KQZ nuk përfundoi certifikimin, mospajtime për kandidatët e Listës Serbe

  • 23 April 2019 - 14:23
KQZ nuk përfundoi certifikimin, mospajtime për kandidatët e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka dështuar sot të përfundojë procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar të katër komunave në veri për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit

Anëtarët e komisionit kanë miratuar rekomandimet e zyrës politike për kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe ato për subjektin politik Lista Serbe.

Kandidimi i ish-kryetarëve të komunave në veri të vendit për zgjedhjet e 19 majit, ka bërë që të ketë vështirësi në certifikimin e tyre në KQZ. Megjithëse zyra politike ka rekomanduar emrat e propozuar nga Lista Serbe dhe ka thënë se janë konform rregullave ligjore, certifikimi i tyre nuk është arritur për shkak të kundërshtimeve nga anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi.

Sipas tij, dorëheqja e tyre pesë muaj më parë dhe arsyet e dorëheqjes, duke kundërshtuar vendimet e institucioneve të Kosovës, bën që ata të humbin të drejtën kushtetuese për të qenë kandidat. Florian Dushi, anëtar i KQZ-së ka thënë se meqë janë nxjerrë rekomandimet nga zyra dhe nuk ka ndonjë pengesë ligjërisht për kandidimin e tyre, procesi duhet të vazhdojë duke respektuar ligjin për zgjedhje të përgjithshme dhe ato lokale.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka bërë thirrje që të frenohen nga vlerësimet politike dhe të zbatohet ligji për zgjedhje. Pas një orë diskutimi, komisioni ka dalë për një pauzë, të paralajmëruar për 10 minuta, por që ka zgjatur më shumë se 1 orë dhe anëtarët nuk janë kthyen për ta vazhduar mbledhjen. Zyra e informimit në KQZ ka njoftuar se mbledhja nuk do të vazhdojë sot.

Pas kësaj, Adnan Rrustemi ka thënë se nuk e mbështet certifikimin derisa Lista Serbe nuk distancohet nga deklaratat. Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut Goran Rakiq. Ndërsa, nga PDK për Leposaviq ka aplikuar Shaqir Hetemi, për Zubin Potok Hysen Mehmeti, për Zveçan Ilir Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Gonxhe Çaushi.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar për Leposaviq Fisnik Veseli, për Zubin Potok Liridona Harimani, për Zveçan Avdi Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Adic. Ndryshe, KQZ sot është dashur të përfundojë certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet e 19 majit në veri, por e njëjta ka të drejtë që të zgjasë afatin, konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.

(Kosova Sot)