“Kosova Sot”, zëdhënëse besnike e qytetarit dhe denoncuese e pakompromis e dukurive negative

  • 22 April 2019 - 08:11
“Kosova Sot”, zëdhënëse besnike e qytetarit dhe denoncuese e pakompromis e dukurive negative

Sensibilizuese e mendimit kritik

Përfaqësues të jetës arsimore, qytetarë të vendit e lexues të flaktë të gazetës lidre, thonë se “Kosova Sot” ka treguar e po tregon guxim të pashoq, është shembull për qasjen kritike dhe pasqyrimin objektiv të të vërtetës, pavarësisht presionit nga politika.

Sipas tyre, “Kosova Sot” po arrin me sukses që t’i shpëtojë kapjes dhe nënshtrimit nga grupet politike të interesit, duke mos u bërë zëdhënëse e politikës, por duke bërë maksimumin për të denoncuar devijimet e përditshme

Image
Hasan Syla

Hasan Syla, qytetar

Unë dua ta kujtoj këtë përvjetor të 20-të të sulmit dhe shkatërrimit të shtypshkronjës së kësaj gazete nga regjimi serb si një të kaluar të vështirë, por megjithatë të lavdishme, të njëjtë sikur që kaloi edhe populli i Kosovës, në përpjekje për t’u çliruar nga thundra serbe.

Nuk ishte rastësi pse kriminelët zgjodhën edhe mediet që t’i sulmojnë, t’i ndalojnë, t’i djegin e t’i shkatërrojnë, sikur që vepruan ndaj “Kosova Sot”. E bën pikërisht këtë kundër kësaj gazete, sepse “Kosova Sot” ishte e dalluar nga guximi dhe këmbëngulësia për ta dhënë lajmin e së vërtetës, ishte e pakompromis në luftimin dhe demaskimin e fytyrës së vërtetë të pushtuesit serb.

Pra, “Kosova Sot” ishte dritare e informimit për luftëtarët në vija fronti, dritare e informimit edhe për gjithë botën nëpërmes së cilës informoheshin shikonin realitetin e krimit dhe gjenocidit që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur. Mbi të gjitha, “Kosova Sot” ishte mbështetëse e hapur e luftës dhe e vetë formacioneve të luftëtarëve të lirisë. Kur u panë të gjitha këto, kriminelët serbë nuk patën rrugë tjetër që ta ndalojnë pos që të bëjnë përpjekje për ta shkatërruar tërësisht, andaj i ia dhanë flakën më 24 mars 1999, duke e bërë shkrumb e hi dhe duke e rrafshuar me tokë objektin e shtypshkronjës së kësaj gazete. Por, pavarësisht këtij akti shkatërrimtar, “Kosova Sot” nuk u zhduk, nuk u ndal, por u rikthye te lexuesit së bashku me lirinë dhe tani po bëhen edhe 19 vjet të tjera të vazhdimit të botimit dhe të informimit në liri.

Pra, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga ajo kohë nuk harrohet asnjëherë çfarë i ka ndodhur kësaj gazete në luftë, sepse ishte vërtet në krye të detyrës së informimit dhe ne ishim mësuar ta kemi çdo ditë në dorë për ta lexuar dhe për t’u informuar, sepse atëherë ka qenë jetike të informohesh në mënyrë të drejtë, sepse dihet që propaganda serbe ka qenë shumë e përhapur dhe bënte gjithçka për të lansuar lloj- lloj dezinformatash për ta mashtruar popullin, por edhe faktorin ndërkombëtar.

Është për çdo lëvdatë dhe për t’u çmuar lart angazhimi serioz dhe profesional i stafit të kësaj gazete, i gazetarëve që me guxim të pashoq, po mbeten shembull për qasjen kritike dhe pasqyrimin objektiv të së vërtetës, dhe ne besuam se edhe pas luftës do të mbetej shembull i suksesit, pavarësisht që presioni nga politika edhe tash kur po e ndërtojmë shtetin demokratik, është një fatkeqësi e madhe me të cilën ballafaqohet fjala e lirë, mediet. Sidoqoftë, unë nga pozita e lexuesit të rregullt mbetem i kënaqur, që pavarësisht presionit dhe sfidave që janë raportuar herë pas here, “Kosova Sot” po arrin me sukses që t’i shpëtojë kapjes dhe nënshtrimit nga grupet politike të interesit, duke mos u bërë zëdhënëse e politikës, por duke bërë maksimumin për të denoncuar devijimet e përditshme dhe për të pasqyruar realitetin. E uroj gazetën “Kosovën Sot” që të vazhdojë të jetë në këtë rrugë të pasqyrimit të realitetit objektiv.
E pandikuar nga politika e pushteti

Image
Shaban Jakupi

Shaban Jakupi, qytetar

Kemi qenë të shokuar, por jo edhe të befasuar kur kemi mësuar se si ndodhi sulmi shkatërrimtar kundër gazetës “Kosova Sot”, më 24 mars të vitit 1999.

