Haradinaj zbraz fjalë në ajër, nuk tregon kush janë mafiozët e energjisë

  • 19 April 2019 - 07:59
Haradinaj zbraz fjalë në ajër, nuk tregon kush janë mafiozët e energjisë

Edhe pse sipas ligjit detyrohet të japë faktet dhe të denoncojë rastin në Prokurori 

Haziri: Prokuroria duhej të vepronte edhe për marrëveshjen e “Contour Global”

“Kryeministri Haradinaj e di shumë mirë kush është kjo mafi e energjisë dhe i njeh shumë mirë e me emra të përveçëm, por nuk i dërgon në prokurori, ose në këtë rast ai duhej të ftohej nga prokuroria. Andaj, Prokuroria Speciale është e paaftë të bëjë diçka në këtë drejtim, nuk mund të ketë askush besim në këta njerëz, të cilët janë të paguximshëm, sigurisht dhe që nuk pritet asgjë e hairit nga ata”, është shprehur analisti Driton Gashi për gazetën për “Kosova Sot”

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar ditën e mërkurë se ekziston një mafi e energjisë, e cila ka blerë energji për Kosovën që 20 vjet, duke shtuar se nuk është vetëm kombëtare, ndoshta është ndërkombëtare, e do të donte t’i mbyllë termocentralet me qejf, se e ndotin shumë ambientin pa i pasur në prodhim, vetëm që të rritet blerja.

Por shtrohet pyetja deri kur do të kemi akuza pa emra dhe pse kryeministri Haradinaj nuk i emërton se kush janë njerëzit e mafisë në Kosovë? Lidhur me këtë pyetje, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer dje përgjigje për gazetën, por as Prokuroria Speciale gjithashtu nuk ka kthyer përgjigje se a do ta intervistojë Haradinajn lidhur me faktet që ai thotë se i ka lidhur me mafinë e energjisë. Analistët thonë se, sipas detyrës, kryeministri duhet t’i thotë emrat publikisht, por edhe t’i dërgojë në Prokurori. 

Gashi: Haradinaj e di shumë mirë kush është kjo mafi e energjisë dhe i njeh shumë mirë

Image
Driton Gashi

Analisti Driton Gashi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se përderisa kryeministri i shtetit nuk e di se kush është kjo mafi e energjisë, e cila ka blerë energji që 20 vite, ku sipas tij nuk është vetëm kombëtare, por ndoshta ndërkombëtare, atëherë kush tjetër mund ta dijë këtë gjë? “Kjo tregon se sa i dobët është ky kryeministër, stafi i tij, por edhe ligjet në Kosovë. Por, për mendimin tim kryeministri Haradinaj e di shumë mirë kush është kjo mafi e energjisë dhe i njeh shumë mirë, me emra të përveçëm, por nuk i dërgon në prokurori, ose në këtë rast ai duhej të ftohej nga prokuroria. Andaj, Prokuroria Speciale është e paaftë të bëjë diçka në këtë drejtim, nuk mund të ketë askush besim në këta njerëz, të cilët janë të paguximshëm, sigurisht dhe që nuk pritet asgjë e hairit nga ata”, është shprehur analisti Driton Gashi për gazetën për “Kosova Sot”.

Analisti Dardan Grapci u shpreh për “Kosova Sot” se kryeministri Ramush Haradinaj e di shumë qartë që mafia për blerjen nuk ekziston, por, sipas tij ajo se çka nuk po deklaron kryeministri Haradinaj është se krejt mbrapa kësaj blerje qëndron një organizatë e jo mafi.“Dua të shtoj haptas se krejt mbrapa këtyre 20 viteve të blerjes së rrymës për Kosovën janë njëra nga dy organizatat e fuqishme, 1 ‘Iluminati’ dhe 2 ‘Soros’. Prandaj kryeministri nuk ka të drejtë të tregojë emra apo kush qëndron mbrapa krejt kësaj, sepse jeta e tij mundet me qenë në rrezik. Sa i përket KEK-ut, duhet që Qeveria e Kosovës të merret me këtë çështje dhe Prokuroria Speciale e Kosovës. Në njëfarë mënyre edhe të bëhen kërkime se kush qëndron është sikur të kërkosh për një kashtë në ujë”, është shprehur ai. 

Haziri: Deklarata e Haradinajt, për konsum të brendshëm politik

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se deklarata e kryeministrit Haradinaj se në Kosovë ekziston mafia e energjisë që blen energji për Kosovën që 20 vjet, nuk është se ai më këtë deklaratë na e ka zbuluar ‘’ujin e nxehtë’’. Përtej kësaj, sipas tij, duhet rikujtuar se pjesë e kësaj mafie ishte dikur edhe vetë kryeministri aktual Haradinaj, në kohën kur ministër i Energjisë ishte bashkëpartiaku i tij, Ethem Çeku.“Dhe po ashtu këtë mafiozllëk po e vazhdon me kompaninë “Contur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky shumë i dyshimtë dhe aspak i favorshëm, i cili nuk e zgjedh çështjen e energjisë në Kosovë, por është vetëm projekt nga i cili do të përfitojë kompania në fjalë dhe klani i Haradinajt. Se pse prokuroria nuk po vepron sipas deklaratës së kryeministrit Haradinaj është diçka që nuk do shumë koment, pasi Prokuroria e Shtetit do të duhej të vepronte edhe në rastin e marrëveshjes në mes Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri aktual Haradinaj dhe kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Andaj kujtoj se deklaratat e tilla si kjo e kryeministrit Haradinaj janë vetëm për konsum të brendshëm politik”, është shprehur Haziri. 

Krasniqi: Qytetarët po ikin nga mafiozët e pushtetit

Image
Faik Krasniqi

“Ne e dimë që mafia është në çdo cep të Kosovës, që udhëhiqet nga politika dhe parapolitika, por janë deklarata boshe të kryeministrit Haradinaj të bëjë vetëm akuza, pa e dërguar mafinë në burg. Apo mafia është duke bërë luftë me njëri-tjetrin për territor. Në një shtet normal nëse dikush bën akuza të tilla, prokuroria e thërret personin t'i tregojë emrat e atyre mafiozëve që po e dëmtojnë shtetin. Por, këta janë vetë mafiozë dhe akuzat e kundërakuzat janë në vazhdën e fushatës për të treguar se cili është më mafioz se tjetri. Pasuria e tyre, shpëlarja e parave përmes ndërtimit dhe bankave të ndryshme makro dhe mikrofinanciare dhe OJQ-ve të ndryshme, tregon se kush e udhëheq mafinë në Kosovë. Qytetarët nuk po ikin nga ky vend me viza pune vetëm shkaku i një page, por mbi të gjitha shkaku i këtyre mafiozëve që shtetin e kanë bërë pronë të tyre private. Nuk ka vend për qytetarët e ndershëm aty ku sundon mafia politike”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”

Kosova Sot)