Vendimi populist për taksën, marketet mbushen me mallra serbe

  • 24 April 2019 - 08:09
Vendimi populist për taksën, marketet mbushen me mallra serbe

 Grapci: Dogana duhet ta kërkojë origjinën e produktit

 “Deklaratat e qeveritarëve tanë për dëmet që po i shkaktojnë Serbisë janë vetëm për marketing të brendshëm politik, dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj mase taksative janë biznese të lidhur me krerët më të lartë të institucioneve tona shtetërore.

Të gjitha mallrat serbe kanë depërtuar në Kosovë me anë të kontrabandimit dhe trafikimit të tyre përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe nga pjesa veriore e vendit të padoganuara përmes grupeve kriminale që kanë kontrabanduar këto mallra në drejtim të pjesës tjetër të vendit përmes bashkëpunimit me bizneset që janë të afërta me politikanët e fuqishëm në Kosovë”, thotë analisti Nexhat Haziri për gazetën “Kosova Sot”

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 muaj që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë, produktet serbe vazhdojnë të mbushin marketet kosovare. Pse po ndodh një gjë e tillë? Sipas analistëve, mallrat serbe po kontrabandohen e trafikohen në Kosovë edhe përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, edhe përkundër taksës/tarifës formale. Sipas tyre, në fakt ka dështuar de fakto Qeveria që me anë të taksës të parandalojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë dhe për këtë po i bartin pasojat kosovarët e varfër, ku së fundi ka filluar edhe ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore me origjinë nga Serbia.

Image
Grapci

Neglizhenca e Doganës

Analisti Dardan Grapci theksoi për gazetën “Kosova Sot” se që nga vendosja e taksës më shumë është rritur kontrabandimi i mallrave nga Serbia në Kosovë sesa që e ka ulur, sepse kontrabandistët gjithmonë kanë alternativa të tjera, nëse një korridor mbyllet, ata e gjejnë një korridor tjetër. “Mallrat serbe që po hyjnë pas vënies së taksës 100% nga Qeveria e Kosovës, po hyjnë me emra të ndryshëm dhe paketime të ndryshme, me emrin e shtetit tjetër, siç ka ndodhur disa muaj më parë, që një produkt i Serbisë ka hyrë kinse si produkt i Maqedonisë.

Prandaj, Dogana e Kosovës dhe Policia duhet që mallrat që hyjnë në territor të Kosovës pa marrë parasysh se nga cili shtet duhet t’i hapin ato menjëherë aty në prezencë të shoferit të kamionëve, që ta shikojnë se tamam nga e ka origjinën produkti, vetëm në këtë mënyrë mund ta parandalojmë kontrabandimin”, ka theksuar ai.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Masë për qëllime populizmi

Analisti Nexhat Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se vendosja e taksës prej 100% nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, ka qenë dhe mbetet një veprim populisti i kryeministrit Haradinaj, por edhe liderëve të tjerë shtetërorë të Kosovës. “Në vend të kësaj është dashur të aplikohej reciprocitet të plotë me Serbinë, por edhe me Bosnjën, hap ky që nuk do të sillte kundërshtime as nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por e zgjodhën taksën, pasi këtij koalicioni qeveritar i duhej populizmi në kohën kur çdo ditë prodhonte skandale si rezultat i keqqeverisjes.

Dhe, tani ku kur flasim për rezultatin e taksës ndaj mallrave të Serbisë, dhe në të njëjtën kohë shohim se ato janë prezente si edhe më parë në tregun kosovar, lirisht mund të themi se deklaratat e qeveritarëve tanë për dëmet që po i shkaktojnë Serbisë janë vetëm për marketing të brendshëm politik dhe përfituesit më të mëdhenj të kësaj mase taksative janë bizneset të lidhur me krerët më të lartë të institucioneve tona shtetërore. Të gjitha mallrat serbe kanë depërtuar në Kosovë me anë të kontrabandimit dhe trafikimit të tyre përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe nga pjesa veriore e vendit të padoganuara përmes grupeve kriminale që kanë kontrabanduar këto mallra në drejtim të pjesës tjetër të vendit përmes bashkëpunimit me bizneset që janë të afërta me politikanët e fuqishëm në Kosovë. Dhe kjo situatë padyshim se është një dështim i Qeverisë së Kosovës, por shumë i dobishëm për bizneset e afërta me ta, dhe i vetmi që do t’i bartë pasojat është qytetari i varfër i Kosovës, i cili do të përballet edhe me ngritjen e çmimeve”, është shprehur Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Çmimi i këtyre mallrave është më i lirë se para vendosjes së taksës

“Është shumë e çuditshme. Edhe pse kanë kaluar 5 muaj prej vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, marketet vazhdojnë të jenë plot me mallrat e këtyre shteteve. Çudia më e madhe se çmimi i këtyre mallrave është më i lirë se para vendosjes së taksës, në vend se çmimi i tyre të ishte dyfish më i shtrenjtë. Shpjegimi i Qeverisë në lidhje me këtë gjë është sa absurd aq edhe qesharak. Kam qenë dhe jam pro vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, por është gënjeshtër që është vendosur taksë ndaj Serbisë. Marketet me mallra serbe dhe çmime të ulëta e demantojnë Qeverinë.

Kjo taksë na qenka vendosur për interesa të individëve të caktuar të politikës së biznesit, të cilët taksën po e përdorin si alibi për pisllëqet e tyre. Mallrat serbe ose po futen kontrabandë në Kosovë, ose në mënyrë ilegale përmes doganave të Kosovës, duke mos i tatimuar me taksë. S'ka asnjë gjasë që çmimet të jenë të njëjta ose edhe më të lira se para vendosjes së taksës. Edhe prodhimet vendore kanë pësuar ngritje të çmimeve, e që do të duhej të ishte e kundërta, çmime që rëndojnë buxhetin e varfër të qytetarëve të Kosovës”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)