritet për Kosovën në integrimet evropiane, ngase është pikërisht fakti kryesor i mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe moslufta nga sistemi i drejtësisë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe mbase ka edhe ministra në qeveri me aktakuza të ngritura, që e ka bllokuar edhe liberalizimin e vizave nga bashkësia evropiane dhe ketë misionaret evropianë e kanë theksuar sa herë apo qoftë dhe në raportet e Progresit”, vijoi më tej Kelmendi.

“Derisa me pushtetin abuzohet në forma të ndryshme përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit e (pa)drejtësia fle, atëherë theksueshëm dhe qartësisht kjo nuk jep sinjale të mira për bashkësinë evropianë për një shtet ligjor e sundim të ligjit në Kosovë”, ka theksuar ai. Sipas tij, nga gjendja në sistemin e (pa) drejtësisë janë politikanët e inkriminuar, bashke me mafio-oligarkët, përfituesit më të mëdhenj të kësaj gjendjeje.

(Kosova Sot)