Nuk e zgjodhi rastësisht armiku këtë gazetë, sepse gjatë gjithë kohës së raportimit në kushte lufte, sa e kemi përcjellë ne, e që e kemi pasur gati ta pandashme sikur kafshatën e bukës, kontributi i gazetës për informim ishte shumë i madh për atë kohën e luftës. Nuk kishim burime të tjera informimi, përveç medieve tona të shkruara, që depërtonin me vështirësi nëpër vatrat e luftës dhe mediet e huaja që raportonin, por gjithmonë duke iu referuar këtyre gazetave të kohës, sikur ishte “Kosova Sot” dhe të tjerat, që luftonin për çdo informatë të vërtetë në kushte lufte.

Prandaj, aspak nuk është çudi që si kundërveprim ndodhi bombardimi i shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot”, sepse ky sulm është parë si mundësi e vetme e ndalimit të saj për të pamundësuar informimin e drejtë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë periudhën e pasluftës, kur u rikthyen gazetat përsëri në fushën e informimit për realitetin e ri të Kosovës, gazeta “Kosova Sot” e zgjodhi përsëri rrugën e mesit, atë të informimit të paanshëm dhe profesional, dhe tash e dy dekada po vazhdon të jetë një dritare mjaft e qartë, e besueshme për qytetarët, duke luftuar që ta thotë të vërtetën për krejt atë që po ndodh në vend. Lirisht mund të them, se edhe kjo koha e pasluftës nuk është aspak e lehtë për të qenë në nivel të detyrës së informimit të drejtë, pasi politika e ka krijuar edhe një rrjet të vetin të medieve, të cilat i financon dhe krijon huti me të pavërteta te qytetarët. Sidoqoftë, është për çdo vlerësim dhe lëvdatë që në këtë lojë nuk është kapur “Kosova Sot”, e cila gazetë po ia del të jetë e pavarur dhe e pandikuar nga asnjë parti politike, as nga pushteti. Duke qenë kështu, “Kosova Sot” vazhdon të jetë zëdhënëse besnike e qytetarit dhe denoncuese e të gjitha dukurive negative në shoqëri.

Alban Thaçi, ekonomist

“Kosova Sot” filloi të botohej në kohët më të vështira historike, ishte dhe mbetet dritare e informimit të qytetarëve të Kosovës. Edhe pse gazetat po humbin terren për shkak të lajmeve elektronike, prapë vlera e gazetës mbetet e pandryshuar. “Kosova Sot” me përmbajtjen e saj të larmishme, me kronikat e saj nga terreni, me opinionet e thukëta, me lajmet e ditës dhe info argëtuese është një gazetë e dashur për lexuesit.

Gazetë shumë e guximshme

Bujar Pula, drejtor i shkollës në Vërmicë

Pa dyshim se mediet e shkruara kanë qenë bosht i vetëdijesimit nacional në periudhën e paraluftës dhe në luftë e po ashtu edhe sensibilizuese të mendimit kritik në periudhën e lirisë. Nuk mund të anashkalohet edhe roli i tyre në krijimin e opinionit kombëtar për aktin më të rëndësishëm të popullit tonë - pavarësisë së vendit. Në këtë kuptim, edhe e përditshmja “Kosova Sot”, me kontributin e saj, mbetet zë i rëndësishëm për qytetarët e vendit tonë. Urojmë që gazetaria kosovare të avancohet edhe më tej dhe të jetë vazhdimisht si edhe deri tani-e pavarur. Suksese për gazetën dhe gëzofshi shumë përvjetorë!


Prof. Bedredin Kryeziu, punonjës në KK të Prizrenit

Sipas kushteve që kishte “Kosova Sot” në atë kohe lufte, kjo gazetë ishte shumë e guximshme. “Kosova Sot” është një dritare informimi, e cila i është dashur shumë qytetarëve të Kosovës,të cilët në atë kohë përjetuan tmerrin me të madh te luftës. Kur Kosovës i mungonte informimi i duhur,”Kosova Sot” ishte ajo që u dha qasje atyre për t’u njohur me realitetin në vend. Mbi te gjitha, ishte besueshmëria,informimi i saktë dhe i drejtë dhe i shpejtë i saj.

Gazetën “Kosova Sot” që 20 vjet sjell informata të besueshme,e palodhur dhe përplot vullnet ku e dha kontributin në maksimum, e sidomos në rrethana më të vështira të kohëve të egra serbo-sllave. “Kosova Sot” nuk e kishte aspak të lehtë të mbijetonte duke marrë parasysh edhe konkurrencën, por falë punës që po e bën stafi i gazetës, ajo po mbijeton, edhe pse u dogjën shumë shkrime në shtypshkronjën ku u botua gazeta “Kosova Sot”, sot popullata e lexon me vullnet këtë gazetë shumë të besuar.

(Kosova Sot)