Kush është imami kosovar që u dënua me 10 vite burgim për rekrutimin e të rinjve në Siri

  • 21 April 2019 - 15:09
Kush është imami kosovar që u dënua me 10 vite burgim për rekrutimin e të rinjve në Siri

Një numër jo edhe i vogël i imamëve kosovarë kanë kaluar nëpër procese gjyqësore për shkak të dyshimeve për rekrutim të të rinjve në organizatën terroriste ISIS. Në emër të thirrjes për “tokën e premtuar të Shamit”, u vërtetua se figura të njohura të islamit kosovar ndikuan në shtyrjen e të rinjve drejt zonave të konfliktit në Siri. Që nga viti 2012 më shumë se 300 kosovarë iu bashkuan “kauzës” në Siri, disa u bënë komandantë, disa u vranë, dhjetëra të tjerë u kthyen.

Në vitin 2016 Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar ish imamin e Xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, Zekirija Qazimin, me 10 vjet burg për rekrutimin e të rinjve në organizatat terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme dhe për nxitje të urrejtjes. Këtë vendim e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

Image

Sipas gjykatës Qazimi ka keqpërdorur pozitën e tij si Imam ku publikisht ka nxit dhe përhap urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik.

Ndërsa, po atë ditë gjashtë persona të tjerë, bashkëpunëtor të Qazimit, u dënuan me nga tre deri në tetë vjet heqje lirie për veprat penale rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje. Tre nga të dënuarit kishin pranuar fajësinë. Për të gjithë, Gjykata e Apelit në Kosovë, vërtetoi dënimin me 42 vjet heqje lirie për shtatë personat e akuzuar për veprën penale të terrorizmit.

Si i çonte të rinjtë kosovarë në ISIS Imami i dënuar Zekirija Qazimi bashkë me të tjerë?

Kohë me parë media pati sjell një seri shkrimesh që përmes mesazheve të siguruara nga dëshmonin komunikimin mes të dënuarve dhe të rinjve të tjerë para nisjes për të luftuar në ‘Tokën e Shamit’. Madje në njërin prej tyre thuhej “Selam vllaznive”.

Të njëjtat përgjime tregojnë se nëpërmjet këtij rrjeti rekrutimi në grupin terrorist ISIS përfunduan të paktën 11 kosovarë.

Dyshime pati edhe për imamë të tjerë.

Ish-imami i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, akuzohej nga Prokuroria për shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi. Por në vitin 2018, ai u lirua nga të gjitha akuzat.

Në aktakuzë pretendohej se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimi e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Madje në aktakuzën kundër Krasniqit, imami 52-vjeçar nga Prishtina ngarkohej edhe për “shpëlarjen e trurit” të një të reje nga kryeqyteti, e cila përfundoi në ISIS.

Venera Ademi, e cila të premten është rikthyer në Kosovë, bashkë me mbi 100 shtetas tjerë kosovarë, sipas aktakuzës, ishte dëgjuese e rregullt e ligjëratave të Shefqet Kransiqit.

Ajo atje është martuar dhe ka krijuar familje.

Përveç Krasniqit, në bankën e të akuzuarvëve u ulën edhe pesë imam me nam në Kosovë. Bedri Robaj, ish-imam në xhaminë pranë Termokosit në Prishtinë; Idriz Bilibani, hoxhë nga Prizreni; Enes Goga, kryeimam nga Peja; Mazllam Mazllami, imam nga Prizreni; si dhe ndaj të pandehurit Fuad Ramiqi. Që të gjithë ata tashmë janë liruar nga aktakuza.

Por, si u shndërrua Kosova në tokë pjellore të ISIS-it, shkruanin mediat kryesore të botës.

Në kohën kur shumë kosovarë ende nuk kishin dëgjuar për organizatën terroriste ISIS, dhjetëra të tjerë veçse kishin filluar të luftonin nën flamurin e kësaj organizate. Që nga 2012-ta, rruga e kosovarëve drejt zonës së konfliktit në Siri u shpeshtua.

Shkruaja e kosovarëve për në Siri nisi nga viti 2012. Më të famshmit e kësaj kauze ishin Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi, të cilët edhe u vranë zonën e konfliktit. Që nga kjo periudhë kohore në Siri e Irak kanë shkuar mbi 300 kosovarë, në mesin e të cilëve ka edhe fëmijë.

Kthimi i 110 personave nga Sira në Kosovë

E para dy ditësh nga Siria në Kosovë janë kthyer 110 persona. Ndërkohë, sipas autoriteteve kosovare, në zonën e konfliktit vazhdojnë të jen 87 kosovarë të tjerë. Bëhet fjalë për 30 luftëtarë 49 gra dhe 8 fëmijë. Të cilët pritet t’i kthehen shtetit gjatë ditëve në vijim.

Aktualisht, të kthyerit po mbahen në Qendrën e të Huajve në Vranidoll, fshat në periferi të Prishtinës.

E katër nga burrat e kthyer në Kosovë janë ndaluar nga Prokuroria Speciale. Ndaj Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci gjykata pritet që sot të caktojë paraburgimin.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

(Kosova Sot)