Arrestohen pesë miliarderë algjerianë, dyshohen për korrupsion

  • 22 April 2019 - 17:09
Arrestohen pesë miliarderë algjerianë, dyshohen për korrupsion

Pesë miliarderë algjerianë, disa prej të cilëve kishin lidhje të ngushta me ish-presidentin Abdelaziz Bouteflika, janë arrestuar nga autoritetet e drejtësisë si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit.

Pesë personat e arrestuar u dërguan më vonë në gjykatë për t’u përballur me akuzat e ngritura nga zyra e prokurorit të përgjithshëm.

Një nga të personat e arrestuar është Issad Rebrab. Besohet se ai është njeriu më i pasur në këtë shtet afrikan. Regrabi ka biznese që merren me përpunimin dhe shitjen e sheqerit dhe ushqimeve tjera. Kompania e tij importon sheqer të papërpunuar nga Brazili dhe shet sheqer të pastër në Tunizi, Libi dhe në disa shtete të Lindjes së Mesme.

Arrestimi i pesë miliarderëve erdhi pasi komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, Gaid Salah, tha javën e kaluar se pret që prokurori ta hetojë elitën e vendit për dyshimet për korrupsion.

Një gjykatë algjeriane i ka marrë në pyetje edhe ish-kryeministrin Ahmed Ouyahia dhe ministrin aktual të financave, Mohamed Loukal. Ata kanë qenë të lidhur me ish-presidentin e rrëzuar nga pushteti dhe dyshohen për keqpërdorim të parasë publike.

Bouteflika është zëvendësuar përkohësisht nga kryetari i dhomës së lartë të kuvendit, Abdelkader Bensalah. Ai do të shërbejë në detyrën e presidentit për 90 ditë, ndërsa më 4 korrik do të mbahen zgjedhjet presidenciale, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)