Grabitja në Rinas/ ‘Daja’ nga Kosova refuzon të flasë, Policia po kërkon…

  • 29 April 2019 - 11:08
Grabitja në Rinas/ ‘Daja’ nga Kosova refuzon të flasë, Policia po kërkon…

Ragip Hajdini, 50- vjeçari nga Peja që u arrestua të premten si personi i gjashtë i dyshuar për grabitjen e Rinasit, ka refuzuar të japë shpjegime para grupit hetimor.

Sot ai pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë. Përgjatë 48 orëve që ka qëndruar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, “Daja” nga Kosova, që u identifikua nga dëshmia e Alkond Bengasit, nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen.

Nga ana tjetër, Policia ka vazhduar operacionin për gjetjen e parave të grabitura, duke kryer kontrolle në disa objekte për të cilat ka pasur indicie. Megjithatë, deri tani ende nuk janë gjetur as paratë dhe as ndonjë provë tjetër që të mbështesë dëshminë e të penduarit. Burimet thanë se operacioni për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim për ngjarjen e datës 9 prill është ende në vazhdim. 

Ragip Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg flori nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë në vitin 2012. Aktualisht, ai ndodhet në dhomat e paraburgimit në Policinë e Tiranës, i dyshuar për 3 vepra penale.

IDENTIFIKIMI

Në dëshminë e Alkond Bengasit (Qevanit), Ragip Hajdini apo siç njihet edhe me mbiemrin Haxhiajdini, përshkruhej si një person qeros, rreth të 50-ve dhe që Admir Murataj e thërriste “Daja”.

“Unë shkoja shpesh në banesën e Klement Çakës, e cila ndodhej afër shtëpisë sime te Liqeni i Thatë dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu, e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin ‘Daja’. Unë këtë person jam në gjendje që ta identifikoj nëse ai më tregohet. Po me këtë shtetas vinin edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin nga Fushë-Kruja me sa di unë, ku njëri thirrej me emrin ‘Olti’ dhe tjetri ‘Tani’. 

Ata të dy vinin me një makinë ‘Golf’ ngjyrë blu dhe të dy këta persona takoheshin me Admir Muratajn dhe shtetasin kosovar, të cilin Admiri e thërriste ‘Daja’. Herën e fundit që unë e kam takuar Admir Muratajn në momentin që po zbrisja për të blerë cigare të dyqani që ndodhet afër pallatit, dyqan i cili ndodhet në pallatin e Klementit, ka qenë rreth 6 ditë para se të ndodhte grabitja në Rinas.

Një person më fishkëllen dhe unë kthej kokën dhe arrita të dalloj Admir Muratajn, i cili më thirri ‘o nip’. Unë kam shkuar dhe jemi takuar dhe aty shikoj se në automjetin ‘Golf’ ngjyrë e bardhë me targa kosovare ndodhej edhe ‘Daja’ nga Kosova, i moshës rreth 50 vjeç, qeros. Pasi Admiri më ka dhënë dorën dhe më ka përshëndetur, ai ka hyrë në shkallën e pallatit ku banon Klementi dhe është ngjitur lart. Unë sa herë e kam parë shtetasin kosovar, e kam parë që ai ishte në shoqërinë e Admir Muratajt. 

Po kështu, dua të shpjegoj se unë Oltin dhe Tanin, të cilët di që janë nga Fushë-Kruja, i kam takuar për herë të parë përpara 6 muajsh te Shkëmbi i Kavajës, afër pallatit të lartë. Jemi nisur unë dhe Eldi nga Elbasani dhe në një lokal te Shkëmbi i Kavajës kemi ngrënë drekë së bashku me Admir Muratajn, personin të cilin Admiri e thërriste ‘Daja’ dhe ishte nga Kosova, Oltin dhe Tanin nga FushëKruja, Klementin, si dhe një person tjetër, të cilin e kishte shok ‘Daja’ nga Kosova dhe që ishte i shëndoshë”, ka shpjeguar në dëshminë e tij Alkond Bengasi.

(Kosova Sot)